Neki Haskoçela/ Letër nga varri (Humor)

552
Dërgon: Sulo Zameqari
Merr : Salo Qyqari
I dashur Salo kjo adresë që po të shkruaj është e përhershme. 
Sulo Zameqari, Varreza, kati i parë nën dhé, rreshti 10 ose e-mail: [email protected].
I dashur Salo, ne që vdiqëm në kohën e Saliut, vdiqëm kryelartë, se vdiqëm në mënyrë demokratike, se të thuash të drejtën, Saliu e demokratizoi çdo qelizë të jetës dhe të vdekjes, madje ai krijoi modelin demokratik të saj me vrasjet e 21 Janarit, në mes të ditës, në mes të sheshit, në mes të njerëzve, në mes të institucioneve më të larta dhe në prani të tij, pa ia bërë tërr syri. Por akoma më demokratike është dëshira për të mos mbajtur përgjegjësi dhe zbatuar ligjin. Kjo bëhet që i vdekuri të mos lërë pasoja në të prapë qoftë dhe më të voglin lëndim. Nejse se dolëm pak nga tema për sqarim, por ti Salo e di si vdiqa unë se me ty harxhova grahmat e fundit. Ata që me shtynë të vdisja ma mbushën mendjen të vdisja,se më thoshin: -Ti Sulo, ti je për në xhenet, ti vuan kot këtu, ti e ke xhenetin hapur, ç’të bëjmë ne që se kemi të sigurt. 
Dhe sa herë më thoshin, Ti-ja ishte si një çok që ma ngulte më thellë gozhdën e bindjes, derisa unë vdiqa. Por ç’ndodhi, tërë ai entuziazëm u zbeh, se jam akoma nën dhé e nuk kam vajtur akoma në xhenet, se paska shumë procedura, po bëjmë seminare por prapë është e vështirë i dashur Salo e siç duket do të jetë e pamundur.
E di Salo, e pyeta njërin në seminar, përse nuk shoh asnjë të vdekur nga të kohës së Enverit, ai më tha se ata kanë vajtur “On block” (të gjithë) në xhenet. Epo thashë unë, ata kanë qenë në xhehenem së gjalli, jo tha drejtuesi i seminarit, por ka një rregull që mëkatet e njerëzve në diktaturë i merr diktatura, pra shteti, ndërsa në demokraci mëkatet i paguan vetë mëkatari.
Eh, i dashur Salo, këtu e humba fare, mu prenë këmbët dhe thashë pse nuk vdiqa në diktaturë se çe lë njeriun në demokraci pa mëkatuar dhe thashë e humba dhe objektivin e vdekjes. Tërë ai objektiv që më kishte bërë optimist mbaroi. Tani, i dashur Salo, nga vdekja më ka mbetur si kujtim i mirë ceremonia e saj, sidomos më kujtohet ime shoqe, Sherua e shkretë, që printe para turmës së mortit e brengosur thellë për mua e mezi nxirrte me drithërima zërin për ti thënë sipas zakonit me ligje, bëmat e mia në mënyrë mallëngjyese. Dhe ky është një episode i bukur por nuk mjafton për të justifikuar tërë atë akt. Megjithatë mua nuk më la të kapitulloj dhe të dorëzohesha, i dashur Salo, një i vdekur rishtas i ardhur nga mbitoka, madje dhe i persekutuar politik, kur më tha: -Edi Rama është burrë i zgjuar që i vendos pikat mbi i, e do kuptuar ne thelb, se nuk kuptohet lehtë ai.
-E ç’rëndësi ka kjo për ne? – i thashë unë .
-Pikërisht se kjo ka rëndësi për ne ndaj e përmend, tha ai. Ja unë, e dëgjoja sy e vesh kur i thonë Salo, se ne nuk kemi as sy as vesh. Nejse,ne të persekutuarit e mbetur gjallë na dha lekët duke na thënë ; – unë nuk e bëj si Saliu që i la e vdiqën me xhepa bosh. Por kur na mblodhi një ditë me gjithë veteranët e mbetur dhe na tha prerë, o Salo, si di ai, duke na u drejtuar : – ju të persekutuarit vajtët në burg kot, po dhe ju veteranët luftuat kot, se ja ku jemi në këtë ditë fatlume e cila mbërriti, se nuk ndalet kalendari.
Pra kotja me koten matematikisht janë të barabarata, pra dhe ne u njehsuam në vlera me veteranët u bëmë të barabartë. – Ore. – i thashë unë, – Salo -ku e ke llafin? Për ne deri tani s’na ke thënë gjë . – Dëgjo, – më tha ai, – Edi e fitoi fushatën me sloganin e rilindjes dhe filloi të fliste për rilindjen e Edi Ramës, sa na la pa mend, o Salo vëllai, me një entuziazëm të paparë dhe me argumente. Pse si e kuptoni ju? – na tha, – se rilindin të gjallët? Jo absolutisht jo. Zakonisht terminologjia përdoret ne kontekst. – Tha ai, ne vazhdim te argumentit. P.sh. vazhdoi – themi rivendos pushtetin, rivendos kabinetin, rishoh administratën ose rivlerësoj gjendjen, rikonfirmoj qëndrimin, rihap çështjen ,rivendos debatin etj. Por te thuash do te ketë Rilindje?! Rilind ai që ka konsumuar një cikël lindje dhe ka vdekur si ne. Pra Rilindja është për ne dhe vetëm për ne, kot entuziazmohen të gjallët. Kjo është logjika me elementare për tu kuptuar, – tha,dhe na e mbushi mendjen top se kjo do të ndodhë sa të jetë Edi Rama në pushtet, – Po kur na llafosi , – o Salo , për rënien e Saliut, se është dhe muhabetçi dreqi. E di, na trishtoi, na lëndoi shpirtin dhe kështu të lënduar, kur na përshkroi situatën,me rastin e fjalës se lamtumirës, ku mbizotëroi një heshtje me e thelle se heshtja e varrit. Në fjalët e Saliut, të cilat dhe me interpretim kishte aq mallëngjim sa që nga sytë e ministreve, deputeteve u shkëputën bulëza loti më të mëdha se bulëzat e ujit Trebeshina në reklamë! Po tani- tha ai i persekutuari, – U kaloi dhimbja dhe turpi dhe janë hedhur në sulm kundër qeverisë, pa u dale akoma era e plehut te pushtetit, duke u bërë popull pa asnjë mëkat në sytë e tij,se kështu është bërë rregull tha- kur janë në pushtet janë kundra popullit dhe kur janë në opozitë shkrihen me popullin. Por të mos harrojmë hallin tonë – tha – Rilindjen, Rilindja që do të bëhet e mundur brenda mandatit të Ramës o kurrë. Tani i dashur Salo po e mbyll me shpresën për të rilindur edhe derisa kjo të ndodhë, do të këndoj këngën labe : “ Vito mos shko nëpër varre se të vdekurit i ngjalle dhe të gjallët i vdiqe fare, aman moj Vito” të ndryshuar.
Neki Haskoçela
Sigal