-Rivlerësimi i banesave është bërë për të rritur fiktivisht vlerën e banesës për qëllime përfitimi të ndonjë kredie apo interesi tjetër.
-Askush nuk mendonte se rivlerësimi do ndikonte në rritjen e taksave?
-Rivlerësimi sjell fitim vetëm kur pronari do ta shesë dhe jo ta mbajë apo ta japë me qera.
– Në shumicën e rasteve rivlerësimi është në dëm të interesave të individit dhe në këtë rast shmangia është duke bërë edhe një rivlerësim me vlerën reale të saj.
– Rritja e taksës shkon në proporcion me ndryshimet e çmimeve të ndërtimit.
– Banori iu afrohet qëndrave të qyteteve ose më saktë zonave më joshëse gjë që bën rritjen e çmimeve dhe taksave.
– Çmimet e banesave dhe taksat po rriten në zonat turistike, që përfaqëson një tendencë edhe të kapitalit të huaj për të blerë prona në vënde të tilla.
– Në Shqipëri ndikimi i luhatjeve të çmimeve të naftës është maksimal për sa kohë që ne jemi të varur tërësisht nga importi i saj.
-Sot ne nuk kemi rafineri përpunuese, i zhdukëm ndaj vuajmë pasojat e çmimeve.
– Shoqëritë që shesin karburant me shumicë rezervat e tyre janë pothuaj në letër se sa në depot e tyre. Sot rolin e tyre e kanë marrë një apo dy shoqëri, të cilat bëjnë rolin e bankës se rezervave.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Dy javë më parë Këshilli i Ministrave miratoi në mënyrë të beftë një vendim, i cili rrit nga 50 për qind deri në 75 për qind, pagesën që familjet shqiptare paguajnë si taksë për pronat e tyre. Rritja e barrës nuk ndodh për shkak të rritjes së taksës në vetvete, por për shkak të çmimeve të referencës mbi të cilat llogaritet kjo taksë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht buxheti mbledh 5.3 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro në vit nga taksa e pasurisë. Rritja mesatare me 60 për qind e bazës mbi të cilën llogaritet taksa do t’u marrë familjeve shqiptare 30 milionë euro shtesë në vit. Por kjo ishte vetëm antipasta e goditjes së përqëndruar mbi buxhetet e familjeve. Në vitin 2026 do të hyjë në fuqi ligji i ri për taksën e pronës. Ligji, i cili nuk duhet ngatërruar me rritjen e çmimeve të referencës që u miratuan me VKM një javë më parë, ka dy pasoja të tjera. Së pari, ai dyfishon taksën e banesës nga 0.05 për qind në 0.1 për qind. Së dyti, zgjeron gamën e pronave që taksohen me këtë taksë duke përfshirë dhe ndërtesat bujqësore e ato blegtorale deri tek stallat dhe kasollet e lopëve.

Rivlerësimi i banesave sjell debate. Sa më e madhe të jetë shuma e rivlerësimit aq më e madhe do të jetë taksa. Pra ata që kanë bërë rivlerësim të banesave do të paguajnë më shumë. Kjo ishte e parapërgatitur. Çfarë do të bëjnë ata që në të njëjtën zonë kanë vlera të ndryshme për të njëjtën sipërfaqe. Pra ata që e kanë rivlerësuar më shumë do të paguajnë më shumë?
Sigurisht investimet publike dhe rritja e kostos së ndërtimit, pa llogaritur efektin e parave të pista që pastrohen në sektorin e ndërtimit kanë sjellë në formatin që investimet egzistuese të rivlerësohen, sepse vlera e tyre në treg ka ndryshuar. Pra është logjike që rritja e vlerës të ndodhë për këtë arsye. Urbanizimi i zonave sjell natyrisht rritjen e vlerës për shkak të pozicionit të ri dhe shkallës me të cilët ajo iu afrohet qëndrave të qyteteteve ose më saktë sa këto zona bëhen më joshëse. Sa më i lehtë aksesi për qarkullimin e njerëzve, furnizimin me ujë, drita dhe sistemin urban modern aq më shpejt dhe çmimet rriten. Kjo tendencë nuk është vetëm sot. Kjo tendencë ka 25 vite që ndihet dhe çmimet janë katër apo pesëfishuar gjatë këtyre viteve. Sot edhe kostoja e ndërtimeve është rritur në cilësinë e tyre dhe shtrënjtimi i materialeve dhe puntorisë po rritet. Po janë rritur, edhe çmimet e tokave për ndërtime. Kështu që kjo reflektohet në këto kosto. Ligjërisht çmimet reference apo minimale sipas zhvillimit të zonave apo qyteteve kanë ndryshuar dhe ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në zonat më të populluara dhe ku popullsia rritet sesa në zonat ku vihet re një ulje e popullsisë. Nga ana tjetër çmimet e tyre po rriten në zonat turistike, që përfaqëson një tendencë edhe të kapitalit të huaj për të blerë prona në vënde të tilla. Çmimet në këto zona kanë njohur një rritje më të shpejtë. Sigurisht ky zhvillim i ri ka sjellë në vëmëndjen e qeverisë të rishoh mënyrat për të rritur të ardhurat nga pronat, që tashmë kanë rivlerësim të ri. Sipas VKM nr 132 datë 7/3/2018 “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa” e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës” të ndryshuar me VKM të mëparshme llogaritja e taksës për banim përfshin:
- Vlera e përcaktuar nga rivlerësimi i pasurisë të regjistruar pranë ZVRPP-ve. Kur kjo vlerë nuk është e besueshme merret parasysh vlera që një komision i ngritur nga Bashkia për të vlerësuar pronën. Në vlerën për përcaktimin e bazës së taksës merren parasysh edhe banesat nga privatizimi (70%), apo është ndërtim i ri (100%), dëmtimet që ka ose mund të ketë ndërtesa, të cilat ndikojnë në madhësinë e bazës së taksës etj.
- Tarifa e taksës për objektet e banimit jo tregëtare është 0.05% e bazës së taksës. Rritja e taksës shkon në proporcion me ndryshimet e çmimeve.

Ёshtë e qartë se rivlerësimi ka efekt në shtimin e taksës së ndërtesës, po edhe apartamentet e parivlerësuar sipas këtij vendimi edhe pse kanë një vlerë më të ulët nga çmimet e zonës do të preken. Ato do të shkojnë më lart deri në kufijtë e çmimeve mesatare të zones. Fillimisht në çmimet referencë dhe pastaj në çmimet e tregut të zonës. Ky është një proces që do të ndodh herë pas herë dhe do të rritet sa herë që çmimet e tregut reflektojnë rritje. Sigurisht një banesë që është mbi çmimin mesatar të tregut do të thotë që ajo është më e veçantë se të tjerat. Për pasojë do të taksohet më shumë. Problemi shtrohet kur rivlerësimi është bërë për të rritur fiktivisht vlerën e banesës përmes ekspertëve të rivlerësimit të pasurisë. Ajo mund të jetë për qëllime përfitimi të ndonjë kredie apo interesi tjetër. Në shumicën e rasteve ajo është në dëm të interesave të individit dhe në këtë rast shmangia është duke bërë edhe një rivlerësim me vlerën reale të saj. A do të rritet tatimi? Sigurisht! Sepse edhe kostot e shërbimeve bashkiake rriten. Dhe përfitimi i produkteve dhe shërbimeve të bashkisë duhet të jetë proporcional me sipërfaqen dhe cilësinë dhe jo me kohën e blerjes apo koston historike të saj. Shërbimet dhe produktet e bashkisë, që iu ofrohen komunitetit nëse do të përdorej kostoja historike e blerjes do të krijonte eksternalitete negative, dhe mënyra më e mirë është barazimi sipas vlerës së tregut. Një model ndoshta duhej të ishte sipërfaqja e banimit, por kjo ha diskutime, sepse edhe këtu do të kishte rol vendndodhja e pronës.

-Çmimi i karburanteve është rritur sërish, kurse në Kosovë ajo është më e lirë. Pra në rajon jemi përsëri më të shtrenjtët. Pse?
Sigurisht që sjellja e çmimeve të karburanteve dhe nënprodukteve të naftës do të luhaten sipas ofertës dhe kërkesës në treg. Në Shqipëri ky ndikim i luhatjeve është maksimal përsa kohë që ne jemi të varur tërësisht nga importi i saj, dhe çdo luhatje e çmimit të bursës të naftës brut shumë shpejt do të reflektojë në çmimin e karburanteve dhe e kundërta nuk mund të jetë e njëjtë. Pra rënia e çmimit të naftës brut nuk do të sjellë uljen e menjëhershëm të çmimit të karburanteve. Për t’ju shmangur këtyre luhatjeve kur ato janë të vogla shoqëritë me shumicë të karburanteve reagojnë në mënyrë të kujdesshme për shkak edhe të sasive rezervë që ato detyrohen të mbajnë. Por kur ky trend lëviz menjëherë atëhere jemi përballë një risku, e cila kalon menjëherë tek klienti. Pra qytetari shqiptar nuk është i mbrojtur. Nëse i shohim shoqëritë që shesin karburant me shumicë rezervat e tyre janë pothuaj në letër sesa në depot e tyre. Sot rolin e tyre e kanë marrë një apo dy shoqëri, të cilat bëjnë rolin e bankës se rezervave. Si funksionon kjo?
Supozojmë se shoqëria A blen një anije me gasoil ta zemë 5000 ton (zakonisht shoqëritë blejnë një anije me kapacitet më të madh dhe ajo ndahet midis disa tregëtarëve të shumicës) dhe depozitohet në shoqërinë bankë me çmimin e ditës. Ta zemë 1000$/toni. Në momentin që kjo sasi është e depozituar tregëtarit i lind e drejta ta tërheqë me çmimin e ditës. Nqs kjo sasi nuk ishte e prekur për 5 ditë dhe çmimi ka shkuar 1050$ atëhere pas pesë ditësh firma bankë i kalon në llogari të shumicës diferencën e vlerës prej 50×5000 ton = 250000$ dhe kur ai e tërheq sasinë në faturë i shkruhet 5000×1050$= 5,250,000$. Këtu firma nuk humb. Por në rastin se çmimi shkon 950$. firma derdh 250,000 në llogarinë e bankës dhe dalja i faturohet 4,750,000$. Çfarë ndodh në këtë rast nëse në rastin e parë firma e reflekton menjëherë rritjen e çmimit, sepse pasqyron efektin menjëherë. Në rastin e dytë ajo s’mund të reflektojë uljen e çmimit, sepse humbja është evidente. Pra ajo duhet të likujdojë partinë e saj duke vendosur edhe shumën e paguar ndaj kompanisë bank. Më keq paraqitet situata kur karburantin e blen vetë shoqëria e naftës, që luan rolin e shoqërisë bank. Sepse në rastet kur çmimi rritet ajo shet me çmimet e tregut dhe kur ulet ajo vijon me çmimet gjëndje.

Po pse po rritet çmimi kjo është e qartë. Sapo një konflikt ndodh në rrugët apo në afërsi të prodhuesve të naftës brut, zilet e alarmit bihen dhe masat e garantimit të tregut dhe zbatimit të kontratave rriten, gjë që reflektohet edhe në një kërkesë artificial, e cila bëhet reale, sapo faktet vërtetohen. Konflikti Izrael- Palestinë është pranë rrugëve dhe vëndeve prodhuese dhe reagimi i tregut ndërkombëtar ishte imediat. Nëse ky konflikt përshkallëzohet dhe futet në rajon duhet të përgatitetemi edhe për çmime më të larta.

Po përse janë më të larta se në Kosovë?
Struktura tatimore e Shqipërisë është e ndryshme nga ajo e Kosovës. Përfshirja e shumë taksave në çmimin e karburantit, të cilat mbivendosen njëra mbi tjetrën në progresionin gjeometrik domosdoshmërisht rrit çmimin shumë më shpejt dhe më lart sesa në Kosovë. Pra difekti kryesor i sistemit tatimor tonë është varësia ndaj tregëtimit të karburanteve. Do të kishim çmime të ulta të karburanteve të jeni të sigurtë që qeveria do të programonte taksa shtesë për të mbyllur boshllëkun që krijon ky sistem që kemi. Bota shkon nëpër konflikte dhe në në këtë sistem qeveria ka dalë e fituar. Arsyeja është që kjo taksë mblidhet shpejt dhe janë pak firma që monitoron dhe administrimi është më i lehtë. Kjo ka efekt negativ në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, sepse ato reflektojnë menjëherë këtë rritje për shkak të kostove, që lidhen me karburantet dhe kjo rritje e shpejtë nuk mund të amortizohet dot edhe nga ulja e fitimeve të firmave, që prodhojnë mallra dhe shërbime të konsumit. Problemi këtu është se nga ana e qeverisë nuk ka asnjë lëvizje se çfarë masash duhet të marrë për të mbrojtur qytetarët e vet dhe bizneset nga kjo paqëndrueshmëri çmimesh, e cila shkakton kriza dhe pasiguri në vënd, qoftë duke synuar marrjen e masave për të prodhuar vet apo të gjejë një mekanizëm që të shmang varësinë e fluktuacionit të konflikteve të luftës dhe politike ndërkombëtare që shkaktojnë këto situata të pakëndshme për qytetarët dhe bizneset. Duhet theksuar se kostoja e përpunimit të naftës brut nuk kalon 25% të vlerës së naftës brut, pra edhe në rastin e importit dhe përpunimit në vënd leverdia ekonomike është evidente. Shkatërrimi i rafinerisë ishte papërgjegjshmëria dhe çmënduria e kësaj klase politike. Pra po e ilustrojmë me një shembull të thjeshtë. Në kohën e çmimit të naftës 110$ barel çmimi i karburantit gasoil shkoi 1250-1300 $/ton. Nëse do të kishim rafineri, kostoja së bashku me fitimin e firmës rafinuese do të sillte një kosto prej 110$/barelx6barelë/ton*1.3(30% vlera e kostos dhe fitimit nga përpunimi)= 858 $/ ton pra me një diferencë prej 400$ për ton. Pra në vënd që çmimi të ishte 250lek/litër ky çmim nuk do të kalonte 150lek/litër. Nuk arrij të kuptoj se për çfarë ka punuar apo punon kjo qeveri apo klasa politike shqiptare? Për qytetarët jo! Për biznesin jo! Kujt i shërbejnë kur biznesi humb konkurueshmërinë për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe shërbimit, ndërsa qytetarët i bënë më të varfër për shkak të erozionit të pagës nga çmimet e ngritura nga ky efekt? Apo kjo është qeveria që duam dhe që na shërben kaq mirë!!





















