Artur AJAZI/ Drejtorë të rinj, mentalitet i vjetër

673
Sigal

Ne meritojmë drejtues vizionarë, por ata janë lënë qëllimisht të shpërfillur për të bërë eksperimentet që po japin kosto të rënda sociale

Në Shqipëri, tashmë është krijuar si traditë e patjetërsueshme e kthyer edhe në mentalitet, fakti se, ti mund të jesh drejtues i ri në moshë, por nuk ikën dot nga shinat e vjetra dhe ecën verbalisht përgjatë tyre. Shinat e vjetra janë partia, kryesia, drejtuesit e lartë, të bëjnë ty drejtor dhe gjatë gjithë kohës që ti ushtron atë detyrë, nuk bën asnjë lëvizje dhe nuk hedh dot një firmë pa marrë miratimin e tyre. Dhe konkretisht, sot  në mbi 99 për qind të institucioneve dhe ndërmarrjeve në shkallë vendi, mosha e drejtuesve nuk i kalon  27 apo 29 vjeç, femra dhe meshkuj, të emëruar nga kryesitë e partive që drejtojnë sot qeverisjen e pas 23 Qershorit. Kur mëson se ata janë të rinj në moshë, mendon ”o sa mirë drejtues të rinj, më energjikë, më luajalë, më transparentë, më të sinqertë, më të përkushtuar dhe më të përgatitur”.  Por, gabohesh sapo ti takohesh me ata. Përballë ke një drejtues të ri, që veç flokëve të ngrira me xhel dhe parfumosjes, është njeri pa iniciativë, pa integritet, pa vizion, pa kurajë dhe më kryesorja me mentalitet më të vjetruar se vetë shefat e partisë tij. Tek i pyet për reformat, të përgjigjen se, “do ta shohim, do të flas edhe me shefat e mi, kam porosi edhe nga kryetari im, avash-avash do të mësojmë edhe ne ”. Pothuajse të gjithë drejtorët e rinj sot, në të gjitha qytetet e vendit, në institucione dhe ndërmarrje, nuk kanë më shumë se 2 vjet punë, por ka edhe nga ata që firmën në bordero e kanë vënë si drejtorë pas 16 shtatorit 2013. Ata  janë të gjithë ish-drejtues forumesh, ish-drejtues aktivitetesh  rinore, ish-studentë, (madje ka edhe nga ata që provimin e fundit e kanë dhënë këtë sezon për të mbaruar vitin e fundit të shkollës së lartë), kushërinj, krushq, miq e shokë fakulteti. Ndalesh një moment dhe pyet veten se, si mund të ecë ky vend, si mund  të drejtohen këto institucione dhe struktura shtetërore, duke bërë eksperimente të tilla? Shteti  nuk është autoshkollë, ku ti mund të hipësh çdo kursant për të mësuar makinën dhe në qoftë se, nuk e mëson këtë muaj apo këtë vit, e mëson avash-avash se ke kohë. Shteti dhe konkretisht ky  yni, në kushtet aktuale kërkon angazhimin e të gjithë potencialeve intelektuale (edhe nga të rinjtë pse jo por duke i diferencuar ata) që kanë dhënë provat dhe eksperiencën e tyre në terren. Ka 23  vjet që në institucionet tona nuk ndalet “lufta e ftohtë”, vjen njëra palë largon gjithë kontingjentin që gjen dhe punëson njerëzit e saj, vjen tjetra pas 8 vitesh dhe largon pa asnjë  kokëçarje pjesën tjetër. Kjo është sa dramatike aq edhe komike. Institucionet  prestigjioze europiane tashmë e dinë realitetin , e njohin në majën e gishtave çdo politikan, pavarësisht se këta të fundit mundohen të bëjnë viktimën para tyre, duke u hequr si ideologë dhe europianistë. Drejtuesit e rinj, dje dhe sot janë pasqyra e shefave të tyre, e politikanëve të vjetër e të rinj, e atyre që prej 23 vitesh nuk po largojnë Shqipërinë nga “tranzicioni” i pafundmë, duke e mbajtur peng. Drejtuesit e rinj i e kanë të pamundur shkëputjen nga mentaliteti i shefave të tyre, madje, shumica e tyre e kanë prioritet ecjen mbi shinat e vjetra. Në biseda me ata, ti dëgjon pjesë nga  citatet e shefave, pjesë nga fjalimet dhe idetë e tyre, për stafet drejtuese, për largimet  dhe punësimet, por nuk dëgjon  asgjë për reformimin profesional dhe frymën  europianiste, nuk kupton asgjë nga formimi i tij intelektual. Dhe vetja të duket sikur ke pranë një drejtor që i ka mbetur ora në 1992. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi. Këto janë eksperimente të ndyra që po bëhen me institucionet, me njerëzit, me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Asnjë nga ne, nuk meriton të ndëshkohet dhe të drejtohet nga adoleshentë defiçentë, që në mendjen e tyre bën xhiro vetëm butiku dhe diskoja. Ne meritojmë drejtues vizionarë dhe të tillë nuk mungojnë sot, por ata janë lënë qëllimisht të shpërfillur për të bërë eksperimentet që po japin kosto të rënda sociale. Ky realitet është vrastar, ndaj duhet urgjentisht reagim qytetar, si i vetmi mjet demokratik për të na identifikuar si europianistë.

Drejtuesit e rinj, dje dhe sot janë pasqyra e shefave të tyre, e politikanëve të vjetër e të rinj, e atyre që prej 23 vitesh nuk po largojnë Shqipërinë nga “tranzicioni” i pafundmë, duke e mbajtur peng. Drejtuesit e rinj i e kanë të pamundur shkëputjen nga mentaliteti i shefave të tyre, madje  shumica e tyre e kanë prioritet ecjen mbi shinat e vjetra.