Ilir Meta-Jakup Krasniqit: Shqipëria, mbështetje të pakursyer në avancimin e axhendës euro-atlantike të Kosovës

408
Sigal

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, priti dje Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi, me të cilin diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, proceseve respektive integruese dhe zhvillimeve të fundit në rajon. z. Ilir Meta, pasi bëri një vlerësim të veçantë për stadin strategjik, ku kanë kaluar marrëdhëniet dypalëshe sot, rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe të Kuvendit të saj në avancimin e axhendës euro-atlantike të Republikës së Kosovës, duke theksuar se, institucionet dhe eksperienca shqiptare do të jenë gjithnjë në shërbim të shtetit të Kosovës, në funksion të forcimit të institucioneve demokratike në vend dhe rrugëtimit të saj europian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme vëllazërore të Shqipërisë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe rikonfirmoi vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve tona.

Z. Meta dhe z. Krasniqi ndanë bindjen në përfundim se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet, i shërben forcimit të stabilitetit dhe paqes të të gjithë rajonit dhe se të dy parlamentet do ta rrisin kontributin e tyre në këtë drejtim.