Mjekësia Ligjore, si bandë hajdutësh

932
Tentakulat e korrupsionit natyrisht nuk mund të preknin edhe një strukturë tepër delikate dhe të rëndësishme, siç është edhe Mjekësia Ligjore. Në rrëfimin e sinqertë të një drejtuesi të “Rilindjes”, i cili ka lidhje pune edhe me Mjekësinë Ligjore, mësuam se “gjithçka është kthyer në biznes, por të kthehej edhe Mjekësia Ligjore, natyrisht kjo mbetet skandaloze”. Sipas tij “gjithçka është kthyer në pazar, bëhen pazare me jetët e pafajshme, me familjarët, me palët në konflikt, me viktimat dhe me gjithçka tjetër që lidhet me xhepin. Mjekësia Ligjore është kthyer në bandë hajdutësh, dhe nuk e teproj aspak këtë, në çdo qytet ata mjekë që mbulojnë Mjekësinë Ligjore, janë transformuar në qenie çnjerëzore, në njerëzit më të korruptuar, që vendosin vetë mbi raportet, konkluzionet duke caktuar vetë “tarifat” që nisin nga 5 mijë euro deri 25 mijë euro për ngjarjet tepër të rënda, çdo rast sado i dhimbshëm kthehet në biznes për vampirët e kësaj gjoja “Mjekësie Ligjore”, por më tronditëse është fakti se, edhe lart e njohin këtë situatë, Ministria e Drejtësisë e di fare mirë situatën dhe gjithçka ka mbetur e pandryshuar, nga ku nuk ka gjasa të dalë kurrë ajo strukturë e shtetit”. Pothuajse çdo qark ka 3-4 mjekë ligjorë, (çdo qytet nga një) të cilët caktohen dhe duhet të caktohen duke u bazuar mbi kriteret profesionale dhe morale. Ata duhet të jenë specialistë të fushës së mjekësisë, por edhe me një figure të pastër morale. Kjo pasi raportet e tyre, ose e thjeshtojnë situatën ose e ndërlikojnë atë nga pikëpamja ligjore dhe njerëzore. Rastet janë me dhjetëra e me qindra, kur raportet e tyre ligjore kanë rënë në kundërshtim me faktet e dala nga organet e tjera ligjore e kompetente të drejtësisë. Shpesh fajtorët dalin “të pastër” dhe viktimat fajtore, duke sjellë më pas situata të tjera tepër të rënda. 

Rrëfimi i një familjari, që ka humbur vëllain

Sipas një familjari që ka humbur para 6 muajsh njeriun e tij në një aksident rrugor në aksin Elbasan-Rrogozhinë, “ka qenë raporti mjeko-ligjor që ka shpëtuar nga burgu dy fajtorët që ma vranë vëllain tim duke qenë në rrugën dhe punën e tij, pasi të fortët, paguan 5 mijë euro për të marrë paçavuren nga Mjekësia Ligjore dhe sot e kësaj dite janë duke shijuar jetën e tyre të lirë, duke na lënë dorën e lirë ne, për vetëgjyqësi”. Por ashtu edhe rastet e vdekjes së një fëmije në Pediatrinë e Elbasanit në mars 2016 dhe një fëmijë në Pediatrinë e Durrësit tre muaj më parë, kanë krijuar situata tepër të rënda mes palëve. E ndërsa mjekët dalin “pa lagur”, dhe fëmija vdes për fajin e tyre, mjafton të lexosh raportin mjeko-ligjor dhe të bindesh se gjithçka ka hyrë në rrugën pa kthim të shkatërrimit të institucioneve. Tre mjekë në Elbasan dhe dy në Durrës, duhej të ishin në burg sot, por seancat gjyqësore farsë, të ndihmuara edhe nga “raportet –ligjore” duket se ndihmuan autorët e vdekjeve të dy fëmijëve të pafajshme. Duke u justifikuar me “pakujdesi prindërore”, duket se pakujdesia mjekësore ka kaluar në vendin e fundit.

 Është e pafalshme dhe e tmerrshme tek dëgjon dhe shikon familjarët të qajnë me dënesë për fëmijët e tyre, dhe mjekët tek kapardisen majë makinave luksoze, pasi kanë marrë vetëm “vërejtje me shkrim” dhe asgjë tjetër. Ata sërish i janë kthyer klinikave të tyre private dhe të paligjshme, duke zhvatur çdo ditë para të qytetarëve hallexhinj, dhe me ato para nuk e kanë të vështirë të mbushin xhepat e mjekut ligjor. Ata sërish do të kthehen edhe në pediatritë e shtetit. Por shkeljet dhe abuzimet vazhdojnë çdo ditë të javës. Rastet më të dhimbshme janë edhe ato të vrasjeve të përditshme, plagosjeve dhe aksidenteve të rënda. Raportet mjeko-ligjore në rastet e këtyre krimeve, janë tepër të shtrenjta. Mjafton të kujtojmë një variant të tillë si “vrasje nga pakujdesia” apo “vrasje për vetëmbrojtje”, dhe do të shikojmë se proceset gjyqësore qesharake ndaj “të fortëve” shpesh kthehen në seanca qesharake, ku pala e dëmtuar i hakërrehet hetuesve, gjyqtarëve dhe vetë të pandehurit, duke u kujtuar atyre vetëgjyqësinë. Sipas një hetuesi “puna jonë vështirësohet shumë, dhe shpesh vetëm nga raportet mjeko-ligjore të cilat na kthejnë ne me dhjetëra herë në vendin e krimit, pavarësisht se provat e mbledhura janë të pakundërshtueshme. Ka ardhur koha që puna e Mjekësisë-Ligjore të kanalizohet në drejtimin e duhur, dhe të mos u lihet në dorë abuzuesve dhe matrapazëve që mbushin xhepat dhe tallen me fatkeqësinë e qytetarëve”. 
Sigal

Maksim TUFA