Petrit BROKAJ/ “Grimca” trishtuese nga qyteti im

565
Sigal

Do të dëshiroja që ky shkrim të mos merret si antireklamë për Vlorën, qytetin tim të bukur për nga natyra, krenare për historinë e saj dhe të dashur e të pandërruar, për të gjithë ata që u lindën aty, ose që origjina i lidh me të. Është tjetër arsye, që më ngacmon si qytetar i saj, (i cili e njeh mirë nëpër gjithë qelizat e tij këtë qytet), për të vënë në dukje ca grimca trishtuese tani, kur kemi një Qeveri të re. Vlora është një qytet bregdetar, që me më shumë kujdes, mund ta fillojë shumë më shpejt sezonin turistik veror dhe të zgjatet deri në fillimin e ditëve të ftohta të dimrit (që në Vlorë janë shumë të pakta). Vlora është një nga qytetet më të ndjeshëm për historinë e kombit, sepse shumë ngjarje e lidhin atë me historinë e gjithë trojeve shqiptare. Dëshmia e fundit ishte 100 vjetori i Pavarësisë, festimi madhështor i të cilit ishte, pa diskutim, meritë e dy faktorëve: mobilizimi i pashembullt i Bashkisë së qytetit dhe pjesëmarrja e madhe nga të gjitha trojet shqiptare. Kurse Qeveria, për fat të keq, ishte faktori frenues ose anësor në shumë drejtime, ku duhej të ishte kryesor. Në këtë vit kemi një tjetër ngjarje të madhe, që meriton respekt e kujdes të veçantë. Është 70- vjetori i Çlirimit të Atdheut nga pushtimi nazi-fashist, ku populli i kësaj treve, ka një kontribut-simbol. Vlora duhet të futet në atmosferën e këtyre ngjarjeve të rëndësishme popullore e historike pa ato mungesa që është futur çdo vit gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Ja, për të gjitha këto, le të jetë ky shkrim një kujtesë e thjeshtë për Qeverinë e sotme, që t’i rikthejë Vlorës gjithë ato që ajo i ka pasur dhe i ka shfrytëzuar për zbukurimin e gjallërimin e jetës së vet.

-Vlora pa Muze Historik

Nuk e kemi fjalën për godinën. Ajo ekziston, madje e rikonstrutuar bukur nga ana ndërtimore, e mbajtur mirë nga ana e personelit të saj, por që nuk funksionon as 50%. Është ndofta e pabesueshme që Vlora, e cila ka një thesar të pasur historik, ka 5 vjet që një pjesë e madhe e tyre janë të mbyllura nëpër disa arka, sepse mungojnë eksponatet. Janë të shumta ankesat, projekt – idetë e vajtje – ardhjet nëpër zyra të përgjegjësit të këtij institucioni, por përpjekjeve të tij u janë përgjigjur me heshtje dhe indiferencë, gjë e pritshme nga Qeveria e Sali Berishës për vlerësimin e historisë atdhetare të Vlorës. Jemi në vitin e 70- vjetorit të Çlirimit nga nazi-fashistët. Nisma e LSI-së është një arsye më shumë për të ngacmuar kujdesin e Qeverisë për këto objekte e Institucione të kujtesës dhe edukimit patriotik, sidomos për brezat e rinj. Do të jetë në funksion Muzeu Historik i Vlorës në prag të këtij përvjetori të rëndësishëm? Le të shpresojmë.

-Vlora pa kinema

Para vitit 1991 Vlora ka pasur tre kinema: dy dimërore dhe një verore. Sot nuk ka asnjë. Një prej tyre u rikthye te pronari, tjetra u privatizua nga një firmë piramidale, e cili e prishi dhe në vend të saj filloi një ndërtim tjetër, kurse te ish- kinemaja verore është bërë shesh për treg. Ata që duan të justifikojnë prishjen e tyre, e injorojnë vlerën e tyre duke thënë, se tani që janë stacionet televizive mbeten të pa frekuentuara e të panevojshme. Natyrisht, ky opinion është jo vetëm i pasaktë, por edhe dritëshkurtër. Nuk ka nevojë të shikosh si vlerësohen dhe sa frekuentohen ato në botën e qytetëruar, por mjafton të shikosh kinemanë që ndërtoi Edi Rama në Tiranë dhe kupton se ç´mungesë të madhe përbejnë ato, kur nuk i ke, sidomos në qytetet turistike.

-Vlora pa sheshe për fëmijë

Nuk ka vlonjat që të mos mbajë mend që në çdo lagje kanë qenë sheshet e ngritura me punë gjysmë vullnetare, ku fëmijët ushtronin disa lloje lodrash, sidomos sportive. Fatkeqësisht, sot në Vlorë, aq sa sheshe për fëmijë që ka pasur deri në vitin 1992, aq ose më shumë ka lokale kumari! Babëzia për fitim, shpirti antikulturë, papërgjegjshmëria për fatin dhe historinë e tyre, edhe dy lokale kryesore të shërbimit publik mu në qendër të qytetit, u kthyen në lokale kumari. Është e vërtetë, që aty ku dikur ka qenë parku i fëmijëve, dhe ku ata luanin pa pagesë, sot privati ka ngritur më shumë vegla argëtuese, por ama që duhet të paguash dhe që nuk mund ta gëzojnë gjithë fëmijët e gjithë qytetit, sepse është i vetmi vend që mund të argëtohen fëmijët, ndryshe nga para viteve 1992. Megjithatë edhe këtu të bën përshtypje moskujdesi për mjedisin përreth, që në dimër është tërë baltë, kurse në behar gjithë pluhur. Mjafton të përmendim rrugën që çon te Qendra Kulturore e Fëmijëve, për të kuptuar, se në këtë park mania për sa më shumë fitim dhe koncepti lekist, nuk ka asnjë lidhje me argëtimin e kulturuar dhe edukativ të fëmijëve.

-Vlora me një gjysmë bibliotekë

Sot në Vlorë ka një gjysmë bibliotekë, në krahasim me atë ç´ka qenë më parë. Atëherë, d.m.th. para viteve ‘90-të, veç bibliotekës për të rritur, funksiononte në një godinë më vete edhe biblioteka e fëmijëve. Që të dyja ishin në qendër të qytetit, me salla leximi dhe me një fond shumë të pasur librash, natyrisht, pa këndin amerikan, që është sot. Kurse biblioteka e sotme, e vendosur në një vend, që për të shkuar atje, duhet të ecësh me të pyetur, derisa të gjesh pallatin, ku është vendosur ajo, duket sikur ka qenë një vendim mëshire për të mos u zhdukur gjithë ai fond i pasur librash që ka pasur. Kudo bibliotekat janë qendra që luajnë një rol të veçantë në kulturimin e njerëzve, por edhe tregues të prestigjit të një qyteti. Bibliotekat nuk janë magazina librash, por qendra të veprimtarive të gjalla me librin dhe për librin. Është biblioteka e Vlorës sot në këto kushte? Para se të prishej qendra e qytetit, (siç janë prishur edhe vende të tjera në Vlorë), ka qenë një projekt, që nuk arriti të realizohej për arsye të ndryshimit të sistemit. Sipas tij, pas hotelit, që u la për shumë vite me radhë të rrënohej e të mbetej si një karikaturë shëmtuese e Sheshit të Flamurit, do të vinin në formë harku disa objekte të tjera të rëndësishme, si muzeu historik, galeria e arteve dhe biblioteka e qytetit. Ndofta është ky përfytyrim nostalgjik i këtij projekti, që më ngacmon të them, se vendosja e bibliotekës së qytetit në këtë vend, ku është sot, është më shumë një gjest mëshire, se sa për të kryer rolin e saj.

-Vlora pa ndriçim dhe me rrugë tërë gropa

Unë jetoj në një lagje ku kalon rruga nacionale, e cila në jug shkon drejt bregdetit duke ardhur nga qendra e Skelës, në një krah, dhe nga krahu tjetër bashkohet me degëzimin, që vjen nga ish- fabrika e Çimentos. Pra, është rrugë kryesore, që kalon në një lagje periferike. Deri në vitin 1991, jo vetëm kjo rrugë, por gjithë rrugët dytësore të lagjes ishin të ndriçuara e të asfaltuara, të mirëmbajtura dhe të kanalizuara. Kurse sot? … Ka 20 vjet që jo vetëm në rrugët dytësore, por edhe në atë kryesore, nuk ekziston më ndriçimi. Vetëm për një shkak të thjeshtë… Sepse nuk janë zëvendësuar llambat që janë djegur! Mora si shembull ndriçimin e lagjes sime për të thënë, se edhe pse një lagje periferike, atëherë kishte ndriçim, ishte e sistemuar, rruga ishte e gjerë dhe me sinjalistikë dhe kalimtarët lëviznin lirshëm. Kurse sot, ajo është e frikshme jo vetëm natën por edhe ditën nga lëvizjet e makinave të shumta, nga ngushtim i rrugëve prej orekseve të qytetarëve të pandërgjegjshëm etj.. Disa vite më parë, kur nuk kishte kaq trafik të renduar, për të kaluar për në qendrën e qytetit, ishte edhe rruga e fabrikës së çimentos. Një rrugë e rregullt, e kanalizuar në të dy krahët, e asfaltuar dhe e ndriçuar. Ishte një rrugë shumë e preferuar, jo vetëm për shoferët, por edhe për këmbësorët, sepse të nxjerr shpejt në qendër të qytetit. Sot, kjo është e pakalueshme, sepse u la të prishej nga indiferenca e shtetit, apo e pushtetit, jo nga amortizimi kohor, por nga mungesa e mirëmbajtjes. Drejt kësaj gjendje po shkon rruga te fabrika e tullave, ku një rrëke uji që kalon anash një kanali dhe mbulon sipërfaqen e saj, tani, pas gati 5 muaj, e ka bërë atë që, nëse nuk frenon deri në ndalim të plotë, mund të thyesh amortizatorët e makinës ose të shtrembërosh ndonjë disk. Pothuajse çdo ditë aty policia rrugore organizon postbllok. Me siguri, aty ndonjëherë, ndofta kalojnë edhe ata të policisë bashkiake të Qytetit që mendoj, se duhet ta kenë në detyrat e tyre edhe parandalimin e këtyre dëmtimeve. Që të ndalosh atë rrëke uji dhe të mbulosh gropat që janë hapur, mendoj, se nuk kërkon punë inxhinierike, fonde të papërballueshme, brigadë punëtorësh, por vetëm pak ndërgjegje dhe shumë pak… anti-indiferencë.

-Një lajm i mirë

Çelja e Galerisë së Arteve Figurative, është rikthim i asaj që Vlora e ka pasur, por që prej vitesh i ka munguar. Ishte një gjetje e bukur që ceremonia e hapjes së saj nuk qe prerja e një shiriti përurimi si godinë, por çelja e një ekspozite duke rikthyer traditën e dikurshme. Vlora mund të jetë një qytet i veçantë, që piktorët vlonjatë me veprat e tyre, në sajë të bujarisë së tyre gjenden në shumë shtëpi të banorëve të saj. Prandaj rihapja e kësaj “shtëpie” të piktorëve ishte një gëzim i të gjithëve.  Personalisht për këtë ngjarje nuk do të hapesha në faktor të tjerë, por do ta vlerësoja si një meritë të drejtuesit të kulturës, sepse e di ç´do të thotë, kur në krye të një pune të tillë vë një njeri ambicioz, kulturëdashës e të përgjegjshëm, që çan pengesat nga kushdo qofshin ato.

I nderuar lexues! Nuk kam marr shkopin në krah dhe të dal nëpër qytet, për të bërë në mënyrë cinike e tendencioze listën e gjithë atyre që mungojnë në Vlorë. I nxitur nga fakti, se ky qytet nuk është çiflig i ndonjërit, por vatra e ngrohtë dhe e dashur e popullit të vet dhe gjithë mysafirëve që shkelin në të, i nxitur nga fakti, se kërkoj të kemi ato, që ne i kemi pasur, por që për ligësinë e qeverive dhe prapësive të tranzicionit, nuk i kemi më, përmenda vetëm disa, por jo edhe të tjera e të tjera…