Artistit Sidrit Bejleri i jepet titulli “Qytetar Nderi i Libohovës

1131
Sigal

Agim Demi

Këshilli Bashkiak i Bashkisë të qytetit të Libohovës i jep titullin e lartë “QYTETAR NDERI” i Libohovës,Sidrit Bejlerit.

Propozimi për dhënien e këtij titulli u bë nga Shoqata “AVNI RUSTEMI”, dega e Libohovës.

Shtysa për këtë propozim u mor duke u mbështetur në disa motive:

Së pari,Sidrit Bejleri është një këngëtar dhe artist i admirueshëm nga të gjithë.

Së dyti,emri dhe veprimtaria e Sidritit me misionin human të bamirësit në ndihmë të familjeve në nevojë,është bërë i dashur,shumë i njohur dhe i respektueshëm jo vetëm brenda vendit,por edhe në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët.

Dhe së treti,këtë titull të lartë dhe të merituar ja jep qyteti i Libohovës nga ka prejardhjen babai i tij. Në bisedën që pata me Sidritin,ia komunikova këtë propozim për ta bërë “Qytetar Nderi” të Libohovës dhe i kerkova disa te dhena per aktivitetin e tij.

Ky propozim ishte krejtësisht i papritur për të.

Sidriti, me shumë sinqeritet dhe me modesti më tha se ndoshta a e meritonte një vlerësim kaq të lartë. Me një aktivitet shumë të pasur artistik si brenda dhe jashtë Shqipërisë  dhe i angazhuar në një veprimtari të jashtëzakonshme bamirësie në ndihmë të familjeve shqiptare në nevojë,Sidriti e meriton plotësisht këtë vlerësim dhe këtë titull të lartë. Libohova ndihet krenare për këtë djalë libohovit dhe Sidriti duhet të ndihet krenar që qyteti i origjinës së tij i jep këtë vlerësim plotësisht të merituar. Sidriti është djali i dy mësuesve të nderuar,Himetit dhe Kudretit.Babai i tij ishte nga qyteti i Libohoves, ndersa nena nga qyteti i Shkodres.

Sidriti lindi në qytetin e Shkodrës,ku mbaroi dhe gjimnazin “Oso Kuka”.Që kur ishte në bankat e shkollës së mesme në Shkodër,spikati talenti në muzikë me zërin e tij të bukur,në aktivitete të shumta artistike. Në vitin 1996 konkuron dhe fitoi konkursin në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e kantos,të cilën e përfundoi në vitin 2000. Në Akademinë e Arteve dallohet për zërin e mrekullueshëm dhe në vitin 1999,pa përfunduar akoma studimet,emërohet solist lirik në Teatrin e Operas dhe Baletit,një nga rastet e rralla që një student,pa mbaruar akoma studimet,emërohet në Teatrin e Operas dhe Baletit. Për një periudhë 20 vjeçare realizon rreth 40 role si solist operistik në vepra të ndryshme të autorëve botërore si Verdi, Bet’hoven, Puçini, Mozarti, Rosini, Donixeti etj. Ne skenen e Teatrit te Operas dhe te Baletit nuk u ngjit per here te pare Sidrit Bejleri. Sidriti eshte nje trashegimtar i Haki Bejlerit, nje nder spikerat e pare te talentuar ne Radio Tirana ne vitin 1947, ku do te punonte 30 vjet, por Haki Bejleri ishte i dashuruar dhe me instrumentin e violines.Edhe pse punonte si spiker ne Radio Tirana, por duke qene dhe nje violinist i talentuar, punoi prane Teatrit te Operas dhe Baletit per 20 vjet ne orkestren e tij. Sidriti ma permendi me krenari kete paraardhes te nderuar te tij dhe shprehte emocionet qe e kaplonin kur interpretonte ne te njejten skene ku kishte interpretuar si violinist, Haki Bejleri. Përvec interpretimit të muzikës operistike,Sidriti shquhet si një këngëtar me një zë të mrekullueshëëm dhe në interpretimin e muzikës së lehtë dhe asaj popullore.

Ai merr pjesë në dy vepra muzikale,si “Notre Damme“ të Kociante dhe në muzikalin “Moulin Rouge” të Kompanisë Teatrore “National Muzik Theatre”, vepra muzikore të parat në llojin e tyre të vënë në skenë në Shqipëri. Njohjen e parë të madhe nga publiku si këngëtar i muzikës së lehtë,e merr në spektaklin “100 Këngët e Shekullit” në TV-Klan,në vitin 2005 ku spikati në interpretimin e shkëlqyer të këngës hymn, “Për ty Atdhe” të kënduar më parë nga këngëtari i madh dhe i pa përsëritshëm,Mentor Xhemali Është fitues i vendit të parë në edicionin e parë të spektaklit “C’est la vie” në TV-Klan në vitin 2006. Për pesë vjet rresht (20011-2016) është pjesëtar i panelit të jurisë në formatin botëror të talent-show “The Voice of Albania” të zhvilluar nga Televizioni Top Channel”,në të cilin u dallua jo vetëm si mentor i përgatitjes së këngëtarëve konkurues,por dhe një nga figurat më simpatike të jurisë.

Sidrit Bejleri është edhe një kompozitor dhe tekstshkrues i tre albumeve të tij muzikore,si “100 vjet vetmi” me Grupin “Black Moon” në vitin 2000,albumi “Shend e verë” në vitin 2011 dhe albumi i tretë, “Pat kenë një kohë”,i cili publikohet së shpejti.Dy albumet e fundit kanë si orkestrues mjeshtrin, Shpëtim Saraçi. Ky artist,në vitin 2017 u angazhua tërësisht në një mision bamirës,ku shpalosi shpirtin e tij human.

Sidriti tani është një artist dhe një bamirës,një binom i mrekullueshëm në jetën e tij.

Emri i tij si një bamirës në ndihmë të familjeve në nevojë,u bë shumë shpejt i njohur nëpërmjet emisionit televiziv “Shqiptarët për Shqiptarët” të transmetuar në TV-News 24, një emision bamirës,i cili ka qëllim të evidentojë, të sensibilizojë dhe të zgjidhë hallet dhe nevojat e familjeve shqiptare në vështirësi ekonomike dhe shëndetësore. Ky mision humanitar i jashtëzakonshëm me protagonist Elvis Naçin karizmatik,i cili përçon në tërë qenien e tij vetëm mirësi, me Sidrit Bejlerin e kudondodhur dhe të rrethuar me dashurinë njerëzore dhe në drejtimin e moderatores simpatike dhe të admirueshme, Ola Bruko, do të bëhej shumë shpejt një nga emisionet më të bukura, më emocionalet që mban para ekranit të televizionit mijëra shqiptarë. Shumë shpejt ky emision dhe ky aktivitet sensibilizues e bamires do të zhvendosej dhe jashtë,në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët dhe siç shprehet Sidriti,ata vazhdojnë këtë mision bamirës sipas idesë madhore të Elvis Naçit, “Të ndarë në troje,por me zemër një”. nTë gjithë e dinë dhe e njohin Sidrit Bejlerin si një artist dhe bamirës shkodran. Por prejardhja dhe origjina e babait të Sidritit është nga qyteti i Libohovës, një qytet me tradita shumë arsimdashëse,i cili ka nxjerrë shumë figura dhe personalitete të shquara. mSidriti është një djalë libohovit,por e ndjen që është dhe një djalë shkodran. Nena e tij eshte nga qyteti i Shkodres prandaj në bisedën që pata me të e pranonte me krenari që ishte nga Libohova dhe nuk e ka mohuar kurrë edhe në intervista që ka dhënë,por me të drejtë më tha që i përkiste dhe Shkodrës,pasi aty u lind dhe u rrit dhe hodhi hapat e para në muzikë. Kjo dyshe e admirueshme,Elvis Naçi dhe artisti,Sidrit Bejleri kanë përqafuar misionin fisnik të bamirësit,që ju vijnë në ndihmë familjeve në nevojë, që ju ngrohin trupin dhe shpirtin e lënduar duke ju dhuruar atyre dhe fëmijëve të tyre një vatër të ngrohtë,duke ju kthyer buzëqeshjen e munguar prej vitesh dhe duke i ndihmuar në realizimin e shumë shërbimeve shëndetësore të vështira dhe shumë të kushtueshme, që për ta ishin të pamundura financiarisht për t’i realizuar. Është kjo veprimtari e begatë e këtij artisti në fushën e muzikës si dhe përkushtimi i tij i jashtëzakonshëm në misionin fisnik të një bamirësi të përkushtuar, që zoti Sidrit Bejleri të nderohej me Titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Libohovës.Kur ia komunikova këtë vendim,Sidriti shprehu mirënjohjen për nderin që iu bë, por më dha dhe lajmin shumë të gëzueshëm se ishte bërë dhe baba i një vajze. E urova me gjithë zemër për lindjen e vajzës dhe i thashë se muaji qershor i solli Sidritit dy gëzime. Sidrit Bejleri,ky “Qytetar Nderi” i Libohovës do të rreshtohet tani krahas shumë figurave të nderuara të këtij qyteti dhe do të jetë krenaria e tij.