Tkurret bregdeti i Durrësit, deti i rrëmben tokës 3 km

1242
Sigal

DURRËS/Specialistët:Të rrezikuar pyjet dhe fshatrat turistikë. Të ndërhyhet me investime për një brez mbrojtës!

Bregdeti i Durrësit, çdo vit po tkurret dhe po mbulohet frikshëm nga deti, i cili nuk po kursen territore nga fshatrat turistike dhe pyjet ende të virgjër. Plazhi Rrushkullit, një pjesë e Gjirit të Lalëzit, Hamallaj, dhe shumë zona të tjera të mbrojtura turistike kanë vite që kanë pësuar ndryshime gjeografike. Kjo po rrezikon masivet pyjore dhe fshatrat turistike në bregdet.

SPECIALISTËT

Specialistët e Bujqësisë, Tokave dhe Turizmit  në Prefekturën e Durrësit deklaruan për “Telegraf” se, “çdo vit deti ka avancuar në drejtim të tokës në bregdetin e Durrësit frikshëm, duke gllabëruar sipërfaqe ranore dhe pyjore, ku si rezultat i gërryerjeve dhe avancimit të detit në thellësi të terrenit, nga statistikat e komunave dhe bashkive respektive del se nga harta tokësore janë hequr si inventar 63 ha tokë”.  Sipas një studimi  rezulton se, kjo situatë ka sjellë që brezi i parë dhe i dytë i bunkerëve të betonit të mbetur nga koha e diktaturës, i quajtur si “rajoni mbrojtës” ndërtuar në vitet ‘70, janë zhytur drejt detit. Gjatë 20 viteve të fundit, deti ka hyrë në thellësi në një distancë prej  afro 3 km, duke nisur  nga plazhi i Rrushkullit deri në grykëderdhje të lumit Erzen, dhe po prek me shpejtësi zona të tjera nga bregdeti. Në thellësi të zonës së përmbytur, ndodhet  edhe një repart ushtarak i tankeve me poligonin stërvitor ku zhvilloheshin qitjet luftarake, shumë banorë kioskat e tyre i kanë zhvendosur pothuajse çdo vit,  duke iu shmangur avancimit të detit me nga 200 – 250 metra. Burime nga sektori i Policisë Pyjore  thanë se “ vetëm në harkun kohor 2011 – 2013 deti ka avancuar rreth 20 metra thellësi drejt tokës, kurse në një shtrirje gjerësore në bregdet  llogaritet  në 23 vitet e fundit në afro  3 km gjatësi duke filluar që nga grykëderdhja e lumit Erzen e deri në një zonë të Rrushkullit. Për ketë arsye tashmë nga inventari i tokës janë hequr nga harta rreth 63 ha tokë, e cila nuk ekziston në shkallë qarku. Gërryerje ka edhe në zona të tjera të vendit, por se zona e Rrushkullit është ndër më të rrezikuarat,  por ky fenomen ndodh në këtë terren pasi niveli i tokës është i përafërt me nivelin e detit dhe strukturat e dherave nuk përbëhen nga zonë shkëmbore dhe kjo e dëmton atë.

APELI

Specialistët e tokës dhe turizmit duke shprehur shqetësimin e tyre thonë se “urgjentisht nevojitet një brez mbrojtës, gjë e cila është eksperimentuar nga një shoqëri private në veri të zonës dhe që ka arritur të mbrojë një pjesë të mirë të terrenit bregdetar me pyje. Për  krijimin e kontureve të hartës së re bregdetare është përdorur harta e vjetër ushtarake e vitit 1978, por edhe fotot e bëra nga ajri  në vitin 2012. Gjithashtu, janë bërë matjet nga specialistët edhe matjet në terren me metër shirit dhe nga tërësia e të gjitha këtyre veprimeve ka rezultuar se territori i gërryer është rreth 63.3 ha terren bregdetar. Parashikimet janë të frikshme kur mendojnë se pas 3-4 vitet, deti mund të avancojë edhe më shumë drejt tokës, duke u nisur edhe nga ngrohja globale, duke futur drejt tij sërish toka në bregdet.