Krimi terrorizon vendin, dje, 2 të vrarë e 3 të plagosur në 2 atentate

493
Sigal

Në pak orë, vriten me armë 2 vëllezër në Laç, plagoset me pistoletë një në Shkodër, e 2 ton drogë nisen për në Itali

Atentatet, vrasjet dhe plagosjet e rënda kanë terrorizuar edhe ditën e djeshme vendin, duke shtuar më tepër pasigurinë për jetën dhe pronën e qytetarëve. Kronikat zyrtare të policisë regjistrojnë këtë aktivitet kriminal gjatë ditës së djeshme: Djegien e një automjeti të oficerit të policisë në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, vrasjen e dy vëllezërve me armë zjarri në qytetin e Laçit, një të plagosur rëndë me armë zjarri në orët e vona të së martës në Shkodër. Ndërkohë, ka vazhduar të jetë e hapur ‘porta’ e trafikut të drogës drejt Greqisë, ku ngarkesa e radhës ka qenë jo pak, por plot dy ton drogë Lazarati. I vetmi ngushëllim për policinë është fakti se në Shkodër është identifikuar një bazë tritoli, ku janë bllokuar 238 kallëpe lëndë plasëse. Ajo që bie në sy në komunikatën e policisë është deklarimi se “vrasjet dhe plagosjet në Laç i ka bërë një i sëmurë mendor”. Por si ka mundësi, që një i sëmurë mendor (siç thuhet në komunikatë), që përdor mjeshtërisht si kauboj dy pistolete e i rimbush ato me karikatore duke bërë gjëmën në njerëz, të lihet i lirë apo të mos jenë nën kontroll, minimalisht për mbajtje armësh pa leje”!?

 DY TË VRARË NË LAÇ

Bilanci i krimit në Laç është dy të vdekur e dy të plagosur. Krimi i ndodhur mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit, pranë stacionit të autobusëve terrorizoi banorët e qytetit të vogël. Viktima të 27- vjeçarit Altin Piroli, i cili sipas policisë së Qarkut të Lezhës  ka problem mendore, janë  2 vëllezërit Andrea Cara dhe Endri Cara përkatësisht 27 dhe 30 vjeç, dhe 2 të plagosurit Nikoll Ndoji dhe Tonin Gjini 24 dhe 22 vjeç. Dy vëllezërit ishin pronarë të lokalit, ku ndodhi vrasja dhe viktimat ishin shokë me 27 vjeçarin. Të tre ishin nga fshati Zhej i rrethit të Kurbinit. Ndërkohë, të plagosurit, Nikoll Ndoji dhe Tonin Gjini 24 dhe 22 vjeç janë sjellë në Tiranë në spitalin e traumës për mjekim më të specializuar. Mjekët thonë se, njëri nga të plagosurit ka plagë në zonën e legenit ndërsa tjetri në krah. Ngjarja është shënuar rreth orës 08:00. I akuzuari ishte parë që në mëngjes teksa lëvizte me pistoletë në dorë në qendër të qytetit të Laçit. Në lokalin e viktimave, autori ka shkuar të pijë kafe dhe ka qëlluar mbi ‘ta sapo i ka parë duke hyrë brenda. Autori ka qëlluar mbi vëllezërit dhe pasi ka zbrazur karikatorin ka dalë jashtë lokalit dhe rreth 50 metra më tutje ka rimbushur pistoletën duke filluar sërish të qëllojë në mënyrë të pakontrolluar. Të shtënat kanë ngjallur panik dhe qytetarët që kanë qenë aty janë munduar të largohen, por plumbat kanë kapur dy kalimtarët. Madje, dëshmitarët tregojnë se autori i ka drejtuar pistoletën edhe policisë, por fat të mirë pistoleta ka qenë bosh. Autori u arrestua disa metra larg vendit të ngjarjes dhe policia ka sekuestruar edhe dy pistoleta, si prova materiale. Altin Piroli dy vite më parë kishte plagosur djalin e xhaxhait të tij 13 vjeç dhe për këtë vepër penale ishte dënuar me 1 vit burg. Dënimin e kishte kryer në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Ai njihej edhe si një person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa mësohet se viktimat nuk kanë pasur konflikt me autorin
ATENTATI NË SHKODËR
Një atentat tjetër në orët e vona të ditës së djeshme në Shkodër ka bërë që një person i plagosur me armë zjarri, të jetë në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja ndodhi në orën 19:00 në vendin e quajtur lagjja “Salo Halili” Shkodër. Në atentat është plagosur me armë zjarri, pistoletë, me një plumb në shpinë nga persona të pa identifikuar shtetasi Rrenato Gjoka, vjeç 37, banues në Lagjen “Salo Halili” Shkodër. Sipas policisë, “ky shtetas aktualisht ndodhet ne Spitalin Rajonal Shkodër në gjendje të rëndë për jetën”. Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e policisë dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje. Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit te ngjarjes.

ZBULOHET BAZA E TRITOLIT

Dje, në një banesë në fshatin Kurtaj të Malësisë së Madhe, është zbuluar një bazë, ku përgatitej dhe përpunohej tritoli dhe është sekuestruar edhe pajisja që përdorej për përpunimin e tritolit.  Policia bëri të ditur se, në banesën e Tafë Balijaj janë sekuestruar edhe 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatore si dhe 100 copë granata, 3 automatikë. Tafë Balijaj është arrestuar, disa të tjerë po merren në pyetje në lidhje mënyrën e sigurimit të eksplozivëve si edhe personat të cilët e blinin atë. Në kërkim është shpallur djali i Balijajt i cili akuzohet se ishte personi që mbante kontaktet për sigurimin, përgatitjen dhe shitjen e tritolit.
TRAFIKU I DROGËS

Ditën e djeshme, është identifikuar e bllokuar një sasi 2 ton drogë që synohej të trafikohej në Itali. Konfirmohet gjithashtu se droga kishte origjinë Lazaratin dhe është bllokuar në Kotë të Vlorës në një furgon tip ‘Iveco’ me targa AA961AY. Sipas policisë, furgoni me të cilin po transportohej droga ishte me targa falso. Drejtuesi i mjetit ka braktisur furgonin në fshatin Kot dhe është larguar sapo ka kuptuar se po ndiqet nga policia. Forcat e policisë së qarkut Vlorë kanë shoqëruar tre persona të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë. Ndërsa në orët e para të ditës së martë, në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, i është vënë zjarri një makine “Toyota” në pronësi të M. M., punonjës i policisë. Fatmirësisht nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar. Pista kryesore e hetimit është ajo e konflikteve të mundshme për motive pronësie.