Vazhdon maratona e gjyqeve

    420
    Sigal

    Ja cilat janë seancat më në zë që priten të zhvillohen ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë

    Ushtarakët kërkojnë rikthimin në detyrë

     Sot më 17 dhjetor 2013, në orën 10:00 pritet të jepet vendimi në lidhje me seancën gjyqësore ku ish- ushtaraku Sandër Lleshi (Lleshaj)  ka ngritur padi kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe  Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nga ana e tij, Presidentit të Republikës i duhet të përballet me padinë e shkarkimit nga puna në mënyrë të menjëhershme dhe pa arsye. Sandër Lleshi kërkon shfuqizim dhe ndryshim të Aktit Administrativ. Gjithashtu, kërkon konstatimin e pavlefshmërisë së dekretit nr. 8189 datë 21.05.2013 të Presidentit të Republikës ‘për lirim nga detyra dhe dalje në lirim’ të ushtarakut me gradën Gjeneral Brigade dhe rregullimi (ndreqja) e pasojave të ardhura nga nxjerrja e këtij dekreti. Ai kërkon kthimin në detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura duke anuluar kështu urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr .1093 datë 27.05.2013. Listës së tij i shtohet dhe detyrimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të paguar pagën e qëndrimit pa punë në zbatim të Nenit 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

      ALBTELECOM të paguajë detyrimet e shërbimit celular!

     Seanca e radhës dhe ajo më karizmatikja është seanca që zhvillohet midis dy kompanive telefonike private, paditësit Albanian Mobile Communications sh.a dhe të paditurve Albtelecom Rajoni Tirana 2,  Albtelecom sh.a. Delvinë, Albtelecom sh.a. Elbasan dhe  Albtelecom sh.a. Peshkopi. AMC ka ngritur padi kundër Albtelecom, ku i kërkon të paguajë faturat e pashlyera për shërbimin telefonik celular. Ndërkohë, në seancën gjyqësore janë paraqitur faturat e detajuara në formë prove për të gjitha detyrimet e pretenduara. Duke parë kronologjinë e gjyqeve në faqen zyrtare të gjykatës vihet re se, kjo nuk është hera e parë që këto kompani kanë probleme, qoftë me njëra- tjetrën, qoftë me klientët e tyre. Ato dallojnë për mungesë korrektese dhe serioziteti ndaj klientëve.

    Keqardhje për sekretaret dhe gjyqtarët, të mësojnë gjuhën shqipe!

    Gjithmonë, kam menduar dhe i kam vlerësuar lart gjyqtarët dhe gjithë personelin që punon në gjykata si persona me intelekt dhe të pagabueshëm. Fatmirësisht asnjëherë nuk më është dhënë rasti të shkel në to. Them fatmirësisht, sepse janë vende që të ngjallin një ndjenjë negative e të pakëndshme. Por, përpos kësaj, nuk ka mundur të më shpëtojë diçka sa interesante aq edhe për të ardhur keq. E detyruar prej punës, duke klikuar vazhdimisht në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, më ka tërhequr vëmendje formulimi dhe gabimet drejtshkrimore prej sekretareve/gjyqtare. Pothuajse, në të gjitha faqet dhe shkrimet e publikuara, ku bëhet paraqitja në mënyrë përmbledhëse e seancave, vërej gabime trashanike, të tmerrshme që të lënë me gojë hapur. Nuk ka se si të ndodhë, nuk e përjashtoj faktin se janë njerëz dhe mund të bëjnë gabime, por është i pafalshëm fakti kur fjalët transformohen, kur shkronja “ë” injorohet dhe zëvendësohet me “e”. Ligjërata e drejtë lë për të dëshiruar dhe mungon shkronja e madhe te emrat apo përdoren përemrat në mënyrë të gabuar, mungojnë shenjat e pikimit dhe presjet.  P.sh, “Pala e paditur: Kerkoj kohe te njihem me keto prova dhe me pas te jap prapsimet e mija. VENDIM;Gjykata pranon kerkesen e pales se paditur, per ti…“ në vend të t’i-ti, japi-japë. “Palet present moren dijeni” në vend të fjalës prezent etj.. Të vjen keq realisht se si mund të kesh në krye dhe të presësh një vendim korrekt dhe të drejtë nga dikush që është në fazat e para të mësimit të gjuhës shqipe. Ndoshta nuk ka dalë kot ajo historia me dënimin, ku për një presje shpëtoi nga dënimi me vdekje. Ndoshta gjykata ka nevojë ose për një korrektues para se të bëj publikimet ose sekretaret kanë nevojë për një kurs intensiv për mësimin e gramatikës së gjuhës shqipe. Kështu nuk mund të vazhdohet. TURP!