Transporti ndërqytetës, Tahiri: Siguria nuk negociohet, Haxhinasto: Duhet cilësi!

    183

    Shoqatat e transportit, brenda 10 ditësh propozimet për rregullimin e transportit ndërqytetës

     Shoqatat e Transportit brenda 10 ditësh do të paraqesin propozimet e tyre për rregullimin e transportit ndërqytetës dhe rreth qytetas të pasagjerëve. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri diskutuan dje me grupet e interesit mbi informalitetin në këtë treg dhe ranë dakord për të përmbushur detyrimet.

    Shoqatat e transportit publik me automjetet 8+1 kërkojnë ardhjen e plotë dhe kthimin e plotë me pasagjerë. Por kjo u kundërshtua nga shoqatat e transportit publik të autobusëve, të cilët kërkojnë që të respektohet ligji për transportin e furgonave taksi, që do të thotë kthimin e furgonave bosh. Pronarët e furgonëve në disa qytete të Shqipërisë dolën në protestë mëngjesin e të premtes, ku në disa raste bllokuan përkohësisht rrugët pas kërkesës së qeverisë për t’i ndaluar të punojnë në linja të rregullta, por të funksionojnë vetëm si taksi dhe të kthehen bosh.

     Haxhinasto: Duhet cilësi, standarde e kosto e ulët

    Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto tha se, sistemi i transportit ndërqytetas nuk mund të vijojë të funksionojë në mënyrë të çoroditur. Sipas tij, shqiptarët duhet të udhëtojnë të sigurt me cilësi dhe kosto më të ulët. “Bashkitë tona japim më shumë licenca për furgona se sa për katër plus 1 që janë autoveturat normale taksi. Këtu fillon shkelja dhe çoroditja e sistemit. Duhet të kenë detyrimisht taksimetrin brenda, çfarë ndodh, veprojnë si autobus. Duam ti garantojmë shqiptarëve një shërbim të denjë siç meritojmë, padiskutim që duam. Po furgonat? Ka transport rrethqytetas që mund të ofrohet një shërbim i tille. Ka shërbim në zona të caktuara të vendit ku nuk mund të futen autobusët. Por dhe këto duhet të përmbushin kriteret përkatëse, për cilësinë e mjetit dhe drejtuesin. Shqiptarët të kenë siguri, cilësi dhe kosto të ulët”,- u shpreh ministri Haxhinasto, i cili kërkoi që kjo çështje të mos politizohet.

     Tahiri: Të vendosur, të garantojmë jetën e qytetarëve!

    Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se modeli i tregut mund të bashkëbisedohet me grupet e interesit, ndërsa siguria e udhëtarëve jo. Sipas ministrit Tahiri, autoritetet janë të vendosura të garantojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

    “Mbrojtja e jetës së qytetarëve nuk njeh kohë as justifikim. Ndalimi i transportit ndërqytetës me furgonë është një masë e domosdoshme dhe e menjëhershme e planizuar. Nuk ka asnjë tërheqje. Policia e Shtetit do vazhdojë të ndalojë në mënyrë të menjëhershme të furgonave pa licencë, dhe atyre që abuzojnë me licencën taksi dhe që bëjnë linjë ndërqytetëse me pasagjerë. Nuk e lejon ligji, nuk do ta lejojë as policia e shtetit. Do kërkojmë të respektohet licenca taksi, duke gjetur termat e modelit të transportit ndërqytetës edhe bashkë”- deklaroi ministri Tahiri.

     Shoqata e Taksive

    Përfaqësuesi i Shoqatës së Taksive: “Ne jemi të vetëdijshëm që numri i taksive të licencuara nga 2500 na paska vajtur në 1500. Taksitë janë detyruar të dorëzojnë licencat. Akoma nuk e kemi ndjerë dorën dhe kujdesin e Policisë së Shtetit. Të largohen 1 mijë taksi të licencuara nga tregu do të thotë që kemi halle të mëdha. Nuk kemi ndonjë gjë me kolegët e 8 plus 1, por është e patolerueshme të ketë më shumë furgona se taksi të licencuara. Përdorimi i taksimetrit na mbron nga informaliteti, por jo me fjalë me vepra. Edhe ne të gjobitemi nëse nuk e përdorim taksimetrin.”

     Shoqata e Transportit të Udhëtarëve

    Përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare të Transportit të Udhëtarëve: “Unë jam dakord me dy pika, siguria rrugore nuk diskutohet para asnjë lloj gjëje. Dhe tjetra që duhet të përdorim parametrat europiane. Këtu duhet respektuar ligji. S’ka pse na vjen keq, sepse ligji duhet zbatuar, na vjen apo s’na vjen mirë. Jam dakord që zotërinjtë që kanë furgona të punojnë sipas kërkesave që ka ligji. Cilido që shkel ligjin të përballet me drejtësinë.”

     Shoqata e Transportit Ndërqytetës

    Përfaqësues i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës: “Kaos dhe katastrofë ka qenë transporti publik. Ne sot na u ngjall shpresa se qytetarët shqiptarë do bëhen të udhëtojnë siç e kanë komshinjtë tanë, jo Europa. Rëndësi ka që sot e tutje që gjërat të shkojnë siç duhet. Licencat e transportit publik janë dhënë pa kriter. Bashkitë si Vora apo Kamza, apo bashki të vogla që japin licenca në të gjithë destinacionet e Shqipërisë, kjo nuk është parë në asnjë vend. Kamza me Tiranën lidhet me urban 30 lekë, jepet linja Tiranë-Kamëz dhe gjithë Shqipërinë”.

     Sindikata

    Përfaqësues i Autoveturave 8 plus 1 i Sindikatës së Pavarur të Shqipërisë: “Ne përfaqësojmë vetëm mjetet e licencuara, nuk kemi ardhur për mjetet e tjera. Ne na është bërë konkurrencë e pandershme. Po abuzohet shumë dhe po spekulohet se furgonat janë mjete të rrezikshmërisë në rrugë. Të rishikohet ligji, të ardhurat janë shumë të pakta. Shoferët kanë marrë kredi që nuk i përballojnë dot. Janë njerëz me familje, me fëmijë, me probleme ekonomike shumë të mëdha, ne jemi në grevë prej 10 ditësh.”.