Berisha dhe Rama, përballë Mustafajt dhe Thaçit

449
Sigal

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Tiranës dhe Prishtinës, e planifikuar të mbahet me 16 nëntor në Prizren duket qe nuk është e rastësishme. Kjo mund të thuhet sipas interpretimit që është duke ju bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës e të cilët tashme kanë bërë planin për kundër reagim duke e ftuar në Kosovë, rivalin e Edi Ramës, ish-Kryeministrin Sali Berisha që të vizitojë Kosovën para mbajtjes së balotazhit. Në këtë parti, janë të bindur se koha dhe vendi i mbajtjes së kësaj mbledhjeje nuk janë përzgjedhur për motive historike, patriotike apo të integrimit mbarëkombëtar, por janë në funksion të aktualitetit politik në Kosovë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se, Kryeministri Hashim Thaçi po vazhdon të bëjë fushatën zgjedhore në Prizren, duke sjellë kryeministrat e vendeve fqinje. “Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, përmes postimit në rrjetin social Facebook zbuloi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri Kosovë do të mbahet më 16 nëntor në Prizren, ku  në këtë kohë po zhvillohen aktivitete para balotazhit ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovë. Në kontinuitet, vërehet se z. Thaçi ka nevojë të ndërhyjë në aktivitetin zgjedhor të Prizrenit me kryeministra të vendeve fqinje ose të vendeve të tjera”, ka shkruar Mustafa në Facebook. Mustafa ka shkruar po ashtu se kryeministri Thaçi gjatë aktivitetit parazgjedhor ka organizuar tubim me kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Turqisë, e më pas në ndihmë i erdhi edhe kryeministri serb. Mustafa thekson se ndërsa Kosova respekton fushatën zgjedhore në Shqipëri, atëherë duhet të ketë respekt reciprok. “Ne jemi dy shtete; kemi respektuar fushatën zgjedhore në Shqipëri, prandaj edhe Qeveria e Shqipërisë do të ishte mirë ta respektojë fushatën zgjedhore në Kosovë. Konsideroj se kultivimi i respektit reciprok është i shëndetshëm për marrëdhëniet afatgjata ndërmjet qeverive të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë”, shkruan Mustafa.