Shkolla profesionale, pranimi me mesatare dhe kriteret e regjistrimit

    659
    Pranimi i nxënësve në shkollat e mesme profesionale publike do të bëhet pa konkurs, por me mesatare të veçanta për çdo drejtim, të cilat do të përcaktohen nga vetë shkollat”. Gjithçka përcaktohet në udhëzimin e përbashkët të ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e asaj të Arsimit dhe sportit, i cili saktëson gjithashtu edhe dokumentet që duhen dorëzuar si dhe kriteret e tjera për t’u pranuar në këto shkolla. Më konkretisht, në vendimin e publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare thuhet se “përpara fillimit të regjistrimeve të reja, drejtuesit e shkollave profesionale, pasi konsultohen me bordet e tyre, planifikojnë për çdo drejtim mësimor: Numrin e nxënësve dhe mesatare të veçanta për çdo drejtim”.
    Sipas udhëzimit, në shkollat profesionale do të pranohen të gjithë ata nxënës që kanë përfunduar arsimin bazë dhe kanë marrë dëftesën e lirimit. Megjithatë, sipas kritereve të reja, ka një limit moshe për pranimet në këto shkolla. Më konkretisht, në klasën e dhjetë të shkollës profesionale publike do pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se tetëmbëdhjetë vjeç. Deri në moshën njëzet e një vjeç, nxënësi lejohet të ndjekë arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, ndërsa nxënësi që ka mbushur moshën njëzet e dy vjeç, lejohet të vazhdojë vitin e katërt deri në fund të atij viti shkollor. 
    Ndryshe nga pranimet në gjimnazet e përgjithshme, të cilat i pranojnë nxënësit sipas zonave të banimit, për shkollat e mesme profesionale përjashtohet ky kriter, për rastet kur zona në fjalë nuk e ka një shkollë të tillë. Ndërkaq, kur në shkollat publike profesionale ka kërkesa më të mëdha se numri i nxënësve të planifikuar, nxënësit do të përzgjidhen sipas mesatares më të lartë të notave të provimeve të lirimit. Për të aplikuar në shkollat profesionale, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë një kërkesë për regjistrim, ku përcaktohet drejtimi mësimor që nxënësi do të ndjekë. Po ashtu, nevojitet kopja e noterizuar, e njehsuar me origjinalin e dëftesës së lirimit, si dhe një kopje e kartës së identitetit të nxënësit. 
    Sigal