Gerta Gixhari: Shqiptarëve u mungon lumturia dhe kjo është e mbartur prej dekadash

163
“Shih Programin” ndoshta është një ndër emisionet më të shikuara në televizionet e Tiranës. Ideatori i emisionit Enkel Demi, si dhe moderatorja e talentuar Gerta Gixhari, duke njohur mirë funksionimin e emisioneve televizive më të shikuara, ideuan një platformë dhe një mënyrë ndryshe komunikimi me shikuesin. Gerta e njohur vite të tëra nga publiku, vjen në këtë format më e sigurt, më elokuente, më befasuese dhe tepër vizionare. Një studio e ndërtuar me shije dhe që të bën tepër komunikues me të ftuarit dhe shikuesin, përbën një element të rëndësishëm në këtë emision. Një meritë në këtë drejtim, sipas Gertës përbën dhe skenografja Oriana Kamberi. Ajo thekson me çiltërsi se: “Ky emision më pëlqen tej mase, jo se jam bërë unë pjesë e këtij programi, por më ka pëlqyer që në fillimet e tij”. Dhe pse një moderatore e suksesshme, ajo nuk nguron ta cilësojë se femrat gjithmonë në këtë profesion do ta kenë rrugën të vështirë. 
-“Shih Programin” një format televiziv me vizion ndryshe, kush ishte nxitës për këtë emision?
“Shih Programin” është një emision i ndërtuar ndryshe nga ideatori i saj Enkel Demi, i cili mendoi që të isha edhe unë pjesë e moderimit të këtij emisioni.
-Si lindi ky bashkëpunim? 
Bashkëpunimi erdhi si pasojë e një njohje të hershme që kemi me njeri-tjetrin. Enkeli ka qenë kryeredaktori im i lajmeve në TV Klan para 13 vitesh dhe ai e njeh shumë mirë ambicien që kam unë për punën dhe besimin që ato minuta televizive të jenë sa më rezultative.
-Sa zgjati faza përgatitore deri sa dole ne transmetim?
Në fakt gjerat rrodhën mire, pra nga ana e infrastrukturës nuk pati pengesa problematike në konceptimin dhe ndërtimin e këtij paneli të ri edhe pse u zgjat pak në kohë, rreth një muaj nga dita që kishim menduar për transmetim. 
-Të pëlqen studio, se jo gjithçka varet nga dëshirat e modeluesit?
Më pëlqen tej mase, jo se jam bërë unë pjese e këtij programi por më ka pëlqyer që në fillimet e tij. Është një studio shume e ngrohtë që i mirëpret me dashuri të ftuarit e shumëllojshëm. Edhe të ftuarve u bën përshtypje përderisa e shprehin pëlqimin sapo ata hyjnë në studio. Dhe kjo meritë në veçanti i shkon skenografes Oriana Kamberi. 
-Si i ndani të ftuarit me njeri-tjetrin?
Studioja jonë është e madhe dhe pret shumë të ftuar. Aty vijnë politikane, njerëz të ndryshëm të shoqërisë civile. Aty hyjnë e dalin njerëz të thjeshtë që kanë dëshirë të promovojnë një punë të tyren kryesisht nga arti apo të tregojnë diçka nga vetja që i veçon disi nga e përgjithshmja. Paralelisht, ka dhe emra e personazhe që i njeh publiku,që jetët e tyre janë shumë të gjurmuara, me interes të veçantë, për atë, çka ato përfaqësojnë, Me këta të fundit merrem unë, me tepër. Në panelin tim ftoj personazhe që më së shumti janë këngëtare, aktore, nga fusha e modës, sportit njerëz që kane impakt publik. 
-Çfarë i veçon intervistat e tua me këta personazhe?
Çdo punë ka sekretet e saj, por unë dua të them, që unë punoj shumë me personazhin e javës. Gjatë regjistrimit të emisionit përpiqem që të ftuarit t’i jap komoditetin për tu shprehur, që të jetë sa më i çiltër dhe të pranojë gjërat e tij. 
– Si arrini të mbani ritmin e një emisioni, kur dihet që tregu mediatik është i tejmbushur me emisione?
Unë kam ftuar personazhe që jetët e tyre përbëjnë lajm… pra në pak muaj ka patur interes nga portale të shumtë, përderisa i janë referuar bisedave që unë kam zhvilluar me ta. 
– Ku e mbështesni jetëgjatësinë e këtij emisioni dhe cilat janë figurat që ju kanë bërë më shumë përshtypje kur i keni ftuar?
Jetëgjatësinë e mendoj tek puna e palodhshme në mënyrë që çdo javë të prodhojmë diçka të re. Nga të ftuarit, secili prej tyre ka diçka që e bën një figurë më të veçantë se tjetri. Por e përbashkëta e gjithë të intervistuarve është e papritura. Sado që unë përgatitem për të qenë sa më e informuar rreth tyre, gjendem edhe ne përgjigje te paparashikuara. Ky është moment që mezi e pret por që me ftohtësi duhet të reagoj për ta plotësuar këtë copëz. Mendoj se kështu ndihem edhe më e plotësuar në punën time. 
-E kishit menduar më parë veten si pjesë e modelimeve televizive?
Unë gjithnjë kam qenë e lidhur profesionalisht me gazetarinë televizive, fillimet e mia me gazetarinë informative, e më pas me programacionin. Mendoj se e ndiej veten të gatshme për të marrë përsipër përgjegjësi të tilla. Për mua është momenti i duhur, për këtë eksperiencë, sepse përvoja e viteve të punës dhe bagazhi profesional nuk të lënë kurrë në baltë.
– Sot femrat e kanë më të lehtë apo më të vështirë si mdoeratore?
Mendoj se gjithmonë do ta kenë të vështirë. 
– Je penduar ndonjë moment për nisjen e kësaj nisme kaq të bukur dhe të vështirë?
Ky është një moment që unë e kam dashur dhe po i përkushtohem shumë që të arrij më të mirën.
-Kush janë mbështetësit tuaj në këtë nismë?
I jam shumë mirënjohëse Enkel Demit, që ma besoi mua këtë panel të ri dhe sigurisht drejtuesve të TVSH që më bënë pjesë të imazheve të saj.
– Kush është pjesa më e vështirë e një moderimi?
Momentet e vështira asnjëherë nuk ngjasojnë me njëra – tjetrën. Nuk mund ti rendisësh rastësitë gjatë një regjistrimi televiziv, pasi ka gjithnjë të papritura përderisa në një produksion punojnë me dhjetra njerëz. Megjithatë mendoj se vështirësi quhet edhe një përgjigje e papritur e të ftuarit ku gjendet lajmi, por edhe kur ai përgjigjet shumë prerë dhe shkurt, pa thelb.
– Keni menduar të jeni pjesë aktive e politikës shqiptare dhe pse?
Në fakt nuk habitem që më bëtë këtë pyetje, pasi kam disa copëza nga mozaiku im profesional që më lidhin me këtë fushë. Më pëlqen politika, këtu gjithnjë e ndaloj mendimin…. (qesh), por, gjithsesi kjo gjykohet në momentin e duhur, “just in time” 
– Me syrin e një patrioteje, çfarë i mungon më shumë Shqipërisë në këtë situatë?
I mungon lumturia. Dhe kjo është e mbartur prej dekadash
– Mendoni se femra e ka më të vështirë të hyjë në administratën shtetërore apo më të vështirë e kanë meshkujt?
Në këtë pikë nuk mendoj se ka gjini. Është e vështirë për të gjithë të rinjtë që të punësohen.
– A ndihet e vlerësuar femra shqiptare në politikë? Cilat janë problemet e femrës shqiptare?

Me shumë përpjekje gratë në politikë vitet e fundit kanë arritur të bëjnë progres dhe janë faktorizuar. Është një fillim i mbarë që është arritur të thyhet ai mosbesimi ndaj gruas.