Kujtimet e Andon Qesarit/ Drama ‘Cuca e Maleve’ dhe një bisedë e parrëfyer me Piro Manin. Ikona e kinematografisë Sandër Prosi: Interpretimi në skena për aktorin është një magji

728

Kujtimet e regjisorit dhe aktorit Andon Qesari : Drama “Cuca e maleve”, dhe një bisedë me Piro Manin

Sandër Prosi thoshte se skena për aktorin, është si stadiumi për futbollistin

 

“Cuca e maleve”, dramë e shkrimtarit Loni Papa,  ka hyrë në traditën më të mirë të teatrit shqiptar si për dramaturgjinë e saj interesante, por, mbi të gjitha, për trajtimin regjisorial. Ajo ka zënë vend ndër shfaqjet më të suksesshme të Teatrit Popullor dhe prej shumë kohësh është ndjekur me interes të veçantë nga mijëra shikues. Ç’rrugë ndoqën regjisori Piro Mani dhe skenografi Agim Zajmi për vënien në skenë? Këtë përgjigje do të mundohem ta bëj të qartë më poshtë, nëpërmjet bisedës që zhvillova me Artistin e Popullit Piro Mani, duke u ndalur më tepër tek spektakli teatral se sa te drama, për të cilën kritika ka folur mjaft.

Unë: Çfarë nxitje patët që morët këtë vepër?

Piro Mani: Më ke parë që rri shpesh me Agimin. Pimë kafe, ndezim nga një cigare dhe diskutojmë, mes të tjerash, edhe për planet tona krijuese. Kështu rrinim edhe atëherë para shfaqjes. Në atë kohë, ngado në vendin tonë kishte shpërthyer një lëvizje e fuqishme për emancipimin e mëtejshëm të gruas e kundër zakoneve prapanike. Ky mesazh do të bëhej një program i madh pune për tërë krijuesit tanë. Pikërisht “Cuca e maleve”, kjo baladë heroike për femrën shqiptare, mendonim se ishte një vepër e denjë që lindi nga ngjarjet dhe heroizmat e kohës. Drama nuk na frymëzoi vetëm ne, por tërë kolektivin krijues të teatrit. Lindi debat, zgjoi emocione, nxiti imagjinatën e kolektivit. S’ka vlerë frymëzimi i regjisë pa frymëzimin e kolektivit krijues. Por, ky ishte vetëm fillimi.

Unë: Sigurisht, është e domosdoshme që nëpërmjet këtij frymëzimi, nëpërmjet imagjinatës, kolektivi krijues, por veçanërisht regjia dhe skenografia duhet të thoshte fjalën e saj. Pra, duhej gjetur çelësi që mesazhi i dramës, jo vetëm të vinte i qartë te shikuesit, por ai duhet të mbante dhe vulën e individualitetit tuaj krijues. Duhej kërkuar ajo që në gjuhën teatrale është quajtur “gjetje” regjisoriale. Cila është, pra, kjo gjetje dhe si lindi ajo?

Piro Mani: Që në leximin e parë të veprës pata dhe emocionet e para. Ndonëse ngjarjet e dramës zhvillohen në vitet e para pas çlirimit, m’u kujtuan shumë skena dhe tregime që kisha dëgjuar apo m’i kishin treguar për ato ditë të shkurtit 1967. Filluan të lidhen me vizionin tim të brendshëm vala e emocioneve të jetës me ato të veprës. E që nga ky çast lindën momente të veçanta skenash, detaje të ndryshme, copëza mizanskenash, karaktere, stili i shfaqjes së ardhshme. Ato në fillim nuk kishin rrjedhën logjike midis tyre, por do të vinte çasti që këto hallka të lidheshin në një ide të vetme. Që në leximin e parë ndjeva fillimin dhe fundin e shfaqjes, copëza ndriçimi, efekte zhurmash.

Unë: Në një fazë të tillë, siç dihet, një rol vendimtar luan imagjinata, apo jo?

Piro: Dakort, por veç duhet patur parasysh një gjë: Kjo imagjinatë duhet të ketë një bazë reale, të jetë e mbështetur me këmbë në tokë. Për regjisorin kjo “tokë” është vepra e autorit, është jeta. Imagjinatë apo krijime gjoja fantastike, që nuk lidhen me veprën e autorit, rrjedhimisht me idenë e saj, nuk vlejnë.

Unë: Të kthehemi tek “Cuca e maleve”. Pa dyshim, gjetja juaj është mjaft interesante. Ajo, sipas meje, buron edhe nga fjalët që hetuesi u thotë armiqve: “Nuk ishin zakonet por gërma “A”. Ajo ishte thjesht një gërmë, por ju u tronditët së tepërmi se e parashikonit se do t’ju sillte telashe e ngatëresa të mëdha… Ajo shenjë nuk mbeti më gërmë për ju. Ajo u bë thikë, ajo u bë heshtë që shponte sytë tuaj ndaj ju deshët të dilnit përballë heshtës me bajonetë vetëm e vetëm për të penguar përparimin e vendit… Prandaj, deshët t’a fshinit nga mendja e njerëzve germën “A”, prandaj u bë e tmerrshme Cuca me gërmën “A”.

Piro: Kishim dëshirë që mendimi që sintetizohet në këtë frazë, të mishërohej edhe në skenë.

Unë: Ja si shkruan Ismail Kadare në ato vite, për shfaqjen dhe gjetjen tuaj:” Një dërrasë e zezë ku janë shkruar gërmat a, b, c, na kujton të gjithëve ato dërrasa të zeza të zakonshme, ku kemi mësuar të shkruajmë për herë të parë me shkumës në fëmininë tonë. Kur dërrasa lëviz para nesh dalin malet, një katërkëndësh që duket sikur është prerë drejt nga peisazhi i ashpër i veriut. Në këtë katërkëndësh vërtiten njerëzit e maleve tona, përplasen klasat kundërshtare, buçet zëmërimi i shurdhët, gjëmojnë këmbanat, zvariten shpifjet dhe thashethemet, burra të inatosur me gërshërë në duar duan t’u presin flokët vajzave, një sfinks ngrihet përpara fatit të njerëzve “Kanuni i lashtë”; gjëmojnë daullet e gëzimit, fjala e Partisë përleshet me fjalën e armikut e të injorancës. Fishkëllen plumbi i vetmuar i vrasësit që kujton se më në fund e vrau Cucën”

Piro: Pikërisht këtë imazh deshëm dhe me sa duket, arritëm edhe ne.

Unë: Kush ne?

Piro: Unë edhe Agimi, bashkëautori dhe bashkëpunëtori im edhe në shumë vepra të tjera.

Unë: Është rastësi kjo apo diçka tjetër?

Piro: Sigurisht që jo. Me Agimin, siç thotë populli, na “puqet ylli”, na puqet shija, temperamenti. E kjo është e domosdoshme në artin skenik ku bashkëveprojnë një seri autorësh. Pa një unitet ideoestetik midis regjisë e skenografisë, nuk mund të pretendosh për gjetje regjisoriale. Shumë ide mund të lindin në kokën tënde si regjisor, baza e të cilave mund të jetë një vepër dramaturgjike, mund të jetë i mbushur plot vizioni yt i brendshëm me karaktere, copëza mizanskenash, ndriçim, zhurmë e plot detaje, dhe përsëri si regjisor të mos jesh në gjendje të mishërosh idenë nëpërmjet gjetjes regjisoriale. Kjo sepse ideja, e së bashku me të dhe gjetja, kërkojnë një hapësirë skenike. Sandër Prosi thoshte se skena për aktorin (fjala është jo për planshetin skenik) është si stadiumi për futbollistin; pa këtë stadium me dy porta me dimensione të caktuara, me rregullat dhe ndarjet e caktuara, ai nuk do të mund të tregonte mjeshtërinë e vet. Kështu që del se është e domosdoshme që dhe skenografia të ketë po atë ngopje për veprën që ka edhe regjia.

Unë: Kujt i lindi së pari ideja për gjetjen?

Piro: Nuk mund të them se më lindi mua, por me siguri po të pyesësh edhe Agimin të njëjtën përgjigje do të marrësh. E theksova më lart, krijimi i një shfaqje është bashkëpunim, është pjellë e një sërë artesh, artit të aktorit, të skenografit, kompozitorit, ndriçuesit, etj. Gjetja regjisoriale është rezultat i bashkëpunimit, bisedave, i shumë skicave, i shumë netëve pa gjumë, i shumë debateve midis regjisë dhe skenografisë. Ajo asnjëherë nuk është krijim i njërit apo tjetrit, por mund të themi se të dy frymëzojnë njëri tjetrin.

Unë: Pra, nëqoftëse Agimi, si skenograf do të qëndronte vetëm në atë që cilëson autori,pra, po të bënte të qartë vetëm vendin e veprimit si oborri i kishës, shtëpia e Cucës, shtëpia e Zefit, etj., ende nuk mund të flisnim për një krijim skenografik. Edhe te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Agimi “hap” një gropë në skenë që shërben edhe si kalim për në katin e poshtëm të shtëpisë së gjeneralit, por në të njëjtën kohë, ajo do të shërbejë edhe si një varr ku ju si regjisor, nëpërmjet mizanskenës, do ta fusni gjeneralin bashkë me “ushtarin” e tij të kthyer tashmë në thes celofani!

Piro: Veç duhet bërë kujdes që gjetja të mos tingëllojë si një kornizë, si një fillim dhe fund shfaqje, apo fillim dhe fund tabloje. Ajo patjetër duhet të jetë emocionante, e thellë, konkrete, se duke qenë e tillë do të gjejë shprehjen e vet edhe në elementë të tjerë të formës që ka në dispozicion regjia si mizanskena, zhurma, ndriçimi, muzika etj.

Unë: Mua më duket se keni shfrytëzuar mjaft mizanskenën. Do të kujtoja rastet kur Dom Marku nxit veglat e tij të bëjnë vrasjen dhe kryqi në dorën e tij, ai kryq aq i “përvuajtur” deri atëherë, befas, nga një shtrirje energjike e dorës përpara duket një “thikë” që godet në terr. Skenën kur Cuca u mëson grave të fshatit gërmat e para dhe që ndërtohet nga ana mizanskenale si një bllok, skenën lirike poshtë pemës së lulëzuar ku Cuca shpreh ato ndjenja të freskëta, por të përmbajtura për shokun e vet, etj. Me një fjalë, kjo poemë regjisoriale është plot me detaje të tilla, ajo është një jetë e tërë.

Piro: Do të kapem pas fjalës që përmende në fund. Pa njohur jetën, pa ditur ta vëzhgosh atë nuk mund të krijosh. A është e mjaftueshme? Do të ishte gabim të mos kërkosh edhe rrugë të tjera, edhe mjete të ndryshme për të njohur botën e veprës. Regjisori duhet të njoh gjithëçka që ka të bëjë me atmosferën, rrethanat në të cilat zhvillohet vepra. Por, në të njëjtën kohë, edhe gjithçka tjetër që ka shkruar autori. Ky moment ka rëndësi të veçantë për krijimtarinë regjisoriale. Individualiteti i një autori ndikon në individualitetin e një regjisori dhe ai, si rezultat, në individualitetin e një teatri.

Unë: Me që ra fjala, ç’është talenti regjisorial?

Piro: Regjisor i talentuar është ai artist i cili jo vetëm bën të qartë mesazhin filozofik të autorit, po edhe qëndrimin e tij ideoemocional duke harmonizuar në një tërësi artistike gjithë komponentët që marrin pjesë në artin e skenës. Gjetja regjisoriale që është figura artistike e shfaqjes, bërthama, fara e shfaqjes nga e cila përcaktohet edhe temporitmi, veprimi përshkues, vijueshmëria dhe perspektiva e tërë figurative, ka një rëndësi të dorës së parë në individualitetin krijues të regjisorit.