Kristaq BALLI*/ Që muzeu i ri i artit mesjetar të mos dështojë

657
Ndërtimi i një institucioni të ri artistik, sigurisht që është një ngjarje e shënuar kulturore përtëritëse në jetën dhe zhvillimin urban e social të një qyteti e komuniteti, ashtu si edhe një faqe e re në mbrojtjen e afirmimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare materiale e shpirtërore edhe në funksion të progresit teknik e teknologjik kontemporan të ruajtjes, manipulimit e restaurimit të tyre edhe nën këndvështrimin e arritjeve dhe zhvillimeve intensive të këtyre proceseve ndërkombëtarisht krahasuese e impenjative.
Kjo ka qenë ideja edhe për projektimin e ndërtimin e muzeut të ri të Artit Mesjetar në Korçë, ndërtimi dhe realizimi i të cilit tashmë ndodhet në një fazë delikate e shumë të diskutueshme për shumë arsye të proceseve projektuese e zbatuese, të cilat për arsye nga më të ndryshmet objektive e subjektive, kështu siç po vijojnë, ka rrezik që të përfundojnë me një muze të cunguar e aspak adekuat me pasurinë e çmuar ikonografike dhe të gjinive të tjera pasbizantine që fondi ekzistues i muzeut aktual posedon në një godinë të improvizuar e që ka influencuar teknologjikisht jo i suksesshëm në proceset e ruajtjes, kontrollit e përpunimit të tyre, edhe pse punonjësit, një ekip i stabilizuar e plot ekperiencë profesionale, është përpjekur që t’i paraprijë e t’i minimizojë nëpërmjet ndërhyrjeve dhe punës konservuese e restauruese ndaj tyre. Kjo është një prej arsyeve pse muzeu i ri duhet të realizohet duke mbajtur nga të gjitha pikpamjet vulën e dekadës së dytë të shek. XXI, pra të plotësojë të gjitha normat arkitektonike, teknike-teknologjike, parametrat mikroekologjike e mikroklimaterikë, ekspozues e estetikë në përputhje me ato që sugjerojnë organizata ndërkombëtare të trashëgimisë botërore si UNESCO, ICOM, ICROM, etj
.
Pavarësisht se e kujt ka qenë idea dhe iniciativa e ngritjes së tij, ajo duhet përshëndetur e mirënjohur nga githë opinioni. Por vetë odiseja e gjatë (prej më se 10 vitesh që kur ka filluar zbatimi) e materializimit të saj në fazat projektuese e ndërtuese kanë nxjerrë në dukje shumë inkoherenca, të meta e gabime ligjore, projektuese e zbatuese (edhe këto herë objektive e herë subjektive), sidomos vitin e kaluar gjatë një riprojektimi të ngutur e rrjedhimisht të gabuar e dilentatesk që iu bë kësaj vepre artistike-kulturore me rëndësi të posaçme kombëtare të trashëgimisë mesjetare, gabime që po materializohen gjatë fazës së realizimit të saj në një muze, të cilit, nqs nuk do t’i bëhen korrigjimet dhe plotësimet e domosdoshme kryesisht spaciale e teknologjike, do të rezultojë në një pseudoinstitucion mediokër e të papërshtatshëm për destinacionin që mbart. Nën këndvështrimin profesional e shkencor, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar për nga funksioni dhe veprimtaria e tij nuk është vetëm një ekspozitë vizive, por një institucion unikal, origjinal e specifik i pangjashëm me asnjë muze tjetër në rajon, i cili fumksionon si një kompleks unik teknologjik multifunksional, ai ka një “linjë teknologjike” me parametra e programe të bashkërenduara linearisht fizike, kimike, entomologjike, konservuese e kontrolluese, sipërfaqësore e volumore, pra është si një zinxhir, këputja e një hallke të të cilit prish të gjithë skemën funksionale teknologjike. E theksoj këtë për të paraqitur disa fakte që kanë çuar në dhjetra gabime e mosrespektime të projektimit dhe zbatimit të tij të deritanishëm, por që ka akoma mundësi e kohë që të korigjohen duke angazhuar në këto përmirësime të domosdoshme specialistët dhe profesionistë teknologë e muzeologë, të cilët nuk mungojnë midis nesh dhe që duhen aktivizuar sa nuk është ende vonë:
1.Projekti fillestar dhe sidomos riprojektimi i vitit të kaluar është kryer në kundërshtim me ligjet dhe aktet normative të projektimit të institucioneve kulturore e artistike. Nuk ka detyrë projektimi dhe projekt-ide të institucionit porositës.
2.Në grupin e projektimit nuk ka pasur asnjë “teknolog” apo specialist muzeolog që të ishte përgjegjës për linjën dhe procesin teknologjik. Për këtë arsye nuk është respektuar asnjë nga dhjetra aspektet teknologjike, të cilat, kështu siç janë projektuar do të ndikojnë në degradimin e objekteve ikonografike.
3. Nuk është kryer diskutimi, oponenca dhe miratimi i projektit.
4. Ka patur neglizhencë, mospërfillje, paaftësi, mefshtësi nga të gjithë drejtuesit institucionalë që kanë detyrime ndaj këtij projekti madhor.
5.Nuk ka patur transparencë (jo për shpenzimet) që të lejohen punonjësit e muzeut të shohin projektet dhe zbatimin e tyre në praktikë.
6. Nuk ka supervisor “teknologjik”, çka do t’i kushtojë muzeut një çmim të parikuperueshëm funksional. 
Lidhur me këto shqetësime, që përbëjnë shkelje flagrante të ligjit mbi projektimin e ndërtimin e institucioneve social-kulturore, unë kam njoftuar me një letër në dt. 8 Tetor 2014 Zv/kryeministrin, Ministren e Kulturës dhe Kryetarin e Bashkisë Korçë. Gjithashtu me iniciativën time unë kam shkuar në studion projektuese, ku kam diskutuar gjatë me profesionalizëm opcionet teknologjike, për të cilat edhe projektuesit ishin dakord dhe shfaqën dilemën dhe drojen e mungesës së “teknologut” në grupin e projektimit dhe marrjen përsipër prej tyre të aspektit teknologjik (të gabuar, apo të imituar). Meqë nuk kam marrë asnjë reagim prej tyre, jam i detyruar vetëm nga motive profesionale, qytetare e 33 viteve të mia përvoje në këtë muze të vazhdoj përpjekjet për të influencuar pozitivisht e parreshtur në plotësimin dhe korrigjimin e shumë mangësive e devijimeve antimuzeore të këtij institucioni që mund të “nderojë apo të turpërojë” ata që kanë ndërmarrë këtë investim përballë publikut, përballë institucioneve të huaja homologe dhe kryesisht ndaj sigurisë së plotë që ky muze do t’iu sigurojë, apo jo 6.000 ikonave e mijra objekteve të tjera të një arti me të cilin Shqipëria është kompetitive me çdo vend të ish Perandorisë Bizantine.
Meqënëse kemi akoma mundësi dhe kohë, pa përmendur hollësisht dhjetra gabime “teknologjike” që duhen korrigjuar sa nuk ka përfunduar ndërtimi i plotë (përveç ekspozitës, e cila mendoj se është raciaonale), unë paraqes këto propozime dhe ide për të normalizuar dhe kthyer muzeun e ri në funksion të plotë të një institucioni bashkëkohor, teknologjik e shkencor:
1. Të ngrihet një komision me specialistë dhe artistë të artit mesjetar nga muzeu ynë dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës për të vlerësuar edhe një herë inventarin e objekteve të fondit dhe të çlironjë atë nga qindra objekte që nuk përbëjnë vepra të mirëfillta arti, por vetëm utilitare, të cilat, në fakt, influencojnë negativisht edhe në “shëndetin” e objekteve të tjera dhe t’ia u kalojë ato për përdorim institucioneve fetare. Do të ulej kështu numuri i objekteve të tepërta në funksion të sipërfaqeve dhe volumeve magazinuese e konservuese.
2. Sipërfaqja ndërtimore e katit nëntokësor dhe atij të katit të parë duhet patjetër të shtohet me rreth 250 m2 ose volum ndërtimor 1500m3 nga ana Juglindore për të siguruar sipërfaqet dhe volume nominale e brenda normave të magazinimit konservues teknologjik e adekuat për ikonat, si dhe riorganizimin e katit të parë ku sipërfaqet e laboratorëve, zyrave, bibliotekës, mjediseve të tjera metodike, biblioteka, hollit, magazinave, dyqan suveniresh, aula konferencash e aktivitetesh edukative, mjedise të mjaftueshme hidrosanitare, ashensorë, impiante të kondicionimit, kontrollit elektronik, e shumë aranzhime të tjera planimetrike të plotësojnë optimalisht funksionimin normal për vizitorët por sidomos funksionimin teknologjik të muzeut, si dhe domosdoshmërisht perspektivës së tij.
3. Urgjentisht të inkuadrohet në grupin e ndryshimeve të projektit teknologjik të katit nëntokësor dhe katit të parë një apo dy teknologë muzeologë, pa pjesëmarrjen e të cilëve nuk mund të ketë projekt e zbatim të suksesshëm.
4. Nga llogaritjet paraprake, kjo shtesë do të kërkonte rreth 200.000 USD.
5. Të inkuadrohet në zbatimin e projektit “teknologjik” supervizori.
6. Ideja e ”hedhur” së fundmi se, çdokush duke qenë i bindur që muzeu me projektin e tanishëm është i pamjaftueshëm si hapësirë e sipërfaqe e zhvillim teknologjik, premton një ndërtesë tjetër të mëvonshme, është, iluzion sajesë, alibi justifikuese e papranueshme, jofunksionale, jo racionale, e palidhur me ndërtesën “mëmë” dhe shumë më e kushtueshme se sa varianti që ne mund të na kushtojë sot.
Pra, le ta vlerësojmë me koshiencë, profesionalizëm, gjakftohtësi dhe urtësi shansin që kemi në dorë për të patur apo jo sukses. Më mirë të reflektojmë dhe le të “vonohemi” pak, por të ndërtojmë një muze bashkëkohor, një panteon të denjë për artin që do të strehojë brenda, se sa të nxitojmë e të abuzojmë irracionalisht me një karikaturë të shëmtuar të muzeut ekzistues. Çdo hap i gabuar do të rëndojë mbi përgjegjësimë dhe ndërgjegjen profesionale, qytetare e morale e realizuesve të tij.
*Autori i shkrimit është përgjegjës i Laboratorëve të Konservimit, teknolog, muzeolog, studiues prej 33 vitesh, autor librash e dhjetra artikujsh për Muzeun Mesjetar dhe artin pasbizantin, zv.kryetar i Shoqatës së Restauruesve Shqiptarë dhe shpreh gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha problemet e mësipërme të karakterit të patolerueshëm e deçiziv funksonal, planimetrik e teknologjik.
Sigal