Sot në Akademinë e Shkencave, Shoqata Labëria, organizon Sesionin Shkencor për 80-vjetorin e çlirimit të Atdheut

– Dëmet llogariten të ishin mbi 3 miliard dollarë ku krahina të tëra, si Peza, Kurveleshi, u rrënuan në pasuri e katandi.

 

Sesion Shkencor

Sigal

KRYESIA E SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE LABËRIA “NDERI i KOMBIT”, MË DATËN 09.11.2024, DITËN E SHTUNË, ORA 11.OO, NË SALLËN E AKADEMISË SË SHKENCAVE ORGANIZON  SESION SHKENCOR NË KUADRIN E 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË ATDHEUT.

SESIONI SHKENCOR

-FJALA E HAPJES NGA KRYETARI i SH.A.K. LABËRIA “NDERI I KOMBIT”,  Z. AGIM ÇIRAKU.

REFEROJNË KUMTESAT:

1-PROF. DR. PASKAL MILO – “ ÇLIRIMI I SHQIPËRISË MERITË E LUFTËS ANTIFASHISTE DHE NACIONAL ÇLIRIMTARE TË POPULLIT SHQIPTAR”.

2-PROF. DR. PËLLUMB XHUFI – “ ÇURÇHILLI DHE SHQIPËRIA NË LUFTËN E II-TË BOTËRORE “.

3-PROF. DR. BARDHOSH GAÇE –  “ NDERIM PËR VLORËN ANTIFASHISTE NË  VITET E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE.

4-PROF. ASOC.DR. MARIGLEN  KASMI- “  ANTIFASHIZMI DHE KOLABORACIONIZMI NË TRAJTESAT E SOTME HISTORIKE.

5-PROF. DR. AGO NEZHA- “LABËRIA NË LUFTËRAT PËR LIRI, PAVARËSI, ÇLIRIM KOMBËTAR E SHOQËROR”.

DEKORIME NGA SHOQATA A.K. “LABËRIA “

KOKTEIL

    KRYESIA E SHOQATËS  ATDHETARE KULTURORE LABËRIA

                                         “ NDERI I KOMBIT “

 

Historia e LANÇ

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Në historinë e shtetit shqiptar trashëgimi më e denjë lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Pas epokës së Skënderbeut, kohë kur prej fiseve filloi të ngjizej në beteja kundër pushtuesit otoman kombi shqiptar, lufta kundër nazifashizmit përbën faqen më  të ndritur. Këtë 29 nëntor,  mbushen 80 vjet nga fitorja e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar, e cila u zhvillua në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, kundër dy fuqive agresore më të mëdha të kohës, Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Gjatë viteve të fundit është folur dhe është shkruar shumë, mbarë e mbrapsht, për këtë ngjarje të madhe të historisë së Shqipërisë. Në shkrimet e në diskutimet për këtë çështje vihen re dy prirje të kundërta, që shprehin dhe vlerësime të ndryshme për Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare. Njera i bën Luftës një vlerësim realist, objektiv, plotësisht të merituar. Kurse tjetra përpiqet t’a errësojë e ta denigrojë, duke e cilësuar si një luftë civile, vëllavrasëse, për pushtet, e cila i solli vendit dëme, shkatërrime dhe fatkeqësi. Në fakt diskutimi mbi rëndësinë e LANÇ-it dhe mbi vendin që zë ajo në historinë e popullit shqiptar nuk është i ri. Ai doli para opinionit publik shqiptar që në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë ishte e kuptueshme dhe e justifikueshme që të mos kishte një vlerësim unik nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Bota atëherë ishte ndarë në dy kampe të kundërta nga njera anë blloku fashist, i kryesuar nga Gjermania, Italia dhe Japonia, dhe nga ana tjetër Koalicioni Antifashist i kryesuar nga Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA. E njëjta hartë e mendimit politik, ekzistonte pak a shumë edhe në Shqipëri, bile ajo qe krijuar në vija të përgjithshme 5 muaj para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, që në ditët e pushtimit Italian, në prill 1939.

Që atëhere opinioni publik shqiptar ishte ndarë në dy kampe, pro dhe kundër okupatorit, pro dhe kundër bllokut fashist. Shqipëria ishte ndër viktimat e para të agresionit fashist, por dhe ndër vendet e para që u ngrit me armë kundër tij duke dëshmuar kështu se shqiptarët ishin një popull liridashës, i qytetëruar e me dinjitet. Shqipëria i ishte dorëzuar fashizmit italian para 7 prillit 1939. Shteti ynë feudal, thellësisht i prapambetur, përpara pushtimit ushtarak ishte pushtuar ekonomikisht, i dhunuar politikisht, ishte shndërruar në një protektorat italian. Lëvizja e armatosur e rezistencës kundër pushtuesit çoi në krijimin e Frontit Kombëtar. U quajt Antifashiste Nacional-Çlirimtare lufta ku partizanët shqiptarë u hodhën me guxim në rreziqe për lirinë, për shpëtimin e atdheut. Ata, si luftëtarë antifashistë, u bënë dhe vlerësuan nga aleanca si pjesë e saj, me vlera të pamohueshme, që luftonte kundër nazimit. Partizanët, beteja pas betejash filluan të çlironin me radhë qytetet shqiptare, në një prej të cilave, në Berat, në datat 20-23 tetor organizuan Kongresin Antifashist. Me çlirimin në 29 nëntor të qytetit të Shkodrës, Shqipëria u deklarua e çliruar plotësisht, por lufta kundër nazi-fashizmit vazhdoi deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Kryesia e Këshillit ANÇ vendosi më 9 nëntor të vitit 1945, kremtimin e datës 29 nëntor si festë të çlirimit të Shqipërisë.  Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare ishte një provë, që tregoi vlerat morale e politike të shqiptarëve. Në këtë luftë populli shqiptar dëshmoi se ishte i mbrujtur me idealin e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Ai tregoi zgjuarësi dhe pjekuri të madhe politike, duke u rrjeshtuar në krahun e forcave më përparimtare të kohës, krahas koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Më në fund, për të realizuar idealin e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut ai nuk kurseu asgjë, pranoi çdo sakrificë. Shqipëria, një vend që s’i kalonte një milion banorë, arriti të ngrejë në këmbë një ushtri të organizuar që numëronte në radhët e saj mbi 70 mijë luftëtarë, e cila i gozhdoi në luftime në territorin shqiptar 15 divizione italiane e gjermane, me rreth 700 mijë ushtarë dhe nxori jashtë luftimit 70 mijë prej tyre. Shqipëria ishte i vetmi vend europian, që u çlirua vetë, pa ndërhyrjen e trupave te huaja. Kjo luftë e lavdishme, ku u rreshtuan mbi 70 mijë luftëtarë në brigadat partizane, i kushtoi vëndit gjakun e jetën e 28110 dëshmorëve, bijë e bija të denja, që dhanë jetën në lulen e rinisë, të dhëna këto mëse të sakta, që për çdo dyshues afrohet mundësia të shuajë kureshtjen në zyrat e organizatës kombëtare “Familjet e Dëshmorëve të Atdheut”, ku ndodhen listat e plota emërore. Përpjestimisht me sipërfaqen e tokës dhe popullsinë, populli shqiptar renditet ndër popujt me më shumë ndihmesë për mposhtjen e ushtrive pushtuese fashiste e naziste. Sakrificat që bëri populli shqiptar në luftë, për çlirimin e atdheut të tij dhe për çështjen e përbashkët të luftës kundër fashizmit, ishin jashtëzakonisht të mëdha. U vra ose u gjymtua 7.3% e popullsisë. UNRRA (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rimëkëmbje) raportoi pas lufte, rreth 30,000 shqiptarë të vdekur gjatë luftës, 200 fshatra të shkatërruar, 18,000 shtëpi të shkatërruara dhe rreth 100,000 vetë të mbetur të pastrehë. Statistikat zyrtare shqiptare pretendojnë humbje disi më të mëdha. Në kushtet kur lufta, heronjtë e saj dhe vlerat e kësaj kohe të lavdishme filluan të përdhosen, ashtu si dhe monumentet e muzeumet e të rënëve, nuk ngeli pa u përgojuar edhe shifra e të rënëve, që u deklarua në Konferencën e Paqes në Paris. Shqipëria e pas luftës ishte një vend i djegur e i zhuritur nga bombardimet, raprezaljet e hordhive pushtuese. Dëmet llogariten të ishin mbi 3 miliard dollarë. Krahina të tëra, si Peza, Kurveleshi, u rrënuan në pasuri e katandi.

Lufta e lavdishme mbetet shëmbulli më i përkryer i emancipimit të gruas shqiptare. Gratë luftuan krah për krah burrave. Ishin rreth 6000 gra e vajza të Shqipërisë që u rreshtuan në forcat partizane, ku qindra prej tyre derdhën gjakun e dhanë jetën, duke shënuar kështu fillimet e një ndryshimi revolucionar social të gjinisë femërore, shtresë mbi të cilën ka pas rënduar shtypja konservatore, vuajtja e mjerimi shekullor.  Për të gjitha këto, Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare zë një vend të veçantë si një nga faqet më të ndritura të historisë së shqiptarëve.