Kemi bajram edhe pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë…

854
Sigal

“Muaji i letërsisë dhe arteve” sjell në në aktivitet myslimanë e të krishterë

Kemi bajram edhe pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë…

Agron MEMA

Finiq: Në kuadër të “Muajit dhe Letërsisë” dhe arteve, bashkia minoritare e Finiqit dhe shkolla nëntëvjeçare në Finiq, nën kujdesin e mësueses Rajmonda Rizallaraj ka organizuar një takim recital. Kanë marrë pjesë edhe kryebashkiaku Kristaq Kiço, i cili ka respektuar ceremoninë duke përshëndetur në gjuhën shqipe, po sikundër e ftuar ka qenë edhe shkolla e Vergoit. Janë mesazhe domethënëse këto, si të përshëndetjes, ashtu dhe të pjesëmarrjes. Shkolla e Finiqit ka në përbërjen e saj nxënës të besimit ortodoks gati 99% , ndërsa e Vergoit 99% myslimane. Pra, ata që politika i përçan, arti i bashkon, sepse popujt që marrin e japin me njëri-tjetrin dhe që shpesh i bashkon i njëjti fat në momente historike nën pushtetin e artit janë kurdoherë bashkë në harmoni. Është promovuar poezia e nxënësve, tashmë e botuar në 6 numra antologjie me kontributin e mësueses Rajmonda si dhe shtëpisë botuese “MILOSAO”. Një koncert i bukur nga të dyja shkollat pa ngjyrime, por me nota vëllazërie. U shpërndanë certifikata, ku gazetës “Telegraf” i ra pjesa të jepte certifikatën e “Lexuesit më të mirë”, e përzgjedhur nga mësuese Rajmonda dhe certifikata u dha nga gazetari Agron Mema. Grigor Naçi, drejtori i shkollës Finiq ka qenë tepër modest në këtë aktivitet, ashtu si dhe në hershmëri. Mësuesja Rajmonda Rizallaraj tha për gazetën “Telegraf” se: “Jam rritur në një vend që libri ishte dhe është gjithçka, vlera dhe gjëja e çmuar. Por sot, duke parë nga këndvështrimi i një mësueseje kur adoleshentët e sotshëm janë shumë të prirur ndaj kotësive dhe jo ndaj librit, dhe për këtë përjetojnë konfuzion, kam mundësuar një ballafaqim me përvojën dhe traditën, duke i parë me justifikim sjelljet e tyre si prirje të përkohshme apo të stimuluara. Arti dhe kultura u heq së paku prirjet që kjo moshë tregon se ka më shumë të interes, sidomos ndaj seksit, kur ndërkohë pikërisht në këtë drejtim nuk kanë asnjë informacion të saktë e të përshtatshëm për moshën e adoleshentëve. Mungon një edukim të ndërtuar në baza didaktike, profesionale dhe të specializuar kur ekziston vetëm përvoja thjesht pamore që nxënësit marrin nga interneti. Siç e dimë ka shumë faktorë që sjellin vështirësi në edukimin e kësaj moshe, sidomos në fshat, ndaj jam aktivizuar tek kultura që këta adoleshentë të dinë me se të merren e nesër mos të ndihen fajtor. Për këtë u bëj thirrje edhe kolegëve që punojnë me këto mosha, të kenë një strategji në psikologjinë e zbatuar të mësimdhënies. Ky aktivitet dhe të tjerë në vazhdim do të kenë si moto: Parimet bazë të kushtëzimit që rezultatet të jenë efikase, sepse nxënësi i përket atributeve të gjera dhe solid, ndaj duhet të zgjosh tek ta motivimin dhe stilin kognitiv. Të sigurojmë sa më shumë dije, kompetenca e për rrjedhim edhe siguri tek brezi i të ardhmes sonë”