Ilda Merkuri: Dashuria është paqe, mirësi & mrekulli!

1566
Sigal

Flet prezantuesja e “Super Star Radio” & këngëtarja brilante, Ilda Merkuri

Ilda Merkuri është një prezantuese e talentuar, por edhe një këngëtare sharmante, e cila ka realizuar disa klipe muzikore . Nuk ka shumë kohë që është shfaqur në tregun muzikor, por në këto kohë ka lënë gjurmët e veta. Muzika për të është një hobi dhe e tillë do të mbetet. Ajo do të vijë sot në një rrëfim të sinqertë për lexuesit tanë. Këngëtarja e shumë hiteve të njohura, e cila sapo ka publikuar klipin e saj të fundit “Kshu po e boj”, rrëfen në këtë intervistë ekskluzive gjithçka mbi të rejat e saj të fundit, impenjimet aktuale dhe sekretet e të qenit në formë.

 -Le ta nisim si fillim me karakterin tënd . Çfarë të pëlqen dhe nuk të pëlqen tek vetja?

 Më pëlqen këmbëngulja, një cilësi që më ka ndihmuar shumë në jetë. Jam një njeri që insistoj deri në momentin e fundit, nuk dorëzohem lehtë. Jam natyrë optimiste dhe kam bindjen se njeriu e gjen gjithmonë zgjidhjen, po të ketë dëshirën dhe vullnetin. Përsa i përket asaj që s’më pëlqen, mund të ndodhë që ndonjëherë të jem gjaknxehtë.

-Sa të shërben sensualiteti për të qenë e suksesshme?

Luan një rol të rëndësishëm në karrierën time, por kuptohet që ka edhe shumë komponentë të tjerë që duhen për të qenë e suksesshme. Vetëm sensualiteti nuk mjafton.

-Cila është gjëja që ti e ke plus në krahasim me këngëtaret e tjera të gjeneratës tënde?

Nuk e krahasoj veten me asnjërën, secila ka të veçantën e saj.

-Mendon se po të mos ishe një femër “sexy”, njerëzit do të kishin po të njëjtin pëlqim për ty?

Nuk e di, ndoshta nuk do të isha marrë fare me këtë profesion.

 -A është e dashuruar aktualisht Ilda?

No comment.

-Ilda, sa e vështirë është të jesh një femër e suksesshme në Shqipëri, e suksesshme në profesionin që bëni?

-Është shumë e vështirë, sidomos në fillim kur përballesh me komentet e atyre që nuk të njohin mirë, si për mirë ashtu dhe për keq, gjithsesi me aftësitë e mia e kam arritur gjithnjë atë që kam dashur.

-Nëse nuk do ishe kjo që je, çfarë do ishe sot?

-Mendoj se do isha bërë një notere e zonja. E kam dashur gjithmonë profesionin e juristes dhe drejtësinë, prandaj nëse nuk do isha kjo që jam do isha me siguri një avokate e mirë.

-Përkufizo termin Dashuri …

Dashuria, është paqe, mirësi, mrekulli … Dashuria çon botën përpara. Dashuria nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë. Dashuria për familjen, për punën, për gjysmën tënde, për gjithçka!

 -Tashmë jeni personazh shumë e njohur dhe keni shumë fansa, cilat mendoni se janë armët e tua më të forta që kanë goditur zemrat e fansave të tu: oratoria, bukuria, çiltërsia, inteligjenca, apo ëmbëlsia e zërit tënd?

(Qesh).Unë ju falënderoj dhe këto po i marr si komplimente, ndërkohë, shpresoj që të jetë kështu, që vërtetë të kem shumë fansa, fjalë, e cila mund të konvertohet fare mirë me shkëmbim dashurie. Është fitorja më e madhe për një njeri, i cili i hyn karrierës televizive dhe arrin të fitojë zemrat e njerëzve. Mendoj që, armët më të forta mund të kenë qenë thjeshtë të qenurit e vërtetë, pa diskutim vetvetja dhe ndoshta komunikimi i sinqertë me njerëzit, pa falsitet, pa shtirje, por shumë i drejtpërdrejtë, shumë i natyrshëm.

  -Aktualisht jeni prezantuese, keni ndonjë konkurrente që nuk do dëshironit ta kishit përballë?

 Jo, jo, absolutisht jo, nuk do t’i quaja konkurrente. Mua më vjen mirë që kohët e fundit janë shquar shumë prezantuese, pasi ka qenë një periudhë që deri para pak vitesh konsideroheshin të suksesshëm vetëm prezantuesit meshkuj dhe strategjia e tyre ka qenë gjithmonë që në krah të kishin, jo një prezantuese, sepse vetëm prezantuese nuk kanë qenë, ishin thjeshtë valeta, ose vajza të bukura, të cilat, trajtoheshin më tepër aksesorë, si një shami e kombinuar mirë në xhepin e vogël të xhaketave të burrave. Kurse vitet e fundit janë shfaqur disa prezantuese të afta dhe mua më vjen shumë mirë për këtë. Ky fakt është një indikator shumë i mirë që shoqëria jonë po përparon. Pastaj, bota e televizionit është shumë e madhe dhe shumë e gjerë; është një botë që i jep shansin secilës të gjejë hapësirën e vet.

-Si janë shqiptarët me veshjen, në gjykimin tuaj?

Shumë mirë, të paktën njerëzit e medias dhe televizionit, që ne shohim çdo ditë dhe që deri diku janë një etalon për popullin në përgjithësi, kryesisht të rinjtë, janë goxha të kuruar, qofte në stil gjithashtu në përzgjedhje.

–        Sa ka ndryshuar jeta jote pasi u bëre pjesë e mediave?

–        Në fakt ka ndryshuar goxha. Suksesi im filloi pikërisht në atë moment dhe jeta ime ka ndryshuar shumë që atëherë. Kam filluar të mendoj më seriozisht për karrierën time, pra të shoh më larg!