Novruz Xh Shehu/ Dorian Koçi del në skenë më librin e tij të përkryer për Ali Pashë Tepelenën

645
Sigal

Këto ditë është hedhur në qarkullim libri “Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës”, prej studiuesit Dorian Koçi.

Besoj se jo më shumë se thirrja e gjenit tepelenas, për të dhënë emblemën e asaj treve në një ndriçim të ri, sesa një provim jo i vogël në fushën e përballjes së mendimeve intelektuale të studiuesve të këtij shekulli, kanë përqendruar tërë fuqinë intelektuale, vëzhguese e deri në krijuese e shkencore të këtij autori, që arriti të paraqitet me një vepër të beftë. Them vepër e beftë, jo se kjo është vepra e parë për Ali Pashën, e pa dyshim jo e fundit, por gjer më sot ende nuk kemi arritur të kemi afrimitetin me objektiven, me realitetin më të saktësuar, me ballafaqimin sado të dhimbshëm me historinë, ashtu siç ka ndodhur. Një qëndrim herë nën presionin e emocionit, herë të klaneve politike, herë të diplomacisë, herë të dritëshkurtësisë, apo të largpamësisë, herë të pragmatizmit banal, ka lënë ende për të dëshiruar veprat e historiografisë shqiptare, për prejardhjen e Aliut të famshëm, për vendlindjen e tij, për arsyen e masakrës së Kardhiqit, ngjitjen në karrierën e tij, duke ndriçuar ndjeshëm kohën, kontradiktat, por edhe psikologjinë e bashkëkohësve…

Për të ndriçuar më saktë, në tërë poret e poemës “Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës”, studiuesi ka vendosur në rrethin e dytë të krahasimit, këngët e popullit, grumbullimet e Thimi Mitkos, por edhe të tjera të rezistuara gjer më sot….

Jo vetëm kaq. Mbas metodës krahasuese në vlerat, të përbashkëtat, të veçantat dhe kontradiktat e tre poemave, ai ndriçon me studime, që mund të vlerësohen dhe si më vete vlerat letrare, vlerat stilistikore,vlerat kulturore e gjuhësore, etnografike të poemës “Gjenealogjia e Ali Pashe Tepelenës”..

Çdo studim, brenda veprës, ka zbatuar tërë parametrat shkencor, me një bibliografi të pasur, citime të duhura në vendin e duhur…etj

Kjo vepër mund të hyjë me dinjitet në veprat elitare të historiografisë shqiptare, jo vetëm për fokusimin tek poema, që po jepet e përkthyer mjeshtërisht në auditin shqiptar prej autorit , por edhe për mënyrën dhe objektivitetin shkencor. Natyrisht, ai s’mund t’i shkëputet plotësisht admirimit për figurën e burrit që bëri epope e që ktheu vëmendjen e mijëra diplomatëve, shkrimtarëve e studiuesve në tërë kontinentin e më tej, por kjo është mjaft e vogël para asaj që i ka dhënë auditorit. Vlen të përmendet se stili i tij është mjaft poetik, i shkathët, elegant, tërë kompetencë e potencë të një studiuesi të bindur për atë që shkruan.