Sigal

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-kryetar i Kuvendit

Qytetarët e zemëruar në protesta masive e të vazhdueshme duhet të vazhdojnë të provojnë se Rama dhe mazhoranca e tij janë, jo vetëm ilegjitimë, por nuk garantojnë më stabilitet

 

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-kryetari i Kuvendit në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon, pse ndërkombëtarët mbështetin qeverinë e Ramës dhe janë kundër opozitës që dorëzoi mandatet e deputetëve. Prof. Islami shpjegon, se ndërkombëtarët në vendet me demokraci jo të konsoliduar interesohen për stabilitet, prandaj fillimisht mbështetin qeverinë. Por, kur të shikojnë se qeveria është problemi dhe zemërimi i popullit është i papërmbajtshëm, atëherë, ata do t’i bëjnë presion Ramës të pranojë kushtet e opozitës. Prof. Islami thotë se është marrëzi, nëse kryeministri Rama nuk pranon zgjedhje të parakohshme, ndërsa, nëse tentohet që me deputetët që mund të futen në parlament të kërkojë shkarkimin e Presidentit të Republikës, atëherë “Kjo do të ishte marrëzia e fundit që do të përshpejtonte fundin e tmerrshëm të Ramës e të mazhorancës së tij”.

 

-Prof. Islami eurodeputetët në Tiranë me deklaratat e tyre ishin negociatorë të PE për të ofruar zgjidhje të krizës politike apo Gjyqtarët politikë?

-Ndërkombëtarët janë negociatorë të stabilitetit për vendet në zhvillim që aplikojnë qasjen “së pari stabilitet, të tjerat, përfshi edhe demokracinë, vijnë më pas…”, ndërkohë që në vendet e tyre luftojnë çdo ditë për zhvillimin dhe përsosjen e demokracisë në radhë të parë, sepse është demokracia e zhvilluar që ju garanton jo vetëm stabilitetin, por edhe mirëqenien e qytetarëve të tyre. Nga ky “paradoks” duhet që qytetarët dhe politikanët e vendeve në zhvillim të nxjerrin mësimet adekuate dhe ai vend që arrin të edukojë qytetarët dhe politikanët e saj me këtë mësim sa më parë arrin të rreshtohet më shpejt në grupin e vendeve të zhvilluara, ose të paktën në grupin e vendeve që i zgjidhin hallet e problemet e tyre vetë, duke i dhënë prioritet demokracisë, sepse stabiliteti është veçse rrjedhojë e demokracisë dhe jo e kundërta; në këtë rast stabiliteti është më i qëndrueshëm. Ndërkombëtarët, sa herë që iu kërkohet t’i japin “këshilla” vendeve në zhvillim, gjithnjë i japin prioritet stabilitetit dhe mbështesin atë zgjidhje që garanton stabilitet. Demokracia, sipas tyre, vjen pas stabilitetit. Dhe, kur bëhet fjalë për palën konkrete, ata mbështesin më shumë palën që garanton stabilitet dhe tentojnë të “zbusin” apo qetësojnë palën më të dobët, aq më tepër nëse ajo nuk arrin dot të krijojë destabilitet; madje, nëse vërejnë që pala e dobët, qoftë kjo mazhoranca apo opozita, nuk e pranon qasjen e tyre, i bëjnë presion asaj.

Po përse ata mbështesin qeverinë Rama?

-Po ashtu, nëse gjatë një mandati qeverisës ndërkombëtarët-negociatorë vërejnë një krizë reale, ndërhyjnë për të zgjidhur krizën, duke i dhënë prioritet stabilitetit dhe përgjithësisht mbajnë fillimisht anën e mazhorancës qeverisëse, duke vlerësuar se kjo është rruga më efikase për të ruajtur stabilitetin. Kjo edhe për të mos nxitur precedentin e ndryshimit të qeverisjes në mes të mandatit, veç rasteve ekstreme, kur kriza është e thellë dhe zemërimi është i papërmbajtshëm në ato nivele që stabiliteti është i rrezikuar, apo mund të cenohet rëndë.

-A ka një moment kur ndërkombëtarët fillojnë të mbështesin opozitën

– Sigurisht që ka. Nëse gjatë vlerësimeve të tyre, ndërkombëtarët-negociatorë vërejnë se opozita, ka argumente bindës se mazhoranca nuk garanton më stabilitet, apo ajo është drejtuese e zemërimit qytetar shpërthyes në nivel të tillë që stabiliteti vihet në dyshim dhe mazhoranca qeverisëse nuk e garanton më stabilitetin, atëherë ata ndërhyjnë mes palëve për të gjetur zgjidhjen që garanton rivendosjen e stabilitetit.

-Si arrihet atëherë në këtë rast zgjidhja?

-Për ta rritur te zgjidhja duhet kohë e durim, veçanërisht angazhim nga opozita… Ndërkombëtarët-negociatorë pas disa ecejakeve mes qeverisë dhe opozitës, nëse vërejnë se mazhoranca qeverisëse nuk garanton më dot stabilitet i bëjnë presion asaj të pranojë kushtet e opozitës duke i kërkuar edhe opozitës të heqë dorë nga veprimet radikale në mënyrë që të nisë procesi i ndërtimit të rivendosjes së stabilitetit, që gjithnjë kalon përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Shqipëria do të mbetet gjithnjë në duart e këtyre negociatorëve për të dalë nga kriza?

– Kjo marrëdhënie do të ndryshonte vetëm atëherë kur Shqipëria të arrijë të ketë demokraci të zhvilluar dhe qeverisje të mirë, pra vetëm atëherë kur stabiliteti e mirëqenia e qytetarëve të saj do të garantohen përmes demokracisë së zhvilluar, të cilën duhet vetë shqiptarët ta realizojnë. Dhe jo anasjelltas…!

A ka rrezik që PE të ketë të njëjtin perceptim për krizën në Shqipëri me përmbajtjen e deklaratave të eurodeputetëve që erdhën në Tiranë?

– Qëndrimi i eurodeputetëve dhe për rrjedhojë edhe i PE do të jenë në ndryshim. Ky ndryshim varet nga konsekuenca e opozitës dhe mobilizimi i qytetarëve. Qytetarët e zemëruar në protesta masive e të vazhdueshme duhet të vazhdojnë të provojnë se Rama dhe mazhoranca e tij janë jo vetëm ilegjitimë, por nuk garantojnë më stabilitet. Do të vijë moment, kur ndërkombëtarët negociatorë të stabilitetit do të fillojnë t’i bëjnë presion Ramës dhe mazhorancës së tij që të pranojë kushtet e opozitës.

A është rastësi që të pestë eurodeputet janë njerëzit e mirëbesuar të Soros-it, i cili është frymëzuesi i Politikës së Kryeministrit Rama?

-I qëndroj me konsekuencë qëndrimit të mësipërm dhe besoj në analizën përkatëse, sepse në rast të kundërt do të ishte e vështirë të shpjegohej rezonanca e qëndrimeve të ndërkombëtarëve / negociatorë të stabilitetit me argumente të pjesshëm, konkretisht me profilin individual të çdo eurodeputeti.

Prof. Islami a ka rrezik që, nëse një numër i madh kandidatësh të Listave të PD dhe LSI të marrin mandatet e deputetëve dhe paskëtaj të votojnë çdo ligj cilësor të propozuar nga kryeministri Rama, duke përfshirë edhe shkarkimin e Presidentit të Republikës me 93 vota?

Kjo do të ishte marrëzia e fundit që do të përshpejtonte fundin e tmerrshëm të Ramës e të mazhorancës së tij.

Nëse ky skenar politik ndodh dhe njëkohësisht nuk shpërndahet parlamenti e nuk bëhen zgjedhje Parlamentare të parakohshme, cilat mund të jenë pasojat dhe ngjarjet që mund të ndodhin?

Shqipëria në këtë rast ose do të përfshihej në revolta të papërmbajtshme ose do të rikthehej në një nga diktaturat më të egra në Evropë. Por nuk besoj se një frikacak si Rama do t’i futej kësaj rruge; (vetë)largimi apo shporrja e tij nga qytetarët është çështje ditësh, apo maksimumi javësh për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme, krijimit të një parlamenti legjitim e dinjitoz që do të krijonte kushtet për të vazhduar denjësisht rrugën drejt integrimit evropian përmes hapjes së negociatave me BE. Rama është i ndërgjegjshëm për fundin e tij por koha dhe mënyra e largimit të tij varen nga angazhimi dhe mobilizimi i qytetarëve…