Botimet “Argeta”: Bill Klinton dhe Presidenti që u zhduk papritur

301

Nga Sejdo Harka

Shfleton librin “Presidenti është zhdukur”, botuar në shqip nga Memet dhe Genti Gëzhilli dhe, që në faqet e para të mbërthen një ndjesi e fuqishme ankthi, sa sublime aq dhe drithëruese, që të shoqëron deri në faqet e fundit të tij. Pa përsëritshmëria e këtij libri buron, jo vetëm nga brendia, problematika dhe narracioni, sa rrëqethës, aq dhe patetik, por dhe nga potenciali i lartë krijues i autorëve të tillë si Bill Klinton dhe James Patterson. Se kush është Bill Klinton, e njeh e gjithë bota, por akoma më mirë e njohën kosovarët, kur ai i shpëtoi nga përndjekja prej trojeve të tyre dhe përgjakja nga kthetrat sunduese të Millosheviçit. Ai u zgjodh President i Amerikës në vitin 1992, dhe vazhdoi deri në vitin 2001. Pasi la Shtëpinë e Bardhë, ai themeloi “Fondacionin Klinton”, i cili ndihmon në përmirësimin e shëndetit global të njerëzimit, për nxitjen dhe rritjen e përgjithshme ekonomike të tij dhe për menaxhimin e efekteve të ndryshimeve të mëdha klimatike, që po ndodhin edhe sot në rruzullin tokësor. Krahas dimensioneve të rralla të një burri të madh shteti, në krye të Amerikës, ai ka shfaqur dhunti të veçanta edhe në e fushën e krijimtarisë letraro-historike, e cila e gjen shprehjen në botimin e një seri veprash në prozë, si “Jeta ime, një bestseller”… etj. Ky është romani i tij i parë. Ndërsa për bashkautorin e tij James Patterson, mjafton të përmendim faktin, që ai sot mban Rekordin Botëror të Guinnes për bestseller-et e “New Jork Timess” dhe librat e tij janë më të shiturit në botë. Libri “Presidenti është zhdukur” është një vepër moderne, që shpërfill normat e ngurta të ndarjes së prozës në gjini, lloje e nënlloje. Ai, herë i ngjan një romani të çuditshëm, me dukuri sa filozofiko-shoqërore, aq dhe psikologjiko-policore, ku ndërthuren bukur elementët e prozës narrative me ato të dramës, komedisë e tragjedisë dhe, herë i ngjan një traktati universal, ku harmonizohen mirë filozofia e drejtimit dhe e ruajtjes së sigurisë së shtetit, me guximin dhe vendosmërinë për ta bërë atë realitet me çdo sakrificë. Kjo vepër, siç theksojnë me modesti edhe vetë autorët, është kontribut i mendjeve dhe bëmave të shumë burrave të Shërbimit Sekret të SHBA-së, që kanë punuar në ushtri, në Shërbimin Inteligjent, për ruajtjen e sigurisë së Amerikës. Është kjo arsyeja, që ky libër ka vlera shumë dimensionale, për gjithë njerëzit dhe shoqërinë. Boshti kryesor i problematikës së këtij libri, me një brendi sa reale, aq dhe pjellë e fantazisë krijuese, është lufta e ashpër mes botës demokratike, që kërkon të ecë përpara, dhe botës së krimit terrorist, që për para e sundim, kërkon ta zhysë shoqërinë në kohërat e errësirës. Nga njëra anë e dyluftimit, për jetë a vdekje, qëndron Amerika, si liderë e paqes dhe e zhvillimit progresiv në botë, ndërsa në anën tjetër të barrikadës ndërluftuese, qëndron grupi terrorist i Djemve të Xhihadit. Mjetet ndërluftuese, në këtë luftë të çuditshme, nuk janë as armët e ushtrisë moderne, as lufta e yje, por kibernetika e sofistikuar. Vetëm një virus i çmendur, i nisur nga një kompjuter, rrezikon të rrafshojë, jo vetëm Amerikën, por edhe gjithë botën. Në brendinë e këtij libri rendin, jo vetëm personaliet reale historike, por dhe karaktere, që mbajnë mbi shpinë filozofi, ide, virtyte e vese tipike të klasave dhe shtresave shoqërore që përfaqësojnë. Në ballë të luftës kundër regresit shoqëror qëndron Presidenti, i cili, përveç elementëve autobiografikë, është kthyer në një protagonist artistik, që mishëron aftësitë dhe virtytet më të mira të gjithë Presidentëve, që kanë drejtuar Amerikën. Ai, herë shfaqet në ballë të shtetit, si drejtues i spikatur e herë i zhdukur në fshehtësi, në ballë të një skuadre të sigurisë kombëtare, mes gijotinës së kokëprerësve makbethianë të Xhihadit. Narracioni i librit është sa i thjeshtë, aq dhe i bukur e tepër rrëqethës. Presidenti, që është dhe protagonisti kryesor i këtij libri, tregon në vetën e parë se si luftojnë Djemtë e Xhihadit për ta gjunjëzuar e kthyer mbrapa Amerikën.  Për këtë , kreu i kësaj organizate terroriste, Suliman Sindoruku, mbasi kish grumbulluar shuma të mëdha parash , mblodhi rreth tij kibernetistët më të mirë të botës, për të krijuar një virus të çuditshëm, që do të paralizonte Amerikën, dhe më vonë , ndoshta, edhe gjithë botën. Me paratë e tij Sindoruku kishte joshur, jo vetëm kibernetistët më të zotë të botës, si çifti Nina dhe Ogi, por edhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Para Presidentit shtrohej dilema: “Do ta shpëtonte Amerikën nga ky rrezik i madh shkatërrues apo do të lejonte, që ajo të bëhej shkrumb e hi nga virusi i çmendur, që kishin përgatitur kibernetistët e joshur nga kryexhihadisti Suliman Sindoruku?! Ai zgjodhi rrugën më të vështirë,por tepër sublime. Luftën pa kompromis,kundër armiqve të jashtëm dhe tradhtarëve të brendshëm, pa marrë parasysh as jetën e tij e të familjes, për shfarosjen e këtij virusi vrastar. Për të mbajtur betimin e dhënë, ai nuk trembet, as nga thirrjet e drithëruese të mjekut të tij personal,i cili e këshillonte të mos stërmundohej, sepse edhe tri orë jetë kishte, as nga akuzat shumta që i bënin mediet dhe kundërshtarët, kur ai u zhduk,për të shpëtuar Amerikën nga shkatërrimi vrastar dhe as nga plumbat e pistoletës, që i rrinte çdo çast mbi tëmtha. Shitja e kodit sekret “ Kohë të Errëta”nga tradhtarët e brendshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe rreziku që i kanosej Amerikës nga ai virus i mallkuar, e detyruan Presidentin të zhdukej papritur,për të punuar i maskuar, për të zhbiruar atë virus të çmendur. Por ai nuk mund të çmontohej, pa gjetur tradhtarët e brendshëm ,që kishin shitur kodin sekret” Kohë të Errëta”.Prandaj, ai krijoi një skuadër prej 30 specialistësh nga më të mirët e botës, të cilët punuan natë e ditë në një vend sekret, mes plumbave dhe rreziqeve të mëdha. Fat për ne, thotë Presidenti ,ishte bashkimi me qëllimin tonë të madh i çiftit Nina dhe Ogi , të cilët njihnin sekretet e këtij virusi. Nina ishte krijuesja , ndërsa Ogi ishte hakërruesi i këtij virusi. Nëse këta dy të rinj, thekson protagonisti i këtij libri, nuk do t’i kishin thirrur ndërgjegjes së tyre si qenie njerëzore, rezultatet tona do të ishin krejt ndryshe. Po, kush ishin këta dy të rinj ,me kombësi jo amerikane, që iu përkushtuan një çështjeje kaq të madhe për të shpëtuar Amerikën?! Nina ishte një vajzë e ditur, por e dyshuar për shpërthimin e një bombe në stacionin hekurudhor gjeorgjian, në vitin 2008. Ndaj Gjeorgjia e përndiqte atë si terroriste. Për aftësitë e saj të rralla në fushën e kibernetikës, Sindoruku i Xhihadit e aktivizoi atë për krijimin e këtij virusi për paralizimin dhe kthimin e Amerikës mbrapa. Ajo e përgatiti këtë virus, jo se dëshironte të shkatërronte Amerikën, por që Djemtë e Xhihadit ta ndihmonin atë për ta shpëtuar nga kthetrat e gjeorgjianëve, të cilët e kërkonin të vdekur. Aty njohu dhe Ogin, i cili punonte për hakërrimin e virusit të çmendur që krijoi Nina. Ai kishte mbaruar studimet me bursë në një kamp të Turqisë dhe kishte prirje të veçanta në fushën e matematikës. Aty, ai u njoh me terroristët e Xhihadit dhe punoi me ta, për hakerimin e virusit. Por, për shkak të mosmarrëveshjeve që ai pati me grupin e Sindorukut, u largua prej tyre për t’iu bashkuar vullnetarisht skuadrës sekrete të Presidentit, që punonte për të neutralizuar virusin, që synonte shkatërrimin e Amerikës. Prandaj ata e kërkonin të vdekur.

Katër ditë më parë, tregon Presidenti, në Paris Nina i pëshpëriti në vesh vajzës së tij kodin magjik “Kohë të Errëta” , dhe i kërkoi asaj takim sekret me të, pikërisht aty, ku ajo u vra nga dora gjakatare e Xhihadit, për të mos dekonspiruar sekretin e hakerimit të virusit dhe tradhtarët e brendshëm të Shtëpisë së Bardhë. Aktivizimi i përkohshëm i virusit kishte për qëllim, jo vetëm të shkaktonte panik tek njerëzit, por dhe të tatonte pulsin e Amerikës depresive. Në këto kushte Presidenti kishte kuptuar se dikush nga 8 njerëzit, që e dinin kodin sekret “Kohë të Errëta”, kishte tradhtuar. Në këto kushte ai tregon, se ishte e vërtetë që kishte krijuar një skuadër me kibernetistët më të mirë amerikanë, gjermanë e francezë, por vendimin përfundimtar do ta merrte vetë ai si civil. Për të zbuluar të vërtetën e gjithçkaje, ai përdor metodat më moderne të Shërbimit Inteligjent Amerikan. Informacionin e merrte nga shumë burime dhe e pastronte në shumë filtra. Përmes pyetjeve e kundërpyetjeve, përgjigjeve e kundërpërgjigjeve, tezave dhe hipotezave, analizave dhe sintezave, ai arrinte në konkluzionet e duhura, që e ndihmonin për të marrë vendime të drejta dhe në kohën e duhur. Pyetjet sugjestionuese: Kush fshihet pas virusit shkatërrues? Si mund ta shkatërrojmë atë ? Kush janë tradhtarët, që shitën kodin sekret?. Cilët janë miqtë dhe armiqtë tanë të vërtetë? Ç’qëndrim mbante Rusia ndaj kësaj mynxyre shkatërruese? Janë disa nga pyetjet që mbajnë në ankth, jo vetëm protagonistin kryesor të këtij libri, por dhe gjithë aktorët e tjerë që marrin pjesë në këtë duel të ashpër mes “makbethianëve” vrastarë dhe “dunkanëve modernë”, që luftojnë me stoicizëm për të shpëtuar Amerikën dhe gjithë botën nga virusi vrastar i Xhihadit. Për specialistët e kibernetikës Ogi dhe Dieter Kohel, ky virus i ngjante një hajduti që hyn fshehurazi nga një dritare brenda një shtëpie në majë të gishtave, pa bërë zhurmë. Ai dëshiron të hyjë dhe të dalë pa u zhdukur. Nëse ai do të përfshinte gjithçka, dëmet do të ishin kolosale. Do të paralizoheshin dritat, telefonat, kodet, semaforët, sistemet e abonimit, kompjuterët, uji i pijshëm, spitalet dhe gjithë ekonomia. Një gjëmë e tillë do të shkaktonte depresion dhe panik të madh tek njerëzit. Do të sillte trazira, krime masive, epidemi, grabitje…Do të paralizohej rendi civil, siguria kombëtare, fuqia ajrore, kapaciteti i raketave, teknologjia ushtarake dhe gjithçka tjetër. Mbrojtja do të binte në fuqinë e kapacitetit të shkulit XlX. Amerika do të tjetërsohej në shtetin më të madh të Botës së Tretë në tokë. Ky virus i çuditshëm kërcënonte, jo vetëm Amerikën, por dhe gjithë botën. Prandaj, në ndihmë të Amerikës, për paralizimin e këtij virusi, erdhën dhe shumë miq nga bota. E para erdhi Kryeministrja e Izraelit, Noja, e cila sa mbërriti deklaroi hapur: “Për gjërat që na bashkojnë, nuk na ndan asgjë, sepse një SHBA e qetë, do të thotë një Izrael i sigurt”. I dyti ishte Kancelari gjerman, Jurgen Rihter, i cili me vete kishte sjellë edhe ekipin e kibernetistëve më të të mirë, që do të ndihmonin për çaktivizimin e virusit. Për të zbuluar qëndrimin e Rusisë, Presidenti Amerikan thirri në ndihmë edhe Presidentin rus, Çernekovin. Por ai, sa për sy e faqe, dërgoi Kryeministrin e tij Volkovin. Kishte të drejtë Sun Tzu, kur thoshte: “Mbaji miqtë afër, ndërsa armiqtë edhe më afër”. Volkovi, me dinakërinë e KGB-së Sovjetike, iu drejtua me këto fjalë Presidentit Amerikan: “Çernekovi ju siguron, se Rusia mbetet në angazhimin për t’u ndihmuar”. Në këtë libër, figura e Presidentit Amerikan del, sa poliedrike, aq dhe stoike. “Dola vullnetar, për t’u bërë udhëheqës ushtarak, thotë ai, plotësisht i ndërgjegjshëm për rreziqet e profesionit që kam zgjedhur. Për ne ushtarakët fjala “dorëzim” nuk ekziston. Prandaj, i vendosur për ta kryer me çdo kosto detyrën që kam marrë përsipër, pas një stërmundimi të tmerrshëm me “shkëmbin e Sizifit” mbi shpinë, me tradhtarët po zgjedh një taktikë tjetër, sa të butë, aq dhe shtrënguese”. Për ta shpëtuar vendin nga ky ankth shkatërrues, ai u drejtohet tradhtarëve me këto fjalë: “Bashkëpunuesin me mua do ta fal. Por, nëse nuk vepron sot, nuk do të gjejë paqe, derisa ta gjej, se kush e shiti kodin. Do të dënohet me vdekje. Afati mbaron për 30 minuta”. Ky kërcënim diplomatik, i vuri në panik tradhtarët, të cilët bënin gjithçka për të fshehur krimin e tyre. Por erdhi një ditë, që ata dolën lakuriq përballë fakteve kokëforta. Krimi i bashkëpunimit të tyre me Xhihadistët, ruhej i gjallë në telefonin e dytë të Ninës, e cila u vra nga ata, për të humbur gjurmët. Telefoni i asaj i dytë, që ruante fjalën kyçe “Sukhum”, që do të shkatërronte virusin, u gjet në zyrën e zëvendëspresidentes së Shtëpisë së Bardhë. Tradhtarët e brendshëm janë zbuluar plotësisht. Zëvendëspresidentja dhe këshilltarja më e afërt e Presidentit, Karolina Brok, janë detyruar të çjerrin maskën. Hakerimi i plotë i virusit, po sillte, jo vetëm fundin tragjikomik të tradhtarëve të brendshëm, por dhe të armiqve të jashtëm. Karolina Brok arrestohet për tradhti. Ajo, që dje synonte një karrierë të lartë, sot lutet për të shpëtuar nga burgu. Ndërsa zëvendëspresidentja detyrohet të bëjë dorëheqje dhe të presë e tmerruar prangat. Akoma më tragjikomik shfaqet fundi grotesk dhe i pashmangshëm i kreut të Xhihadit, Suliman Sindoruku, i cili ishte një terrorist turk, që përgatiti këtë mynxyrë shfarosëse, jo vetëm për një shumë të madhe parash, por dhe për gjunjëzimin e Amerikës. Ai, sapo dëgjon lajmin, se Amerika e ndaloi virusin, nuk dinte ku të futej. Gjëja e parë që i shkoi në mend të bënte ishte të vriste veten. Prandaj vrapon si i çmendur drejt errësirës, por arma vetëvrasëse i bie nga dora. Prandaj ai ngrihet me duart e zbrazëta të drejtuara nga dy burrat e armatosur. Ata zbrazin pushkët në kraharorin e tij. Fund dëshpërues pësoi dhe dinakëria ruse, e cila gjen shprehje në demaskimin e hapur dhe dëbimin që i bën në fund Presidenti i SHBA-së ambasadorit të tyre. Ja ç’i thotë ai në takimin e fundit: “Kur ne do të lëpinim plagët, ju mund të rindërtonit mbretërinë sovjetike. Prandaj jini të dëbuar. Thuaj Çernekovit, se është me fat, që e ndaluam atë virus përpara se të shkaktonte atë dramë të tmerrshme. Ndryshe Rusia do të ishte në luftë me NATO-n”. Nëse ky sulm terrorist do të kishte qenë i suksesshëm, Amerika do të kishte përjetuar depresion më të thellë. Rrënojat e këtij dëmtimi, do të donin dhjetëra vite për t’u riparuar. Që të shpëtonte Amerika dhe e gjithë bota nga ky virus, u deshën bashkim vullnetesh, idesh e kauzash, guxim e sinqeritet. Ky sukses, nuk është vetëm fryt i luftës dhe përpjekjeve të Shërbimit Inteligjent Amerikan, por dhe e gjithë miqve të botës, dhe veçanërisht i Ninës dhe Ogit. Vend të pazëvendësueshëm në arritjen e kësaj fitoreje ndaj këtij sulmi të sofistikuar, ka Presidenti, protagonisti kryesor i këtij libri, i cili për të realizuar këtë detyrë, nuk mori parasysh as vdekjen. Ëndrra amerikane, thekson ai, funksionon vetëm atëherë, kur humanizmi ynë i përbashkët ka më shumë rëndësi se sa interesat tona vetjake. Kjo është lufta amerikane, që ia vlen të luftosh, madje dhe të vdesësh. Ky është portreti i Presidentit dhe liderit ideal, që ia vlen ta ketë në krye e gjithë bota. Sa herë që përfytyroj portretin e një presidenti të tillë ideal, përpara më shfaqen si në një ekran presidentët e Shqipërisë së viteve të demokracisë.