Vjedhja e energjisë elektrike, 19 të arrestuar

    167
    Në të gjithë vendin, strukturat e Policisë së Shtetit edhe gjatë javës që kaloi kanë vijuar punën për “Parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme”, konkretisht në parandalimin dhe goditjen e vjedhjes së energjisë elektrike, në parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve si dhe organizimin e lotarive të palejuara.
    Në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 75 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE. Janë kryer 2.954 kontrolle në terren. Gjatë kontrolleve u evidentuan 31 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 31 autorë. Nga këta, 19 autorë janë arrestuar në flagrancë, 5 autorë janë shpallur në kërkim dhe 7 autorë ndiqen në gjendje të lirë.
    Në fushën e ndërtimeve të paligjshme , nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 24 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 24 autorë nga të cilët, 6 autorë janë arrestuar në flagrancë, 16 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 autorë janë shpallur në kërkim.
    Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, në të gjithë vendin ka nisur operacioni “Roja e Gjelbër”, gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 11 raste me 11 autorë, nga të cilët 4 jane arrestuar në flagrancë dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.
    Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara , Policia e Shtetit ka evidentuar 6 raste me 6 autorë, nga keta 1 autor është arrestuar në flagrancë dhe 5 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Edhe në javët në vazhdim , Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme.