Masakra mjedisore, 6 pronarë të gurit dekorativ në Prokurori

584
Sigal

BERAT/Specialisti Tole: Kanë dëmtuar rëndë mjedisin, po përgatiten dosjet dhe për disa subjekte të tjerë

Gjashtë pronarë të firmave të prodhim-përpunimit të gurit dekorativë që kryejnë aktivitet në malin e Tomorit, kanë përfunduar në prokurori për shkelje të rënda ligjore që lidhen me dëme të shkaktuara në mjedis, pyje e sipërfaqe toke. Burimet zyrtare të “Telegraf” bëjnë të ditur se, nga një kontroll i ushtruar në karrierat e tyre për nxjerrjen e pllakave të gurit dekorativë në Malin e Tomor, rezultojnë se ushtronin aktivitet të palincencuar. Njëkohësisht, gjatë kontrollit, janë gjetur mjete të rënda si skrap, një makinë e ngarkuar me gurë, të cilat janë bllokuar nga policia në vlerën e provës. Mësohet, gjithashtu, se grupi hetimor që kreu kontrollin në këto subjekte që kryejnë aktivitet prej disa vjetësh në këtë mal, jo vetëm që ishin të paligjshme, por me aktivitetin pirate, dëmtonin rëndë dhe mjedisin.

“Mbi këtë bazë kemi përgatitur dosjet përkatëse për t’ja përcjellë Prokurorisë për ndjekje penale. Ndërkohë, vazhdojnë kontrollet në karrierën e gurit dekorativ, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe shumë firma të tjera të gurit me qendër në Urën Vajgurore, të cilat prej 23 vjetësh kryejnë aktivitet në zonën e gurores dhe në malet e Kondesbaltës, Poshnjes dhe Vokopolë. Sipas titullarit të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, Petraq Tole, situata është alarmante dhe kërkohet ndërhyrje e menjëhershme.  “Në zonën e Tomorit, është kryer një masakër e vërtet. Në këtë zonë turistike, firmat që punojnë për nxjerrjen e gurit dekorativ, nuk zbatojnë një nga pikat e kontratës, ku thuhet se, firmat që kryejnë aktivitet në zonat e mbjella me pisha, pas përfundimit të punës në zonë, duhet ta kthejnë mjedisin në gjendjen e mëparshme. Këtë detyrim, firmat e minierave të gurit në Urë Vajgurore dhe ato në malin e Tomorit, nuk e kanë zbatuar. Edhe Drejtoria e Mjedisit po kryen kontrolle në këto zona për të verifikuar gjendjen e  zonave nëse janë kthyer në gjendjen e mëparshëm si pas rregullores. Nëse firmat nuk kanë zbatuar ligjet, do të ndëshkohen rëndë”,- pohoi Tole. Burime për gazetën “Telegraf” shtojnë se, tashmë këta pronarë do të përballen me ligjin për veprat penale “shkatërrimi i pronës” si dhe “Fshehja e të ardhurave”.