Ahmet DEMAJ/Pavdeksi historike

723
Sigal

Tek familjet e mëdha gjenden veprime fisnike, cilësi të rralla që bëjnë histori                         

Koha që njihem me krijuesin Dr. Asqeri Llanaj është e shkurtër, por leximi i disa veprave të karakterit historik e letrar që ka nxjerrë në dritë më bën të shprehem sikur e njoh prej vitesh. Janë 20 botime të tij. Më i fundit Monografi “Ali Rrapaj, Nuredin Aliu”. Atdhetarizmi i familjes cakranjote. Ka shumë vlera që mund të nxjerrësh në pah, por tri janë arsyet që mua më bënë ta lexoj në çdo faqe me vëmendje, madje, të mbaja edhe shënime për të qartësuar ngjarje historike, tregues  fisnikërie, kanune krahinash apo kuvende burrash. Pra, arsyeja e parë është se kemi të bëjmë me një monografi të një familjeje të madhe dhe me emër të mirë. E dyta, sepse në këtë monografi është skalitur përfaqësuesi i një krahine të madhe, si Mallakastra. E treta, kjo figurë, pra Nuredin Aliu, shërben si ura lidhëse midis krahinës së Mallakastrës dhe Labërisë tonë. Janë pritur me interes emisionet televizive për familjet e mëdha dhe po kështu lexohen me endje edhe monografitë e tyre. Aq më tepër libri Ali Rrapon dhe Nuredin Aliun, që të dy bashkë, bëjnë një histori patriotike dhe atdhetare për mbi 150 vjet. Dy jetë në një libër që nuk gjen veç  rritjes së figurës së tyre (babë e bir) në gjithë historinë e Cakranit, Mallakastrës, Shqipërisë. Me 350 ha tokë bujqësore, 3000 rrënjë ullinj, 990 ha kullotë, 162 ha pyje, dy fabrika vaji! Çfarë duhet më tepër për të pasur emrin familje e madhe? Asgjë! Veç  babë e bir e rritën më shumë emrin e Rrapajve me bëmat e tyre në momentet që vendi donte zot. Kështu vepron Ali Rrapo në kuvendet e burrave brenda e jashtë Mallakastrës. U qëndroi besnik dhe e ngriti më lartë këtë veprimtari i biri, Nuredin Aliu, që ngelet edhe personazhi kryesor i këtij libri e që Asqeri Llanaj ka ditur të zgjedhë që nga 1895 që lindi e deri te telegramet ngushëlluese ditën që vdiq. Këtu qëndron mjeshtëria krijuese e Asqeriut, që jo të shohë, por të “sitë” atë material voluminoz e të na japë një koncentrat historiko – letrar në 390 faqe. Tek familjet e mëdha, ndofta për të mbajtur e ngritur më lartë emrin e tyre, gjenden veprime fisnike, cilësi që e lakmojnë shumë, por pak e arrijnë. Janë dy momente të thjeshta: Një vajzë shërbëtore në familjen e Nuredinit trajtohet si vajzë shtëpie. E martojnë me shpenzimet e tyre dhe e kthejnë si bijë të tyre. Dhe e dyta, gruaja e parë e Nuredinit (që kishte emrin Zengjine, është zengjine edhe në shpirt), nuk lindte fëmijë dhe e detyron burrin e saj, Nuredinin, të rimartohet dhe që andej e tutje do ta konsideronte si vëlla, sepse vetëm kështu nuk do ndërpritej zhvillimi i fisit të Rrapajve. Në rrallë familje shqiptare kemi vazhdimësi kaq pozitive. Dhe Asqeri Llanaj i ka lidhur ngjarjet historike me veprimet kontribuuese të Nuredin Aliut, si hallka të një zinxhiri. 1847, kuvende të Labërisë përfaqësues babai, Ali Rrapo; 1920 del Nuredini, që vazhdon 1924, 1939 – 1944 e deri ditën që mbylli sytë. Sa detyra kreu? Shumë. Aq  shumë, sa që në një shkrim të tillë nuk mund të numërohen. Veçse autori ka evidentuar fakte, ngjarje, data, foto, elemente të tilla që nëpërmjet veprimeve të personazhit të ngrejë lavdinë e Cakranit dhe Mallakastrës. Ky burrë cakranjot e përfaqëson që nga kryetar këshilli deri në Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër. Kaq ndikues me rolin dhe shembullin  e tij sa dhe i arratisuri Mersin Arapi vepron si një rilindës, duke blerë e shpërndarë abetare. Prej kësaj monografie mësojmë se Nuredin Aliu është burrë përfaqësues në nivele të larta, si Hysni Kapo, Hasan Pulo, Rexhep Sulejmani, Jaho Gjoliku, Pajo Islami, etj., burra, ndaj ai përfaqëson Mallakastrën në Kongresin e Përmetit, deputet në Kuvendin Popullor apo dekorime të rralla para dhe pas vdekjes. Janë shkathtësia e Nuredin Aliut, zgjuarsia e tij, që shokët dhe miqtë e tij i zë në Vlorë, ose Ai qe urë lidhëse e Mallakastrës me Labërinë. Në këtë përfundim arrin lexuesi kur mbaron së lexuari librin dhe ka të drejtë kur gjen deklarata të tilla në telegramet e Enver Hoxhës: Më preku thellë vdekja e mikut tim xha Nuredinit. Mehmet Shehu: Asnjëherë Nuredini nuk ka pasur parasysh interesin personal. Hysni Kapo: Ju lutemi pranoni ngushëllimet e mia më të përzemërta. Me këto vlerësime do të shprehej Manush Myftiu, Liri Belishova e shumë të tjerë. Po të kthehemi në kohën kur janë bërë këto deklarata, krijojmë qartësi se personazhi i kësaj monografie, Nuredin Aliu, ka qenë figurë e vlerësuar dhe autori i librit na i ka prurë këto vlera shumë bukur në librin e tij. E që libri do të jetojë edhe 100 vjet të tjera, për këtë lavdërohet guximi i Asqeri Llanaj. Dhe brezat do thonë: Paska qenë Nuredin Aliu në shërbimin shëndetësor, në folenë e malaries dhe e zhduku; atje tek azili i pleqve e uli mortalitetin. Libri ka fotografi individësh, simbole lufte, lapidarë, relike individuale. Të gjitha artistikisht e zbukurojnë librin, historikisht shërbejnë si tapi historike, orientojnë, saktësojnë, këshillojnë për dje, për sot dhe, pse jo, për nesër. Deklarata e të huajve f. 241, zgjidhja e rrëmbimit të 20 djemve f.254, kafshata e bukës së gojës kur nazistët  i rrëmbyen nënës dy djemtë e saj 267, janë ngjarje që meritojnë libra të veçantë.

Kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”

                                                V L O R Ë