Marie Claire, nisin debatet për modelen e dobët, në kopertinën e revistës italiane

98
Një modele tejet e dobët, e cila ka pozuar për kopertinën e numrit të nëntorit në revistën italiane “Marie Claire” ka ngjallur polemika të shumta dhe kritika mes lexuesve. Ata kanë lënë komentet e tyre të indinjuar për këtë imazh, që sjell një shembull negative për të rejat dhe të rinjtë që duan të hyjnë në industrinë e modës. Përballë këtyre komenteve, ka reaguar vetë drejtoresha e revistës, Antonella Antonelli, e cila është shprehur përmes një letre të hapur: “Besojmë në vetëdijen e çdo femre që ndihet mirë në lëkurën e saj, përfshirë edhe në një masë 38”.

Por reagimi i drejtoreshës i ka acaruar edhe më shumë lexuesit e revistës për femra, të cilët e kritikojnë Antonellin se një masë 38 nuk mund të cilësohet e shëndetshme dhe se imponon modele negative për t’u ndjekur. Polemika për kopertinën e kësaj reviste, vjen pak ditë pas deklaratës së modeles angleze 23-vjeçare, Charli Howard e cila shkroi në “Facebook”, se ndihej në presion për të humbur në peshë, në mënyrë që të siguronte një kontratë.