Konferenca i e përbashkët shkencore, nisma ndërqeveritare për ballkanin perëndimor

514
Pas konferencës ndërqeveritare për Ballkanin Perëndimor, e zhvilluar më 28 gusht 2014 në Berlin, Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave “Leopoldina”, në marrëveshje me Qeverinë Federale Gjermane, mori drejtimin e nismës në fushën prioritare të çështjeve akademike dhe shoqërore duke organizuar Konferencën e parë të përbashkët shkencore më 15-17 korrik 2015 në qytetet Halle dhe Berlin të Gjermanisë. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të akademive kombëtare dhe konferencave të rektorëve dhe studiues të njohur, me ftesë personale nga Leopoldina dhe fondacioni “Alexander von Humboldt”. Pjesëmarrësit qenë nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova , Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia, si edhe nga Austria, Italia dhe Gjermania. Të pranishëm si vëzhgues ishin edhe përfaqësuesit diplomatikë në Gjermani, përfaqësues të Qeverisë Federale Gjermane dhe të Komisionit të Bashkimit Evropian.
Gjendja e tanishme: Sfidat përpara të ardhmes evropiane të sistemeve shkencore të Ballkanit 
Perëndimor
Ne, pjesëmarrësit në konferencë, kemi identifikuar çështje kyçe, që kanë nevojë imediate për vëmendje dhe reforma. Në Ballkanin Perëndimor ka një pamjaftueshmëri kronike të fondeve publike dhe private për shkencën dhe kërkimin shkencor (niveli i tanishëm i buxhetit është ndjeshëm më poshtë se objektivi i BE-së, sipas të cilit duhet të zërë 3% të PBB-së). Saktësia në planifikim pengohet nga fokusi afatshkurtër dhe qasjet e shpërndarjes së financimeve. Studiuesit e rinj e kanë të vështirë të futen në sistem. Emigrimi në masë (sidomos largimi i trurit) është një nga rreziqet më të mëdha për zhvillimin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor. Nuk ekzistojnë lidhje të mjaftueshme midis burimeve ekzistuese, infrastrukturave, projekteve dhe njerëzve në sistemet shkencore. Dijet nuk shkëmbehen dhe nuk përhapen në mënyrë sistematike. Kjo çon në një shkallë të lartë izolimi/orientimi drejt vetes të sistemeve shkencore kombëtare. Shkenca dhe rezultatet e saj rrallë përfshihen në vendimmarrje dhe në krijimin e opinionit. Dijet e fituara nga studiuesit shkojnë dëm duke qenë se nuk përdoren në interes të politikës dhe shoqërisë.
Qëndrueshmëri në financim dhe standarde të unifikuara për cilësinë
Nevojiten fonde adekuate për të mbështetur arsimin, studimin dhe novacionin në Ballkanin Perëndimor. Ne mbështesim fuqimisht objektivin e caktimit të 3% të PBB-së kombëtare, për arsimin e lartë dhe shkencën. Saktësia në planifikim dhe financimi i qëndrueshëm janë kushte për zhvillimin strategjik të sistemeve shkencore: jo vetëm planifikim afatshkurtër, por edhe qasje afatmesme dhe afatgjata, jo vetëm shpërndarje, por edhe konkurrencë. Për të siguruar një vlerësim të saktë të ecurisë, duhen vendosur standarde të unifikuara për cilësinë—brenda Ballkanit Perëndimor dhe në mbështetje të standardeve të BE-së.
Shkencëtarët e rinj dhe largimi i trurit / kthimi i trurit
Shkencëtarët e rinj janë element kyç i shkencës. Atyre u duhet një perspektivë e besueshme në vendet e 
tyre, duke filluar menjëherë pas diplomimit, për t’ua bërë tërheqës qëndrimin dhe angazhimin në sistemet 
shkencore, për të kontribuar kështu në përparimin e vendit të tyre dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor në tërësi. Kërkimi shkencor lipset të vlerësohet për vlerën thelbësore që ka për shoqërinë. Shkencëtarët që punojnë jashtë shtetit (diaspora akademike e Ballkanit Perëndimor) është mirë të nxitet të kthehet nëpërmjet projekteve ndërkufitare dhe nismave për kthimin e trurit, duke krijuar një kulturë mirëpritëse për shkencëtarët e kthyer. Rekomandohet krijimi i regjistrave depozitues për diasporën akademike (për shembull, në bazë të CORDIS).
KKSHEJ / FKSHEJ dhe individët e shkëlqyer si agjentë të ndryshimit
Shkencëtarët e shkëlqyer kanë aftësinë të funksionojnë si agjentë të ndryshimit. Me prioritetin më të lartë 
është mbështetja e punës kërkimore të tyre me fond me destinacion të përcaktuar. Rekomandojmë fuqimisht krijimin në kohën e duhur të një këshilli për kërkimin shkencor të Evropës Juglindore (KKSHEJ) (në konsorcium të përbashkët me Këshillin Evropian për Kërkimin Shkencor dhe institucionet që japin fonde për kërkimin shkencor në vendet e Ballkanit Perëndimor) ose të një fondacioni për kërkimin shkencor të Evropës Juglindore (FKSHEJ), ku në secilin rast theksi do t’i vihej financimit të individëve në bazë të meritave. Për këtë kërkohen kritere transparente përzgjedhjeje, të orientuara vetëm nga procedura për vlerësimin dhe rezultatet akademike në përputhje me standardet ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e vlerësuesve të huaj.
Potenciali shkencor i bashkuar në qendra rajonale të përqendrimit të njohurive
Potenciali shumë i madh shkencor i vendeve të Ballkanit Perëndimor është mirë që, sidomos në kohëra të kufizimeve buxhetore dhe paqëndrueshmërisë politike, të grumbullohet në rrjete të qendrave të përqendrimit të njohurive (deri në pesë). Është mirë që qendra të tilla ndërdisiplinore të qëndrojnë mbi nivelin kombëtar dhe të kenë tri detyra madhore: Kërkim shkencor bazë dhe të aplikuar të fjalës së fundit,
(ii) formim doktorature dhe post-doktorature që është konkurrues në arenën ndërkombëtare dhe
(iii) transferim të rezultateve të kërkimit shkencor. Kjo do t’i rrisë mundësitë e përfitimit nga fondet e BE-së. 
Sigal