Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR konkludojnë, se një strukturë qeveritare nuk është efektive në parandalimin e fenomenit të abuzimit me burimet shtetërore dhe, për rrjedhojë ata kanë rekomanduar ngritjen e një organi të dedikuar, të pavarur dhe transparent me shtrirje deri në niveli e pushtetit vendor.

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon VKM-në e datës 10 maj 2019, në të cilën qeveria ngre një Taks – Forcë, e cila do të monitorojë gjatë fushatës zgjedhore me qëllim që të mos lejohet përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore. Mirëpo, kjo, sikurse thekson Prof. Kume, bie në kundërshti me rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët rekomandojnë që për monitorimin e mospërdorimit të burimeve shtetërore të jetë një strukturë e posaçme, e pavarur. Prof. Kume analizon edhe rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë gjatë viteve 2013 e deri tani dhe thekson evoluimin e tyre, pasi në konkluzionet e tyre të fundit, ata vënë përpara përgjegjësisë qeverinë. Prof. Kume thekson gjithashtu që, duke qenë se VMK e datës 10 maj 2019 lejon nëpunësit e administratës publike të bëhen administratorë të procesit zgjedhor, kjo do të thotë që vullneti nuk është më në dorën e partive politike, por të drejtuesit të administratës publike, e cila u jep leje nëpunësve të vet dhe kjo varësi mund të bëjë që qeveria të diktojë procesin zgjedhor përmes nëpunësit e vet.

 -Prof. Kume, a ka qenë i pranishëm përdorimi i burimeve shtetërore në fushatat zgjedhore në favor të partisë e cila qeveris?

– Fenomeni i përdorimit abuziv të burimet shtetërore, përfshirë burimet njerëzore financiare dhe ato logjistike ka qenë i pranishëm në të gjithë proceset zgjedhore të zhvilluara në vendin tonë. Për këtë fenomen janë shprehur, në mënyrë të vazhdueshme edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, duke e konsideruar atë si një ndër faktorët që ka ndikuar negativisht në plotësimin e standardeve demokratike në zgjedhje. Në raportet përfundimtare të tyre, përfshirë edhe raportet për tre zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vendin tonë, në të gjithë rastet nuk ka munguar rekomandimi për nevojën për marrjen e masave për parandalimin dhe zvogëlimin sa më shumë të jetë i mundur të këtij fenomeni. Në Raportin për zgjedhjet parlamentare, qershor 2013, vëzhguesit ndërkombëtar rekomandojnë: “Abuzimi me burimet shtetërore, përfshirë burimet njerëzore, për qëllime të fushatës zgjedhore mund të ndalohet në mënyrë më të efektshme nëpërmjet zbatimit më të mirë të ligjit dhe vënies përpara përgjegjësisë të personave që e shkelin atë”. Në rekomandimet e dhëna në raportin për zgjedhjet e për organet e qeverisjes vendore, qershor, 2015 ritheksohet “…Organet e zbatimit të ligjit duhet të marrin hapa më të vendosura për të parandaluar, identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e provuara të presionit dhe frikësimit të zgjedhësve, si edhe të keqpërdorimit të burimeve shtetërore për qëllime të fushatës” Ky rekomandim përsëritët edhe në Raportin për zgjedhjet parlamentare të zhvilluar në qershor, 2017: “Qeveria duhet të analizojë efektshmërinë e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit. Ajo duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla në periudhën para dhe paszgjedhore. Kjo strukturë mund të ngrihet edhe në nivel vendor në një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të radhës”.

 

Duke qenë se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë rekomanduar në çdo reformë zgjedhore që është ndërmarrë të minimizohet fenomeni i përdorimit të burimeve shtetërore në fushata zgjedhore në favor të partisë që qeveris, cili ka qenë ndryshimi që ka pësuar në vitin 2013, 2017, deri në VKM e re të para disa ditëve?

– Ajo që bie në sy në këtë vlerësim të pandryshuar të vëzhguesve ndërkombëtar për fenomenin e përdorimit abuziv të burimeve shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore është jo vetëm qëndrimi këmbëngulës i tyre për nevojën për ndërhyrje, por edhe ndryshimi që ka pësuar rekomandimi i tyre nga njëri raport në tjetrin. Rekomandimi pas zgjedhjeve parlamentare 2013 kërkon, vetëm në mënyrë të përgjithshme dhe pa targetuar asnjë institucion forcimin e përpjekjeve për zbatimin e ligjit. Në raportin për zgjedhjet e vitit 2015 rekomandimi ju drejtohet organeve të zbatimit të ligjit, duke theksuar nevojën për marrjen e masave me efektive dhe më të vendosura ndaj këtij fenomeni, ndërkohë që në raportin për zgjedhjet parlamentare, 2017 vëzhguesit ndërkombëtar, rekomandimin për parandalimin e këtij fenomeni ia adresojnë qeverisë. Kjo dinamikë ndryshimi në këtë rekomandimin është rrjedhojë e rezultateve të vëzhgimit dhe analizës së gjetjeve nga vëzhguesit ndërkombëtar. Këta vëzhgues kanë arritur në përfundimin se detyra për parandalimin e fenomenit të abuzimit me burimet shtetërore, në radhë të parë është detyrë e qeverisë dhe, duke qenë se në pjesën më të madhe të rasteve e ekspozuar ndaj këtij fenomeni është vetë qeveria, ata kanë rekomanduar ngritjen e një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla në periudhën para dhe paszgjedhore. Ky organ rekomandohet që të ketë strukturuar të shtrira edhe në nivel vendor në një kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të radhës.

 

-Qeveria në VKM e re, përse nuk ka respektuar rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve, që të ngrinte strukturë të pavarur për monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore, por ia beson këtë Taks-Forcës, të cilën e komandon qeveria?

 

-Ky rekomandim nuk është marrë në konsideratë nga qeveria. Megjithëse, nga njëra anë koha ka mjaftuar dhe nga ana tjetër zbatimi i këtij rekomandimi nuk kushtëzohej fare nga ecuria e punëve në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, qeveria nuk e përfshiu atë në punët e saj. Vendimi fundit i qeverisë i datës 10 maj 2019 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2019” është një angazhim dhe përpjekje e saj për zbatimin e këtij rekomandimi. Në këtë VKM ajo që bie menjëherë në sy është mënyra se si qeveria ka vendosur të trajtojë zbatimin e këtij rekomandimi. Vëzhguesit ndërkombëtarë rekomandojë “ngritjen e një organi transparent, të pavarur” përgjegjës për monitorimin dhe parandalimin e fenomenit të abuzimit me burimet shtetërore, qeveria ja ngarkon këtë detyrë një Task-force, që do të drejtohet nga zv. Kryeministri. Se sa efektive në plotësimin e detyrës do të jetë kjo strukturë këtë do ta tregojë koha. Përvoja e zgjedhjeve parlamentare, qershor 2017 tregoi se një strukturë e tillë, edhe pse në krye të saj dhe në përbërje kishte përfaqësues të opozitës, fenomeni i përdorimit abuziv të burimeve shtetërore nuk u arrit të parandalohej. Ai ishte prezent dhe si i tillë u vrojtua edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Mbështetur në këtë përvojë, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR ka arritur në përfundimin se një strukturë e tillë qeveritare nuk është efektive në parandalimin e fenomenit të abuzimit me burimet shtetërore dhe, për rrjedhojë ata kanë rekomanduar ngritjen e një organi të dedikuar, të pavarur dhe transparent me shtrirje deri në niveli e pushtetit vendor.

 

-Ku mund të abuzohet, nëse punonjësit e administratës publike, sipas VKM të qeverisë të datës 10 maj 2019, mund të bëhen edhe administratorë të procesit zgjedhor?

– Për mënyrën se si e trajton problemin në lidhje me masat që duhet të merren dhe mënyrën e monitorimit të veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2019, duke pasur si objektiv nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime dhe në funksion të objektivave elektoral të partive politike, në vendimin e qeverise janë fiksuara rregulla, që në të shumtën e tyre nuk janë të kritikueshme. Janë të përputhura me kërkesat e legjislacionit aktual Kodit zgjedhor të Shqipërisë, ligjit “Për nëpunësit civil” ose ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Megjithë këtë, në tërësinë e këtyre rregullave ka edhe të tillë të cilët mund të bëhen shkas për vendime që mund të kushtëzohen nga preferenca politike. Kështu p.sh dispozita sipas të cilës: “ Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt” është një e tillë. Si dihet, në Kodin Zgjedhor përcaktohet se anëtaret e komisioneve zgjedhore dhe në grupet e numërimit te votave propozohen nga partitë politike. Ndërkohë anëtarët e propozuar nga partitë që nuk bëjnë pjesë në partitë e mazhorancës mund të jenë edhe punonjës të administratës shtetërore por, sipas kësaj kërkese të vendimit të qeverisë, ata mund të angazhohen në këtë detyrë, vetëm pasi të marrin miratimin e eprorit të tyre direkt. Kjo e bën të diskutueshme mundësi e angazhimit të tyre si administrator i zgjedhjeve pse vendimin përfundimtar për këtë angazhim nuk e ka më partia politike përkatëse, por eprori i tij në administratën shtetërore. Nëse i referohemi frymës dhe germës së legjislacionit zgjedhor aktual një kushtëzim i tillë jo vetëm që nuk bën sens, por, më shumë se sa kaq, mund të konsiderohet edhe si përpjekje e mazhorancës për “të kapur” dhe për të pasur mundësi më të shumta për ndërhyrje në administrimin e procesit zgjedhor.

– Ju falënderoj!

Gazeta Telegraf