Avdyl Sulaj: Gjendja e rëndë ekonomike, i detyron shqiptarët të emigrojnë

    362
    Shoqëria njerëzore po përjeton një dramë të dhimbshme me përmasa që ua kalon tragjedive të Eskilit e të Shekspirit. Qindra refugjatë, personazhe të kësaj drame, shfaqen para syve tanë në ekranet televizive duke i gllabëruar morgu gjigand i deteve. Turma të tjera masive, edhe me foshnja në duar, duke kaluar një kalvar të gjatë mundimesh, duke udhëtuar ditën e natën, maleve e pyjeve me rreziqe të panumërta, Ç ka të kujtojnë eksodet legjendare biblike. Shumë prej tyre duke rënë dhe viktima të trafikantëve të pashpirt, në kërkim të azilit në botën e lirë, kryesisht në Europë. 
    Nga ana tjetër Europa e alarmuar. Thirrje për t’i përzënë dhe për t’i kthyer në vendet e origjinës. Qëndrime dhe masa ekstreme të disa shteteve. Hungaria ngriti gardh me tela me gjëmba për t’i penguar që të mos kalojnë në territorin e saj. Maqedonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe i lëshoi policët me bomba gazlotsjellëse për t’i ndaluar ata. Bullgaria kërcënoi se do të përdorë ushtrinë. Çekia kumtoi se do të pranojë vetëm refugjatë katolikë…! 
    Fatmirësisht kohët e fundit Europa ka zbutur tonet dhe ka Çelur dyert për refugjatët afro-aziatikë, që vijnë nga vendet në luftë e në konflikte për t’i shpëtuar dhunës e terrorit të llahtarshëm. Por Çuditërisht për azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit perëndimor Bashkimi Europian po mban qëndrim strikt dhe të njëanshëm, duke ngulmuar për kthimin e tyre në vendet prej nga kanë shkuar. Mirëpo a gjen zgjidhje ky problem madhor me përzënien e tyre, Çka po theksohet dhe kërkohet me këmbëngulje? Kjo do të ishte rrugëzgjidhja më e thjeshtë administrative, pa perspektivë, që bazohet vetëm tek pasojat e kësaj dukurie, tashmë ndërkombëtare. Zyrtarët e lartë europianë kanë bërë me dije se pjesa më e madhe e azilkërkuesve nga ky rajon kanë ardhur për motive ekonomike, ngaqë nuk kanë punë në vendet e tyre, kanë të ardhura tejet të ulëta dhe standard jetese të mjerueshëm. Por nga Bashkimi Europian lipset jo thjesht konstatim i këtij realiteti, por reflektim konkret ndaj tij. Ky tregues në radhë të parë flet për thellim të pabarazisë në shvillimin ekonomik e social ndërmjet vendeve të kontinentit tonë, sidomos ndërmjet atyre të Ballkanit perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia e Serbia dhe vendeve të zhvilluara uropiane. 
    Kthimi i refugjatëve në këto rrethana ekonomike e shoqërore nuk do të ishte zgjidhje e duhur dhe afatgjatë e problemit. Bashkimi Europian i zgjati dorën e ndihmës Greqisë me 84 miliardë euro dhe e shpëtoi nga rrokullisja në humnerën e falimentimit. Një paketë e ngjashme si “Plani Marshall” i SHBA-ve për Europën perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore me ndihma, kredi dhe investime ekonomike për këto vende do të ndikonte menjëherë për zhvillimin e prodhimit e të shërbimeve publike në to, do të Çonte në punësimin e njerëzve dhe rritjen e standardit të jetesës së tyre. Kjo do të ishte dhe masa më e frytshme dhe me perspektivë për zgjidhjen e këtij problemi. Ajo do të ndikonte ndjeshëm dhe në zvoglimin e kërkesave për azil nga shtetasit e këtyre vendeve. Nga ana tjetër përdorimi i fshesës administrative, me detyrim dhe policë, bie ndesh me vetë parimet dhe idealet e Bashkimit Europian, i cili në qendër të strategjisë së tij ka vënë dinjitetin njerëzor. Vendet e Ballkanit perëndimor janë kandidate për t’u anëtarësuar në Europën e Bashkuar. Ndaj dhe azilkërkuesit prej këtyre vendeve janë gjysmështetas të saj. Kështu që përzënia e tyre me forcë nuk pajtohet me frymën, solidarësinë dhe strategjinë përbashkuese të familjes së përbashkët europiane. Gjendja e rëndë ekonomike, që i detyron refugjatët të emigrojnë, është pasojë dhe e korrupsionit që ka kapluar shtetet e Ballkanit perëndimor. Elitat politike dhe pushtetet në këto vende në plan të parë kanë vënë pasurimin me Çdo kusht nëpërmjet vjedhjeve e shpërdorimeve të fondeve publike. Ndërsa përshpejtimi dhe pranimi i tyre në familjen e përbashkët europiane, konsolidimi i institucioneve qendrore të BE-së dhe zgjerimi i kompetencave të tyre për kontroll në të gjitha vendet anëtare, do të ishte një masë tjetër e frytshme, që do të ndihmonte për zgjidhjen e problemit dhe daljen nga kriza të këtij rajoni euro-ballkanik. Kthimi i azilkërkuesve ballkanas do t’i përballë ata me gjendje dhe kushte edhe më të mjerueshme sesa në ato që kanë qenë para se të emigronin. Ata tashmë kanë humbur vendet e punës, kanë shitur pasuritë dhe shumë prej tyre edhe banesat, pra do të kthehen si refugjatë në vendet e tyre. Për pasojë, ata sërish do të nxiten të emigrojnë në rrugë ilegale në Europë, të punësohen në punë të zeza apo të merren me kontrabandë dhe veprimtari të paligjshme. Problemi i azilkërkuesve, pra, prej Ballkanit perëndimor, paraqitet i shumanshëm dhe i ndërlikuar. Si i tillë, ai kërkon dhe masa të tilla të shumanshme me ndikime afatgjata nga institucionet e përbashkëta europiane, në bashkërendim dhe me shtetet përkatëse të rajonit.
    Sigal