Vrasja e Ivanoviç, digjet një makinë në Mitrovicë. Policia e Kosovës: Çfarë gjetëm në vendin e ngjarjes

76
Policia e Kosovës ka reaguar zyrtarisht për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic.
Policia është njoftuar se rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të Oliver Ivanovc, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.
Viktima, është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.
“Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin zyrtar të PK-së.
Gjithashtu, rreth orës 09:15, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, Policia ka lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.
Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.