Krimet e Rënda lënë në burg zv/drejtorin Iljaz Labi dhe 2 të tjerë

446
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda la në fuqi masën “arrest në burg” për zv.drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi. Kjo masë u dha edhe për Elidjan Laskajn, administrator i kompanisë “Dogel”, dhe Shemsi Sinanin, administrator i kompanisë “M.B.Kurti”. Në seancën e verifikimit të masave të sigurisë, Gjykata vendosi të lërë në “arrest shtëpie” Ylber Kalanë, administrator i kompanisë “Vllaznia”, dhe Nexhmi Ballën, administrator i kompanisë “Nelsa”.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, Iljaz Labi, u arrestua dy ditë më parë me urdhër të prokurorisë, pasi akuzohet për korrupsion pasiv. Gjithashtu, 4 administratorët e kompanive private akuzohen për “korrupsion aktiv” gjatë procedurave të prokurimit publik për blerje ushqimesh për burgjet në Shqipëri.
Sipas burimeve hetimore administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani, e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për furnizimin me ushqime.
Nga hetimi ka rezultuar se administratorët takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata bënin. Për realizimin e qëllimit, të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milionë lekësh të reja te zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Sigal