Xhahid Bushati/ Mall për buzëqeshjen e Drago Siliqit, shkrimtarit dhe publicistit të shquar

785
Sigal

 Vdiq 50 vjet më parë pas rrëzimit të avionit të linjës Pekin-Tiranë

 Kam shumë vite (ende edhe sot vazhdon ky ritual) që hapat e mi kalojnë disa herë në ditë asaj rruge afër radio Shkodrës, dhe ‘përshëndesin’ një mur…, zanafilla e të cilit lidhet me fëmijërinë time. Sot, ai mur, e ka humbur identitetin e tij, por jo heshtjen… Dikur, në ballë të tij, ishte një pllakë, të cilën e respektoja duke e lexuar disa herë, shumë herë… Në të ishte gdhendur emri i avokatit dhe poetit Risto Siliqit, të familjes Siliqi me kontribute të vyera patriotike e intelektuale, ndershmërie  e qytetarie në shërbim të Atdheut. Tani, edhe kjo pllakë, nuk ekziston më… Era e ftohtë dimrit e largoi].., por nuk mundi të largojë kujtimet dhe historinë e kësaj pallake që, edhe pse nuk ekziston, unë ndalem dhe shoh e ndiej ndriçimin dhe shkëlqimin e saj…

M’u kujtua ky çast, teksa mbi tavolinën time të punës, kam tre libra për fëmijë (me poezi) të Drago Siliqit: “Zgjimi i pranverës”, “Poezi të zgjedhura për fëmijë” e “Çdo ditë agimet zbardhëllojnë”. Janë tre libra, në të cilat është përmbledhur krijimtaria poetike për fëmijë e të shquarit Drago. Se Dragoja, krahas vlerave si shkrimtar, si kritik, si publicist; është dhe autor që la gjurmë edhe në letërsinë për fëmijë e të rinj. Me këtë letërsi u mor gjithë jetën, ndonëse kaloi një fëmijëri të hidhur. E dashuroi dhe nuk e largoi nga zemra. Shkroi që kur ishte fëmijë në gazetën “Pionierit”, u bë Kryeredaktor i saj në vitet 1946–1951, dhe botoi librat që përmendëm më sipër, ku vezullojnë metaforat e pranverës dhe zbardhëllimet e agimeve… Jo çdo kush, aq më shumë në letërsinë për fëmijë e të rinj, mund të jetë mik çdoditshëm që zgjohet me pranverën dhe dritën e agimeve… Ky ishte lajtmotivi i poezive të Dragos, që krahas momenteve të fiksuara të motiveve, gëlojnë e udhëtojnë përjetësisht hapësirave poetike këshillat prej prindi e shkrimtari, zëri guximtar e protestues ndaj padrejtësive dhe veseve të këqija, universaliteti i dashurisë në mbrojtje të fëmijëve anë e kënd globit. Dhe kjo është arsyeja që, me ardhjen e agimit të çdo dite vjen dhe Ai, që me ardhjen e Pranverës vjen dhe Ai… si përherë i ditur dhe i buzëqeshur… Ja, pse malli e dituria jote, Drago, fryn si një puhizë erëkëndshme që çdokush ka etje për të…

Duke iu rikthyer letërsisë për fëmijë e të rinj, e në veçanti krijimtarisë së Drago Siliqit, nuk mund të rri pa shënuar, si të qe krijuesi i parë i kësaj letërsie si autor i poemës “Brigadierja”. Se në përmbledhjet tuaja poetike, ti je i pari që trajton si temë të re e të parrahur në letërsinë për fëmijë e të rinj: vuajtjet e tmerrshme që pësojnë fëmijët, qoftë nga shfrytëzimi egërshan jonjerëzor, qoftë nga lufta. Se ti je i pari që solle në letërsinë tonë për fëmijë e të rinj edhe tregimin në vargje, përrallën në vargje, poemën e shkurtër.

Nuk e di pse më ngjan, që lexuesit e vegjël, (tashmë ata janë bërë prindër) ende i mban shpresa se mos… avioni yt do të vijë… Krahas me buzëqeshjen, na sjellë edhe dhurata magjike, si këto: Të fitoni dashurinë e prindërve, të jenë shembullorë në mësime e në sjellje, të nderoni më të mëdhenjtë, të ndihmoni të moshuarit, të mos e kaloni kohën kot, ajo ikën e nuk vjen më, ajo është një gur i çmuar…

Dhe në vazhdën e këtyre dhuratave magjike, ne ndiejmë vazhdimisht porosinë tënde të vlefshme: “Me punë e me dije, me vullnet e dashuri, çdo ëndërr bëhet jetë te ne”. Kështu miku im, Drago, unë shoh se si zgjohen pranverat dhe se si agimet zbardhëllojnë… Mjafton të kujtoj, një nga poezitë kushtuar librit, për të thënë se nuk është shkrimtari Drago që flet, për është Urtësia Drago që flet:

 “Te ti gjithçka shoh pasqyrue

 Ç’ka ngja në botë dhe çfarë ngjet.

 Nga fleta jote ka burue

 Një dritë e madhe mija vjet.

 Pranë të mbaj dhe të lexoj

 Përgjithmonë me gëzim.

 Dhe kurrë prej dore s’të lëshoj;

Ti je ma i miri shoku im”.

…Ende na mban shpresa… Por qenka avioni i mallit dhe i dashurisë për ty Drago që vjen përherë!..

për më tepër lexoni Gazetën Telegraf