Ministri Naço: “Ja risitë në projektligjin “Për dhënie amnistie””

456
Sigal

Ministri Naço: “Qëllimi është dhe do mbetet ulja e numrit të të dënuarve dhe jo zhvillimi i politikave penale”

Ministria e Drejtësisë dhe ministri Nasip Naço kanë ndërmarrë nismën për të sjellë risi në projektligjin për dhënie amnistie dhe specifikisht në raport me dënimin penal. Ministri Naço thekson se, zbatimi i politikës “që burgimi të përdoret si mjet i fundit” është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin e politikave të tjera ku dënimet alternative vlerësohen si një opsion i suksesshëm. Nevoja për të miratuar këtë ligj është e lidhur ngushtësisht me ashpërsimin e politikave penale për vepra penale, me masa dënimi mbi 5 vjet dhe zbatimin e dënimeve alternative për vepra penale, të cilat parashikohen në Ligjin për Ekzekutimin e Dënimeve Penale.

-Gjatë hartimit të këtij projektligji për amnistinë, është marrë në konsideratë:
• analiza e riskut individual për personat, të cilët janë subjekt i ligjit;
• masa e dënimit të tyre;
• veprat penale të kryera;
• koha e mbetur e dënimit;
• mosha aktuale e personit të dënuar;
• mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale.
Në thelb të kësaj amnistie mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo e veprës penale, ku në nenin 4 të projektligjit është parashikuar shprehimisht “kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë”, që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Qeveria shqiptare synon që, çdo vit, jo më vonë se data 31 Mars, Ministri i Drejtësisë, në emër të Këshillit të Ministrave, t’i përcjelli Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim, të lidhura me luftën kundër kriminalitetit, ashpërsimin e dënimeve për veprat penale për të cilat aplikohet një masë dënimi me burgim mbi pesë vjet, ashtu sikurse duhet të procedojë më tepër në zgjidhjet alternative për vepra penale më të lehta.

Alternativat e dënimit janë parashikuar në kreun VII të Kodit Penal “Alternativat e dënimit me burgim” dhe konkretisht në nenet:
neni 58 “Gjysmëliria”,
neni 59 “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”;
neni 59/a “Qëndrimi në shtëpi”;
neni 60 “Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë”;
neni 60/a “Detyrimi për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës”;
neni 61 “Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës”;
neni 62 “Shkelja e kushteve dhe e detyrimeve gjatë kohës së provës”;
neni 63 “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimi për kryerjen e një pune me interes publik”;
neni 64 “Lirimi me kusht”;
neni 65 dhe neni 65/a “Periudha e sigurisë”.
Aplikimi i amnistisë sot nuk duhet parë vetëm si një “akt i mëshirës”, por edhe si një akt për të rivendosur legjitimitetin kushtetues në vendet e vuajtjes së dënimit, ku ai është shkelur në mënyrë sistematike.

-Sipas projektligjit përfitojnë amnisti:
A) Personat :
-e dënuar me burgim deri në 3 vjet;
-personat e dënuar me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim;
-me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij projektligji;
B) Të dënuarat femra, që janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
C) Të dënuarit meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
D) Të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal.

-Neni 4 parashikon se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:
• krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75 të Kodit Penal;
• krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76 , 77, 78, 78/a, dhe 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81 të Kodit Penal dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe në nenin 77 të Kodit Penal Ushtarak;
• vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, dhe 89/a të Kodit Penal;
• krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a,108 e 108/a të Kodit Penal;
• vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i dytë, i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;
• vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 117 të Kodit Penal;
• vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e tretë të nenit 124/b, nenet 128/a, 128/b e 130/a të Kodit Penal;
• vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, paragrafi i dytë i nenit 137/a, paragrafi i dytë i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 144/a, paragrafi i tretë i nenit 152, 175, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 180 të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak, e në nenin 186 të Kodit Penal;
• vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/b të Kodit Penal;
• krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225 të Kodit Penal;
• krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;
• vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, e 232/b, 233, 234, 234/a e 234/b të Kodit Penal;
• krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 250, 258, 259, 259/a, 260, 265, 266, 270, paragrafi i parë dhe i katërt i nenit 278, 278/a, paragrafi i dytë i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë i nenit 289, 290, si dhe paragrafët e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 298 të Kodit Penal dhe në nenin 70 të Kodit Penal Ushtarak;
• vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e të Kodit Penal;
• vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 329, 330, 330/a, 331 dhe 332 të Kodit Penal;
• vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

Ministria e Drejtësisë kallëzon penalisht 11 ish-zyrtarë të lartë të burgjeve

 Ministria e Drejtësisë ka bërë kallëzim penal ndaj 11 ish-zyrtarëve të lartë të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Me anë të një njoftimi për shtyp, Ministria e Drejtësisë thekson se, “ka konstatuar se një ndër problematikat më të mëdha me të cilat ndeshet shërbimi penitenciar shqiptar është mosrespektimi nga ana e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, i procedurave ligjore të dhënies së lejeve të veçanta’.  Sipas MD, “si rrjedhojë e këtij shqetësimi, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë, me urdhrin e Drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, u ngrit grupi i punës për verifikimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për të dënuarit dhe të paraburgosurit në të gjitha IEVP-të e vendit, për vitin 2013”. “Nga analizimi i këtyre dosjeve, u konstatua se për periudhën e mësipërme janë dhënë gjithsej rreth 2500 leje shpërblyese dhe të veçanta. Nga numri total i lejeve të dhëna, të veçanta janë 404, ku 97 prej tyre, janë dhënë në kundërshtim të hapur me bazën ligjore me anë të së cilës rregullohet procedura e dhënies së lejes së veçantë në I.E.V.P-të e Republikës së Shqipërisë”, thekson MD, duke shtuar se, “gjithashtu konstatohet që pjesa më e madhe e këtyre lejeve të dhëna në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, janë miratuar në periudhën Korrik, Gusht dhe Shtator të vitit 2013, konkretisht rreth 800 leje shpërblyese dhe të veçanta”. Gjithashtu Ministria e Drejtësisë bën me dije se është vendosur që planifikimi i lejeve të mos jetë më një mujor, por të bëhet një vjeçar dhe në çdo rast leje do të njoftohet edhe policia e shtetit.

MD thekson se, “aktualisht i është kërkuar të gjitha I.E.V.P-ve të Republikës së Shqipërisë, që nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të dërgojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë një raportim ditor (24 orësh), të të gjitha lejeve shpërblyese dhe lejeve të veçanta të dhëna për të burgosurit që vuajnë dënimet penale në I.E.V.P-të e vendit”.