Vdes nga të ftohtit e moshuara Barbulla Pepa, që kishte një muaj pa energji elektrike

458
Mori dhembshurinë e gjithë shqiptarëve dhe kontributin simbolik për shlyerjen e faturave të energjisë të disa njerëzve zemërmirë, por vetëm kaq. Tashmë 91-vjeçarja Barbulla Pepa nuk do t’i kërkojë më lëmoshë askujt dhe nuk do të jetë më një barrë për shtetin. E vetme, në kushtet e të varfërisë ekstreme dhe pa energji elektrike ajo është ndarë sot nga jeta. Barbulla Pepa, e cila rreth një muaj e gjysmë më parë i bëri apel qeverisë që t’i rilidhte energjinë e elektrike nuk mundi ta përballonte dot këtë dimër të ftohtë, krejt e vetme. Kanë qenë fqinjët e të moshuarës. të cilët e kanë gjetur atë të pajetë brenda, banesës, që vetëm emrin kishte të tillë. Apeli i 91-¬vjeçares, e cila jetonte e vetmuar nuk e mori vëmendjen e institucioneve, të cilat heshtën përballë varfërisë së saj, duke mos i dhënë asnjë ndihmë.

Madje, organet kompetente u kujtuan vetëm për t’i ndërprerë lidhjen e energjisë elektrike, duke e lënë muaj të tërë të moshuarën në terr. Kanë qenë vetëm qytetarë të thjeshte të cilët u sensibilizuan, pas publikimit të rastit në media, duke e ndihmuar 91-¬vjeçaren që të paguante detyrimet në OSHEE. Duke qenë se jetonte e vetme, janë fqinjët ata që kanë hapur dyert e mortit për nënë Barbullën. Ajo u shua duke marrë me vete vuajtjet, skamjen, vetminë dhe braktisjen e institucioneve shtetërore. Ajo ka lënë pas dashurinë dhe respektin për njerëzit që iu gjendën në ditët e territ.
Sigal