Arlinda Guma: Maskilizmi historikisht i ka përjashtuar gratë nga podiumet e rëndësishme

1030
Të mos ta mendosh lexuesin gjatë procesit së të shkruarit është një nga kushtet kryesore që shkrimtarët duhet ta mbajnë në vend të Biblës. Kaq të shenjtë e ka letërsinë që lëvron shkrimtarja Arlinda Guma. Kjo jo për vetëkënaqësinë, që mund të dëshmojmë me bindje të plotë që për autoren do të ish meskine, por si vlerësim për lexuesin, ndjekës besnik të penës së saj. Gazeta Telegrafi pati kënaqësinë të bisedonte me autoren e romanit të suksesshëm “Bulevardi i Yjeve” për tituj të “peshës së rëndë” e bestsellera “pupël”, për feminizmin në letërsi e qarqe artistike dhe maskilizmin mbytës të agallarëve në të. Arlinda citon Thomas Mann-in, i cili thotë se “artisti ka marrë fund sapo bëhet njeri e nis të ndiejë”. Kjo nuk është e “pazakonta” e vetme e shkrimtares anti-konformiste. Kur ta përfundoni së lexuesi intervistën do të pyesni veten: Ç’qe kjo thagmë? Letërsia sipas Arlinda Gumës… 
-Arlinda, në esenë “Filozofia e kompozicionit”, Edgar Allen po e përshkruan hap pas hapi procesin e shkrimit të poezisë së tij të mirënjohur “Korbi”. Kjo lloj analize e procesit krijues, sugjeron se të shkruarit, më tepër se frymëzim i atypëratyshëm, apo muzë krijuese, është përllogaritje e vazhdueshme për të arritur efektet e dëshiruara letrare. Po për ju a është kështu? 
– Nuk do ta quaja përllogaritje. Ёshtë paksa e thatë si fjalë. Nga ana tjetër, kam një armiqësi kronike me fjalën “frymëzim”… por as me fjalën “muzë” nuk i kam punët mirë. Padyshim që është diçka midis të dyjave. Unë do ta quaja “vigjilencë”, “të jesh në gjendje të mbash nën kontroll muzën”. “Të dish ta sundosh atë dhe jo të të sundoje ajo ty”. Që do të thotë; jo gjithçka për të cilën ti e ndien të nevojshme të shkruash, mund të jetë letërsi e mirë. Po marr një rast tepër banal; ti ke humbur një dashuri dhe je “gjithë lot e qurre”. Të duhet një shami. Do të shkruash për këtë. Le ta marrë vesh bota sa po vuan! Mirë… por kjo gjë lexuesit serioz mund të mos i thotë asgjë, atij kjo mund t’i ngjajë thjesht një përqarje patetike. Ky është rasti më i gabuar për t’u ulur e për të shkruar, mendoj unë. Thomas Mann, në novelën “Tonio Kröger”, e ka thënë mjaft bukur; “Po e patët me merak të madh atë që doni të thoni, po ju rrahu zemra shpejt për subjektin tuaj, mund të jeni të sigurt për një dështim të plotë. Ndjenja e gjallë dhe e ngrohtë është gjithnjë banale, atë s’ke ku e përdor, dhe vetëm dridhjet, ekstazat e ftohta të sistemit tonë nervor të zvetënuar prej artisti, kanë një karakter estetik. Artisti ka marrë fund sapo bëhet njeri e nis të ndiejë.” Personazhi i Thomas Mann-it e thotë me një lloj sarkazme dëshpëruese këtë, pasi artisti, dreqi ta marrë, është edhe njeri. Pra i duhet të sakrifikojë njeriun për shkrimtarin. Unë, nuk është se e pohoj me entuziazem, por ama më duhet ta pranoj që ka të drejtë. Poezitë më të këqia jane shkruar nga ndjenjat e vërteta, ka thënë diku Oscar Wilde. 

Cilat janë veprat tuaja më të parapëlqyera në letërsinë shqipe? 
Çdo poezi që ka shkruar Frederik Rreshpja, por si të gjithë librat e mirë, ata të tijtë, asnjëherë nuk i gjen nëpër librari. Rreshpja është poeti më brilant e më i jashtëzakonshëm që ka patur Shqipëria, fatkeqësisht me fatin aq tragjik. Në një shkrim në përvjetorin e tij të vdekjes, kur atë nuk e kujtoi askush, e kam quajtur një impresionist, një Monet të fjalës që vizaton me vrajat e shpirtit; me dhimbjet e tij të bukura. Poezia e tij është aq e gjallë, aq e përsosur në imazhe. Atëherë kur e shkrova nuk e dija që Rreshpja adhuronte edhe pikturën. Vonë e kam mësuar këtë dhe kjo shpjegoi shumë tek unë rreth profilit të tij artistik. Ju gazetarët duhet të bëni diçka që ky poet të njihet më shumë. Ёshtë më e pakta që mund të bëjmë për të. I kemi shumë borxhe Rreshpjes; poet dhe njeri. Për të vazhduar më tej me Migjenin. Adhuroj çdo gjë që ka shkruar. Më vjen keq që askush nuk është kujdesur që një shkrimtar kaq tronditës e madhështor si ai të përkthehet në gjuhë të tjera. “Prilli i thyer”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Kronikë në gur”, janë veprat më të përkora të Kadaresë sipas meje. “Prilli i thyer” për mua mbetet vepra më e mirë e tij. “Kronikë në gur” gjithashtu është një prozë e shkëlqyer poetike, ku absurdi është në shkallën më përsosur të tij. Më pëlqen romani “I humburi” i Fatos Kongolit. Ylljet Aliçka është mjaft në sintoni me shijet e mia letrare. Ndërsa dy vargje të Azem Shkrelit nuk më hiqen nga mendja; Nëse nuk shihemi Nëse pikëllimi ka mall Thuaj; u pamë në një përrallë…

Cili është zhanri letrar në të cilin ju pëlqen të lexoni dhe të shkruani?
Më pëlqen të lexoj dhe të shkruaj romane, por në veçanti, më pëlqen shumë-shumë të shkruaj prozë të shkurtër. Para disa vjetësh, kur unë shkruaja tregime, lexuesit më thoshin se isha shumë sintetike, ata kërkonin t’i zgjeroja ato që shkruaja, donin të njiheshin pak më shumë me personazhet e mi. Kështu u binda, erdhi dita dhe shkrova një roman, por ama, edhe në atë roman unë kam ruajtur fanatikisht strukturën e tregimeve të mia të shkurtra. Pra romani për mua nuk është gjë tjetër veçse “një tregim me zorrët jashtë”. Një tregim i tjerrë.

Në romanin e tij autobiografik “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, Amos Oz shprehet se ishte pasioni i madh për të lexuarit që e çoi atë tek të shkruarit. A është e vërtetë kjo në çdo rast? A duhet të kesh lexuar shumë dhe ethshëm për t’u bërë shkrimtar? 
Në të shumtën e rasteve është e vërtetë. Në fillim vjen dëshira për të lexuar, pastaj vetiu vjen nevoja (theksoj; nevoja, jo dëshira) për të shkruar. Nga kjo përjashtohen ata që fillojnë të lexojnë në moshë te rritur, dhe duan të bëhen me çdo kusht shkrimtarë. Të fillosh të lexosh, bie fjala 15 vjeç, mua më duket tepër vonë. Për mua shkrimtarët ndahen në dy grupe; në ata që shkruajnë për t’u bërë të famshëm dhe në ata që e ndiejnë të nevojshme të shkruajnë, pa u kokëçarë se si do t’i duket botës ajo që kanë shkruar. Michel Houellebecq ka thënë se është më bukur të lexosh se të shkruash. E pranoj, ndonjëherë mund të jetë më komode, atëherë kur subjekti nuk ecën, shkrimtari shndërrohet në një përbindësh, thotë Kafka (unë në raste të tilla vizatoj), por kur fjalët të fluturojnë nëpër tastierë, nuk ka ndjesi më të përkorë. Fëmijë, kam lexuar si një makineri e pandalshme gjithçka që më dilte përpara. Romanin e parë për fëmijë e kam lexuar 6 vjeç, ndërsa atë për të rritur 8 vjeç, ishte romani “Iluzione të humbura” i Balzac-ut, dhe që atëherë, më dukej sikur gjeja ngapak Lysien në të gjithë librat që shfletoja. Edhe pse në atë moshë nuk kupton shumë nga ajo që lexon, unë mendoj se vepra përpunohet në pavetëdijen tënde prej fëmije, por duhet të kalojnë kohë që ti të bëhesh i vetëdijshëm për rezultatin. Ajo është gjithmonë aty; nën lëkurën tënde të njomë. Asgjë nuk humbet pa u përthithur kur lexon në moshë të vogël. Janë piketat e “ndërtesës” tënde si njeri. Nga ato varet nëse ti do të bëhesh një ndërtesë e hijshme, apo një karakatinë. 

Nëse do ta rishkruanit romanin tuaj Bulevardi i Yjeve, çfarë do të ndryshonit në të? 
Asgjë… Romane si ai të vijnë vetëm njëherë në jetë. Por e pranoj, “Bulevardi i Yjeve” është një roman që kërkon një sy të stërvitur me letërsinë serioze dhe kjo e fundit nuk është asnjëherë e preferuar nga turmat e shijeve komerciale. 

Në botën e cilit romani do të donit të ishit duke jetuar? 
Ah, pyetje shumë e bukur! Do të doja të jetoja në atmosferën e romanit që jam duke shkruar, ndoshta mund të kem jetuar, ku i dihet… Kam rrezikuar shumë me këtë roman. Një studiues francez, i cili lexoi në shqip “Bulevardin e Yjeve”, e quajti “revolucionar”, ndërsa po të lexonte këtë që po shkruaj tani, me siguri do ta quante “një roman anarkist”, pasi ky është edhe më “rebel” se “Bulevardi i Yjeve” nga struktura. Midis të tjerash ky roman ka një atmosferë të bukur. Nuk mendoja se do lidhesha edhe me këtë kaq shumë. Kujtoja se vetëm personazhet e “Bulevardit të Yjeve” gëzonin privilegjin e dashurisë sime të pakushtëzuar. Edhe në këtë roman, ashtu si në “Bulevardin e Yjeve”, nuk kam bërë asnjë kompromis me komercializmin, dmth.; nuk jam thjeshtuar apo rozëzuar që të kuptohesha apo preferohesha nga turma. Pak a shumë e kam krijuar lexuesin tim. Ёshtë ai që u rri larg turmave. – Ekziston një lëvizje feministe në letërsinë shqipe? Jo, nuk mendoj se ekziston. Por ama kemi “lëvizjen e burrave dërdëngë të zamanit”, fotot e të cilëve na shfaqen në çdo panair, ndërkohë që fotot e shkrimtareve femra janë krejt të përjashtuara. Përgjithësisht, femrat në qarqet artistike (dhe jo vetëm) janë tepër të zëna duke luftuar njëra-tjetrën, në vend që të bashkohen për kauza më fisnike. Nuk kemi sindikata… e as lëvizje feministe…. në letërsi e më gjerë se kaq. (por këtë nuk e them me euforinë me të cilën e thotë kryeministri) Shikoj në Parlament kur ndonjë grua ngre zërin, burrat e sulmojnë duke i thënë; Je bërë si burrë! Dhe ajo intimidohet disi nga këto goditje të ulëta. Feminiteti nuk humbet kur ngre zërin, por kur nënshtrohesh. Kur ngre zërin, përkundrazi, ai bëhet më i hijshëm e dinjitoz. Kam dëgjuar një deputet njëherë, në një emsion ku diskutonte për kuotat e grave (me mendje të vet i dukej se ishte në mbrojte të tyre), i cili thoshte se gratë duhet të jenë në Parlament për të zbutur burrat! Më la me gojë hapur ai njeri. Pra, gjithçka në funksion të burrave! Gratë nuk duhet të jenë në Parlament për të zbutur burrat! Ata le të zbuten vetë! (Nëse nuk ia arrijnë me forcat e tyre, le të marrin ndonjë arush pellushi e ta vërtisin nëpër duar gjatë seancave…) Gratë duhet të jenë në Parlament për kauza të mëdha, me të drejta te barabarta, dhe jo me “misone geishash”! Fola për Parlamentin, ngaqë të gjitha këto pasqyrohen edhe në botën e letrave, pasi edhe shkrimtarët janë pjesë e kësaj shoqërie. 

Nobelistët në letërsi më së shumti janë meshkuj, ndërsa femrat, më të pakta, si e shpjegoni këtë? 
Ka patur dhe ka jo pak shkrimtare të mira nëpër kohëra, por maskilizmi; i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, historikisht i ka përjashtuar gratë nga podiumet e rëndësishme. Nëpër epoka gratë janë parë si një mjet argëtimi, që nuk duhet marrë seriozisht. Po marr një shembull jashtë botës së letrave; Marilyn Monroe-në, e cila ishte një grua mjaft inteligjente, por që mentaliteti shovinist, maskilist, e detyroi qe të ndërtonte atë profilin e koketës mendjelehtë, për të mbijetuar në Hollywood-in e paskrupullt. Ajo koketa, së cilës i valëvitet fustani prej erës dhe i zbulon këmbët, ndërkohë që atje përreth, dhjetra sy të babëzitur zbaviten me pamjen që shpërfaqet. Gjithmonë më është dukur poshtëruese ajo skenë. Nuk i kam gjetur kurrë as grimën më të vogël të bukurisë. Ky ishte caku që maskilizmi i vendoste femrës nëse ajo do të kishte ambicie për të ecur. Por Marilyn Monroe ishte shumë më tepër se kaq. Vetëm se askujt në Hollywood nuk i interesonte brendia e saj. Këtë ajo e kishte kuptuar mjaft mirë. Dhe përpiqej sidoqoftë të ecte brenda hapësirës së saj të cunguar. Është ca e trishtë e gjithë kjo, po të mendosh se nuk ka ndryshuar shumë qysh atëherë, maskilizmi vetëm sa është bërë më i fshehur në kohërat moderne. 

Çfarë e ndan letërsinë e mirëfilltë, nga letërsia masive? (best-seller-at, librat rozë e të verdhë me subjekte telenovelash) E ndajnë para së gjithash happy-end-et klishe, ato fundet e stisura, aq banale, ku i miri fiton gjithmonë. Këto klishe i kanë shkaktuar njerëzimit më shumë dëme se bomba atomike. Kur lexojmë ato libra, e mendojmë veten si ai heroi me një fund të mrekullueshëm dhe presim të na ndodhë edhe neve ajo mrekulli. E kur nuk na ndodh, kur jeta na jep disa shpulla pas të cilave e kemi të vështirë të marrim veten, fillojmë të fajësojmë fatin se është i padrejtë… I miri nuk fiton gjithmonë! Dhe bota është një xhungël e pamëshirshme! Më mirë t’ia themi fëmijës këto, se sa t’i këndojmë broçkulla të kaltra. Më mirë t’i themi; – Ngrihu dhe lëviz! Nga një dështim në tjetrin. Fail again, fail better, thotë Beckett-i. (dështo sërish, dështo më mirë). Ti nuk je as heroi shpatullgjerë dhe as Hirushja që shndërrohet në princeshë. Zotit atje lart do t’i hapej punë me gjithë ata princër e princesha të kaltra, që do të dinin vetëm të dridhnin zinxhirin… E dyta; letërsinë e mirëfilltë nga ajo masivja e ndan mosbërja e kompromiseve. Të mos e mendosh fare lexuesin kur shkruan. Kjo duhet të jetë në vendin e Biblës për shkrimtarin. Sepse, sado e ndërlikuar, e çmendur, e pakuptueshme, mund të ngjajë një vepër letrare në fillim, kur është e fuqishme, ajo mund të përthithet nga lexuesi përpara se të arrijë të kuptohet. Kur është e fuqishme, ajo mund të t’i shkallmoje caqet, të ta krisë botën, dhe pastaj të bëjë që prej krisjes të riagojë dritë. Kështu fillojnë revolucionet.
 
– Intervistoi : Hermes Nikaj
Sigal