Veliaj: Rriten pensionet me 2% në korrik

    391
    Sigal

    Mblidhet Këshilli Kombëtar i Punës. Ulje e moshës së pensionit për minatorët, ndërsa rritet për zyrtarët e lartë

    “Në muajin korrik, pensionet do të rriten me dy për qind”. Kështu ka deklaruar Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Kombëtar të Punës, ku u diskutuan dy çështje shumë të rëndësishme si reforma e pensioneve dhe ulja e moshës së daljes në pension e minatorëve.

    “I kemi propozuar qeverisë rritjen me dy për qind të të gjitha pensioneve në Shqipëri, në korrik. Që do të thotë se çdo pensionist, muajin tjetër, do të marrë dy për qind më shumë pension se sa merr aktualisht”, u shpreh ministri Veliaj. “Pavarësisht se rritja ekonomike nuk ka qenë dy për qind, po i rrisim pensionet më shumë nga ç’kemi pasur rritje ekonomike, duke qenë të arsyeshëm dhe përfaqësues të një shoqërie humane, e cila e kupton se edhe pse ekonomia nuk është rritur mjaftueshëm, çmimet janë bërë të papërballueshme”, tha ai.

    Nga ana tjetër, z. Veliaj njoftoi se nga 1 janari 2015 të gjithë minatorët dhe punonjësit e nëntokës do të dalin në pension në moshën 55 vjeç, duke mbajtur kështu një nga premtimet e bëra nga qeveria për këtë shtresë. “Iu përgjigjëm pozitivisht kërkesës së sindikatave, të cilat e kanë kërkuar prej 23 vitesh uljen e moshës së pensionit për minatorët. Për të kompensuar uljen e moshës së pensionit për minatorët jemi siguruar që për disa profesione që konsiderohen si të lehta, si ato të zyrtarëve të lartë, mosha e daljes në pension të bëhet 60 vjeç”, deklaroi ai.

    Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të pasur një shtet solidar, ku ata që bëjnë punë më të lehta të punojnë më shumë, kurse ata që bëjnë punë më të rënda të dalin më herët në pension. Gjithashtu,  Këshilli Kombëtar i Punës miratoi propozimin e MMSR-së për skemën re të pensioneve, e cila hyn në fuqi në 1 janar 2015.

    “Organizatat e punëdhënësve e kanë mbështetur reformën, sepse ajo rregullon financat, lufton informalitetin në fushën e pensioneve dhe rrit presionin e punëmarrësve ndaj punëdhënësve për pjesëmarrje në skemë”, u shpreh z. Luan Bregasi, President i “Biznes Albania” dhe përfaqësues i punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës.

    Edhe përfaqësuesit e sindikatave në Shqipëri dhanë pëlqimin e tyre për reformën e pensioneve dhe mbështetën përpjekjet e qeverisë në këtë drejtim. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, z. Kolë Nikolla, u shpreh se ka një bashkëpunim mjaft të mirë mes qeverisë, sindikatave dhe bizneseve. “Në emër të sindikalistëve uroj qeverinë për këto nisma mjaft të rëndësishme, çka tregon se qeveria shqiptare ka një fytyrë tërësisht sociale dhe po bën realitet ato çfarë ka premtuar në fushatën elektorale”, tha ai, duke falënderuar për miratimin e propozimit për uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve.