Albert HABAZAJ*/ Krijuesit e parë të folklorit të Epikës Historike të Luftës së Vlorës gjenden në burimin e këngës

668
Sigal

NËPËR KËNGËT MË TË HERSHME PËR LUFTËN E VLORËS, 1920

* studiues

Krijimi folklorik e ka një fillesë krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në qarkullimin folklorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike. Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e parë. Një nga këta poetë modestë të popullit, që s’ humbi, si humbitnin dikur emrin, duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Vlorës (1900 – 1978).

Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj., patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtpërdrejtë, aty për aty, ngjyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia. Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e trimërisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, – thonë banorët e Lumit të Vlorës – e ka zënë buba atë punë!...Kjo është shkalla sipërore e vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim.

Këtu e ka zanafillën rrëfimi i këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy – tre strofa dyshe, shtruar,vënçe, pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy – tre strofa dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne, si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim, ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me bri!/  E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/ Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.