Bandat dhe maskat pushtojnë sërish rrugët

441
Sigal

 Krujë,  atentat mafioz, shkëmbim me armë zjarri mes dy makinave

Edhe pse qeveria e re, premtoi që brenda 100 ditëve do të vendoste qetësinë dhe do të luftonte krimin, edhe pse ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka shkarkuar nga të gjitha strukturat e policisë të gjithë drejtuesit, prapëseprapë, bandat dhe maskat po pushtojnë sërish rrugët, duke vrarë dhe terrorizuar qytetarët e pambrojtur. Një shkëmbim me armë zjarri mes dy automjeteve ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme, në fshatin Nikël të Krujës. Nga të dhënat e para, mësohet se dy makinat i kanë hapur zjarr njëra-tjetrës, teksa ishin në lëvizje. Nga ky shkëmbim zjarri ka edhe të lënduar. Ky shkëmbim zjarri dëshmon edhe një herë se ende policia e shtetit nuk ka bërë asgjë që të sigurojë qytetarëve jetën, ndërsa krimi sërish demonstron që është i pandalshëm dhe i pandëshkueshëm. Kriminelët veprojnë lirisht,  edhe në qendër të qytetit, sepse e dinë që policia është e pazonja që të reagojë.

Tritol automjetit të kryetarit të FRESSH-it

Makina e kreut të FRESSH-it të Elbasanit, Vangjel Ranxa ka shpërthyer si pasojë e vendosjes së një sasie lënde plasëse. Në bazë të hetimeve paraprake, mësohet se makinës me targa angleze MK57MKU , në pronësi të kreut tëFRESSH-it, Vangjel Ranxa i është vënë një sasi tritoli në pjesën e përparme, duke i shkaktuar disa dëmtime. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 19:00, në një nga rrugicat e lagjes ku banon Ranxa, i cili fatmirësisht kishte pak kohë që e kishte parkuar makinën përpara se ajo të shpërthente. Konfirmohet se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar. Ende nuk dihen shkaqet përse drejtuesit të FRESSH-it të Elbasanit iu vendos tritol në makinën e tij, por pyetja është përse ky drejtues partiak mban makina me targa të huaja, në kundërshtim me ligjin?

Dy efektivë të komisariatit të Krujës, nuk morën denoncimin e një shtetasi dhe pezullohen

Dy punonjës të komisariatit të policisë së Krujës u pezulluan dje nga detyra, për shkak se nuk kanë kryer detyrën për të marrë kallëzimin e një shtetasi e madje e kanë zvarritur atë në mënyrë të pajustifikuar. Shtetasi Gëzim Rama, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë është paraqitur pranë Komisariatit të Krujës në datë 08.11.2013, për të depozituar një kallëzim lidhur me vjedhjen e banesës së tij, ngjarje e ndodhur një ditë më parë, në datë 07.11.2013, por me gjithë përpjekjet e tij ai nuk ka arritur ta bëjë këtë denoncim edhe për 2 ditët në vazhdim, duke u zvarritur në mënyrë të paligjshme nga ana e dy punonjësve të policisë së këtij komisariati. Nga verifikimet e bëra prej Drejtuesve të Komisariatit rezultoi se përgjegjës për zvarritjen e marrjes së denoncimit të këtij qytetari janë specialisti i Policisë së Zonës dhe Shefi i Seksionit për Krimet e Hapura pranë këtij komisariati. Nisur nga këto verifikime, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, vendosi pezullimin e këtyre punonjësve nga detyra dhe paralelisht nisjen ndaj tyre të ecurisë disiplinore, që i ka kaluar për kompetencë Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Korçë, përplasen dy furgonë, 3 të plagosur

Një aksident automobilistik ka ndodhur mbrëmë në mbrëmje në aksin rrugor Korçë-Pogradec, ku dy furgonë janë përplasur më njëri-tjetrin, nga ku kanë mbetur të plagosur 3 persona. Nga policia bëhet e ditur se, njëri prej furgonëve me targa KO763A ishte me pasagjerë, ndërsa tjetri me targa TR8185K ishte furgon mallrash. Deri më tani, policia ka identifikuar vetëm njërin prej të plagosurve, i cili është 57-vjeçari, Viktor Shabanllani, ndërkohë që pritet të identifikohen edhe të plagosurit e tjerë. Aksidenti ka shkaktuar edhe bllokimi të qarkullimit në këtë aks rrugor, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.