Një mesazh i patharë për zyrtarët në Vlorë dhe Tiranë…

873
Sigal

Gjurmët nuk kërkohen në ujë. Dhe s’është thjesht aforizëm diturie e mencurie. Se llafet shpesh i merr era. Por e shkruara mbetet. E kur ka dalë nga zemra, ajo nuk përthahet kollaj në kujtesën e lexuesve. Kështu ndodh edhe me Agim Jazon e pathyeshëm përballë ca ziliqarëve dembelhanë e smirëzinjve llafazanë. Sepse ai nuk hesht. As dje, as sot e as nesër. Unë e njoh mirë. Mjaft shkrime nuk i qep asnjëherë me penj të kalbur. Nëpër dekada opozitar i ndershëm, pa u kulpëritur e pa u jargavitur. Prandaj gjurmët e tij ruhen ende edhe pranë piedestalit të përjetshëm, pranë Monumentit të Pavarësisë ! Vite të tëra pune e shërbimi qytetar. Antiharresa, mbi të gjitha, është virtyt i njerëzve të pastër e atdhetarë të kulluar. Rrodhën 6 vjetë nga libri i tij i vecantë, libër që kuvendon sot e kësaj dite me vlonjatët brenda e jashtë Vlorës. Vetëm mendjelehtët a të marrët mund t’i kërkojnë gjurmët në ujë. Pa u zgjatur te kjo parathënie, nuk thonë kot : Lavdia dhe merita e disave është se shkruajnë mirë, e të tjerëve është se nuk shkruajnë fare. Shkurt, le të ridëgjojmë gurgullimën e sinqertë që pret ende reflektim pushtetar, gurgullimën shpirtërore që as shitet, as blihet…Vetëm për njerëzit që nuk dinë të prodhojnë asgjë, nuk ekziston asgjë. Këtë postulat të një mëndjeje të ndritur e penëhollë, e kemi kujtuar jo rrallë kur bie fjala për ata që nuk shtyjnë ditën vetëm rreth filxhanit të kafesë apo gogësijnë e marrin nëpër gojë cilindo që përpiqet të bëjë diçka të mirë për vendlindjen e më tej. Madje ndonjë sojsëz, i mbetur në verbëri brënda kapsllëkut të vet qytetar e publicistik, tund çelësat e vulat zyrtare të shtetit rreth fondeve të ndryshme “kulturore” dhe tregohet hovardar për koncertet partiake elektorale që vijnë e shkojnë si lumë mbi kurrizin e taksapaguesve të varfër. Pa harruar tubimet populiste me daulle që u vënë drynin shkollave, dyerve të administratës, kasafortave me dosjet plot halle e probleme të qytetarëve që presin zgjidhje etj.Pra, rroftë e qoftë kapitali politik që siguron kolltuqe e ofiqe të dhuruara nga liderë-kalanderët ! Përshembull, në ekonominë shqiptare të tregut pa rregulla dhe me plot ethe paraje të pastra e të pista, veç të tjerave, mjaft pasanikë mjerisht e mbajnë librin si vrimën e fundit të kavallit të babëzitur.

Në qyetin e Vlorës jeton e punon edhe Agim Jazo (Dushkaraku), një emër jo i panjohur në faqet e shtypit lokal e qendror, në monizëm e në pluralizëm. Brënda, por edhe jashtë Shqipërisë në emigracion. Kishte kohë që vriste mëndjen e shtronte penën për një kontribut modest në 100 vjetorin e Pavarësisë. Dy muaj më parë, më shoferin e një furgoni taksi, më dërgoi librin e sapobotuar “Bij të Vlorës”. Në mes të ballinës: Porterti i Ismail Qemalit me flamurin kuqezi. Ndërsa brënda më kish futur një letër të shkruar si nxitimthi me dorë, thjesht e me humor. Po shkëpus vetëm 4 vargje:

“Tek një i pasur shkova

Shumë jam ofenduar

Një libër i ofrova

…S’dinte për të lexuar !”

Ethet e fitimit me çdo rrugë e mjet, shpesh po sjellin edhe verbërinë përballë njeriut, kulturës dhe qytetërimit të vërtetë. Jo më kot miku e bashkëvuajtësi im nëpër udhët helm të kurbetit ekonomik të detyruar, lëshon atë pyetjen filozofike e sarkastike: Njerëzit falsifikojnë paratë apo paratë falsifikojnë njerëzit ?!… -Dëgjo mua, ore babam, sot ka ndryshuar vetëm kostumi, të tjerat janë vetëm dokrra kafeneje e derexheje,-hyn i rrëmbushur në bisedë, Kiço Peshtanaku nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit.-Po nuk ke marrë në xhep një teserë, po nuk je bërë ndihmës a yzmeqar i thekur i ndonjë partie të madhe politike në pushtet, nuk të qasen pranë dhe as të mbështesin moralisht e aspak financiarisht. Që ta ngas llafin më shkoqur, ata që kanë vetëm partinë e shqiptarizmit të kulluar, nuk e cajnë dot detin e interesave monetare plot tramundanë . Ti nuk e di se c’ka hequr Agimi, miku ynë i përbashkët. Ku s’trokiti me gojë e me shkrim, në Prefekturë, Bashki e gjetkë ! Dhe askush nuk i dha një dorë ndihme a qysh i thoni ju në Tiranë, sponsorizim bre…Disa nuk patën “nge” as t’i kthenin përgjigje formale zyrtare, në mos minimalisht ta uronin a përshëndesnin për nismën e filluar. Shumicës së nëpunësve mehmurë të emëruar nga X parti, u ngjiret zëri teksa flasin e bërtasin “në emër të qytetarit” dhe realish tepër larg qytetarisë së vërtetë ! Ta them unë pa doreza e pa camcakëz nëpër dhëmbë, sot janë nakatosur keq vlerat dhe antivlerat, ose siç thotë Agimi, zogjtë dhe korbat, stërralli e informali:”Ka zogj që fluturojnë/Dhe vdesin duke fluturuar/Ka korba që plehërave rëmojnë/Dhe ngordhin të harruar…”. Ai mbase nuk është poet i mirfilltë, por vargjet e tij shkurtima jo rrallë të befasojnë dhe të venë në mendime të mira. Sidomos te “mikroenciklopedia” kushtuar mbi 100 bijve të Vlorës që kanë mbetur “të shënuar, jo rëndom të regjistruar” në memorien historike të kësaj treve lavdimbuluar. 4 vargje për secilin janë edhe pak,edhe shumë. Sepse nuk është kaq e lehtë të ndash grurin nga egjra, sojllinjtë nga sojsëzët. Sot na mbytën e ndotën mjedisin “Plot të palyrë/Njerëz informalë/Pa gjak në fytyrë/Pa cipë në ballë !…”. Të nderosh a të thuash qoftë edhe 2 fjalë të mira për të vdekurit e të gjallët, sidomos për ata që “shëruan e nuk lënduan” nëpër qytete e fshatra, nuk do të thotë të marrësh viston e partive politike ose dorën e pushtetit të radhës. Përndryshe, me dashje a pa dashje, ke ngritur gjerdhe me hunj të kalbur që populli i shikon me qesëndi, e pse jo me neveri e përbuzje. Agimit e të tjerëve që u përpoqën në atë 100 vjetor të kërrejnë nga mëndja, pena e xhepi i tyre libra të tillë, ua bëftë Zoti hallall ! Vlora jonë (dhe jo vetëm kjo) nuk ua kursen mirënjohjen, vetë historia mban shënime…  Duke dëgjuar e respektuar mikun tim të vjetër që jeton e punon në Jug, s’mund t’i shmangesh meditimit të natyrshëm rreth patriotizmit të vërtetë që feks fort jo sipër në qiell por në tokë, te njeriu e te cdo grusht dheu që pikon djersë, gjak e mundime të mëdha, halle e maraze,gëzime e hidhërime. Fjala vjen, Agim Jazo (Dushkarakut), për 100 vjetorin e Pavarësisë, nuk mund t’i kërkonim  të therte 1 mijë deshë dhe 1 mijë dele nga tufat e kodrave e maleve të Sevasterit, ashtu sic u përrallis për Tiranën (?!).Përballë shpalosjes së Flamurit Kuq e Zi, ai qëmtoi me dashuri mjaft emra të nderuar që gjatë jetës së tyre “shërbyen e nuk rrëmbyen”. Dhe asnjëherë shosh e sit e mos gatuaj. E ka hapur siparin me kryebashkiakun e parë, Ali Asllanin e famshëm të Vlorës që “Na ka lënë thesar/”Maskarenjtë e Kohës”! Është fjala për ata që “Të pabrekë i zuri dita/Milionerë i gjeti darka”…Dhe vazhdon me penëmadhin Petro Marko, burrin e bukur dhimbjeshumë të Bregut të Detit që dallgëzoi deri buzë lumit Ebro edhe me ligjëratën e prerë: Himara ka qenë, është dhe mbetet shqiptare ! Shkurtimat e autorit të librit-jubilar, nuk të lodhin aspak. Thjeshtësia dhe befasia e këndshme shkrepin përmes mendimit konciz, pa vrapuar pas fjalëve të mëdha e të majme dhe pa i bërë tërkuzë. Disa nga ata burra e gra idealiste, me karakter të fortë, të zgjuar e të dashur si S. Tozaj, L. Çipa, Q. Kamberi, H. Dalipi, E. Mita, Xh. Bino,B. Gace,V. Qesari,S. Kamberi,Gj. Gaba,K. Aliko,Ll. Llanaj, N. Jonuzi, M. Binaj, R. Gjika etj.unë i kam njohur nga afër gjatë jetës time profesionale e qytetare. Sinqerisht, përjetova edhe emocione, sidomos për ata që kanë ikur me faqe të bardhë e zemërbardhë nga kjo botë. Kurrë nuk rrëmbyen, por vetëm shërbyen për njerëzit, për vendin. Prandaj i kujtojnë ende me adhurim e dhembshuri sot e kësaj dite…Mirënjohjen gjer në fund për “Vlorën, djepin e lindjes dhe shtratin e prehjes”,autori e zbraz edhe në shkrimet e shumta publicistike. Ndërsa notat e ironisë labe (sikur më sollën pranë poetin popullor të papërsëritshëm, Xhebro Gjika) i përdor bukur ndaj atyre që tundin e shkundin tituj shkencorë e ofiqe të pamerituara dhe fare pak prezantohen “As.Prof.Njeri” ose intelektualë të vërtetë që udhëheqin komunitetin. Jo rastësisht janë vargëzuar 4 radhë kuptimplote:”Kryetar Komune/ I zgjedhur 3 herë/ Vota i ka hije/ Votuesi ka vlerë”. Është fjala për birin e vecantë, të dashur e burrëror të kësaj treve, Përparim Shametaj. Njeri që do i bënte nder cdo partie politike. Por më tepër popullit, që i besoi për herë të katërt tashmë edhe Bashkinë e madhe të Selenicë-Labërisë. Një udhëtim model e dinjitoz nëpër vatra e zemra, larg tribunave daullembuluar me fasada e maskarada politike…  -Boll i kemi folur njëri-tjetrit me gjuhën e pushkës ! Të flasim me gjuhën e shpirtit…Të demaskohen vrasësit me kolltuk e karrige, të cilët po shumohen. Sepse ndryshe “hala ka mbetur përsëri në fyt”… Mesazhet e mencura nuk fshihen nga kujtesa e lexuesve. Kapitujt e vecantë nga emigracioni shqiptar në Greqi; ai nga minishkolla e gazetarisë në javoren lokale “Zëri i Vlorës” ca dekada më parë apo botimet nga jeta politike e sociale në shkallë vendi etj.,japin edhe mjaft informacion e shtrojnë probleme të mprehta për debat e zgjidhje. Fjala vjen, nuk mund të mbetet në hije ai episodi drithëronjës për refugjatin Bardhi nga Sevasteri, ish i persekutuar politik, që po dergjej në një qeli policie në SHBA. Duheshin prova të pakontestueshme për ta liruar.

As vërtetimi nga Shoqata përkatëse nuk piu ujë. Mirëpo do e shpëtonte vetëm magjia e shtypit(jo manipuluesit e tij). Namiku me bashkëshorten kërkonin Agimin nëpër Vlorë: Para 20 vjetëve kishte botuar një shkrim për atë familje të persekutuar. Më në fund e gjetën në një sepete gazetën, e fotokopjuan, e noterizuan dhe e nisën me faks. Pa kaluar shumë orë, policia kish hapur dyert e qelisë dhe i komunikoi refugjatit të drobitur:-Zotri, jeni i lirë !…Sepse plagët e asaj arratie biblike kullojnë ende.Censura sfilitëse e parasë, menefregizmi i zyrtarëve të lartë në Vlorë e Tiranë, nuk ia lidhën duart nismës vetiake të Agimit. Prushi i atdhetarisë të ngroh në cdo faqe libri. Gjatë orëve të fundit të “lindjes” në shtypshkronjë,jo rastësisht janë lidhur edhe 2 fletë të freskëta. Njëra i kushtohet ikjes së Arbën Xhaferit, i cili do kujtohet cdo 28 Nëntor:”Burri i kombit,vizionar/Mbuluar me ngjyra ylberi/Do mbetet përjetë pishtar…”.Dhe në finale, qesh e tallet me etjen ulëritëse për pushtet e pasuri, me sojsëzët e panginjur që rrojnë në luks të pamerituar duke rjepur vegjëlinë.Ja,c’më dërgoi mbrëmë në celular:”Të ish gjallë Xhebro Gjika/Rasatin e informalit/Do e përzinte me hithëra/Do ndërsente qentë e stanit…”.Dhe psherëtin robi: O Zot, mos u shtofshin si fara e hithrës ! Autori tërë jetën i ka qëndruar larg karriges së pushtetit dhe protagonizmit fals. Traditën e ruan si sytë e ballit. Le të hahen si gjelat zyrtarët në Vlorë e Tiranë tamam “për mustaqet e Çelos”. Agim Jazo (Dushkaraku) e dha një shembull shqiptarie e qytetarie atje te Sheshi i Flamurit, pa bujë e zhurmë, pa fanfara partiake a pushtetare. Politizimi i skajshëm nuk e eklipson dot kurrë Kryeqytetin e Pavarësisë. Llafet e debatet lumë ikin, historia dhe puna konkrete mbeten. Plot një shekull më parë, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Dom Nikoll Kaçorri, Hasan Prishtina etj. erdhën e puthën palët e Flamurit kombëtar në Vlorë. Me në krye Ismail Qemalin kryeburrë shteti, nuk e lanë Shqipërinë të bëhej copa-copa. Por mbas rreth 5 shekuj robërie nën sundimin otoman, e shpallën shtet Sovran “më vehte, e lirë e mosvarme”. 28 Nëntorin e thërrasim jo me pak krenari edhe Dita e Flamurit ! Te Monumenti i Pavarësisë përkulemi përjetësisht, por do nderohen në breza edhe ata që e gdhendën me daltë e me zemër, të paharruarit K.Rama,Sh.Hadëri e M.Dhrami. Sepse në cdo hap kemi me vete të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. Me rrënjë tepër të forta edhe në këtë qytet të bekuar. E sic thotë me të drejtë Agimi,”Dasmën e bën/I zoti i shtëpisë/Vlora e Flamurit/Djepi i Pavarësisë…”.