Shenasi Rama: Unë i kërkova Ramizit pluralizmin. Ne studentët ishim ndërgjegjja e popullit

    98

    Intervistë me  Shenasi Rama, studentin qe debatoi me Ramiz Alinë më 11 dhjetor 1990

     Shenasi Rama ishte një nga studentët, që më 11 dhjetor 1990 në takimin historik të studentëve me Sekretarin e Parë të PPSH-së, i kërkoi Ramiz Alisë, përballë, pluralizmin politik, dhe jo thjesht një pluralizëm elektoral, ku nuk kishte parti opozitare, por levat e PPSH-së, si Bashkimet Profesionale, Fronti,etj. Dhe Prof. Dr, Shenasi Rama, në intervistën për “Telegraf” zbardh edhe një herë momentin historik, bisedën, replikat që bëri me Ramizin, duke i kërkuar se ndryshimin e sistemit e kërkon e ardhmja me pluralizëm, dhe jo me partinë e sistemit. Shenasiu dëfton që ai nuk e lejoi Berishën dhe Pashkon që të vinin në atë takim.

    – Zoti Shenasi, në 9 dhjetor 1990, si ishin rrethanat politike dhe kush e organizoi këtë takim?
    – Dhjetori i 1990-s ishte një proces i kushtëzuar nga kriza që gjendej sistemi i atëhershëm. Sistemi ishte me mjetet më të fuqishme të dhunës. Ai sistem mbijetonte duke ngrënë popullin e vet. Rrethanat politike ishin që sistemi nuk donte të lëshonte pe, studentet ishin në shesh, populli kërkonte ndryshim, dhe bota e jashtme kërkonte ndryshimin e sistemit me çdo kusht. Ditët e dhjetorit 1990 ishin një moment që  bëri domosdoshmërinë që ky sistem duhej ndryshuar, por duhej bërë me sa më pak dëme që ishte e mundur. Për këtë sistemi iu drejtua intelektualëve e figurave të tjera.

    – Kush e organizoi takimin e studentëve me Ramiz Alia?

    – Iniciativën e mori vetë sistemi, duke ftuar dhe duke dashur që të kontrollojë studentët. Studentët në ato kohë u treguan të kujdesshëm dhe me përgjegjësi historike dhe kombëtare. Takimi u organizua nga Ramiz Alia, përfaqësuesit e tij, në bisedë me drejtuesit e Lëvizjes Studentore. Ramë dakord për 30 vetë dhe që biseda të jepej e regjistruar.

    – Kush i caktoi studentët të takonin Ramiz Alinë
    – Përfaqësuesit u zgjodhën nga studentët e fakulteteve përkatëse. Këto zgjedhje, të parat zgjedhje demokratike në Shqipëri i kam organizuar unë, dhe po vetë kam qenë në masën e studentëve dhe po masa e studentëve të Fakultetit Histori Filologji, më ka propozuar për takimin, bashkë me Tefalin Malshytin, Skënder Minxhozin, Edvin Shvarcin dhe dikë tjetër, në mos qofsha gabim Blendi Fevziun. Ka qenë procesi më demokratik që mund të bëhej. Gjithkund studentët zgjodhën atë që iu dukej më i përshtatshëm.
    – A kishte prapaskenë, se kush duhet të bënte pyetje?
    – U bë një takim më pas dhe u vendos se kush do të bënte pyetjet e çfarë pyetjesh. Mirëpo unë thashë se do të flas për pluralizmin e kaq. Të tjerët u caktuan për problemet e tjera. Dikush për drejtësinë, dikush, si Adrian Petrollari për ekonominë, e me radhë. Nuk ishte prapaskenë, ishte punë dijeje. Unë e dy-tre vetë të tjerë e dinim se si ishte gjendja, mirëpo duhej respektuar vullneti i studentëve dhe ai duhej të ishte i shenjtë. Demokracia që ndotet në fillimet e saj nuk është demokraci. Ama, plani ishte që ta shtynim sistemin të ndryshonte, duke vënë jetën tonë në tavolinë. Shteti i kishte studentët dhe punonte në intensitet dhe në lojë u futën edhe të ashtuquajturit intelektualë. Por në ato momente ishte edhe një element tjetër, improvizimi, sepse faktorizimi i disa prej nesh, që nuk ishin të kontrolluar nga sistemi, i detyroi njerëzit e sistemit, edhe ata që kontrollonin këtë, për të ndryshuar kalkulimet dhe ekuacionin e tyre. Ky ishte suksesi i lëvizjes studentore. Ne i detyruam të gjithë që të merrnin një kah tjetër dhe të mos ishte thjesht një lojë e kontrolluar nga sistemi. Ne e kuptuam cilët ishin rregullat që duhet të luanim, synuam ato rregulla dhe ndërruam rregullat e lojës.
    – Po a u diktuan pyetjet që i bëtë ju Ramiz Alisë?
    – Të tjerët i ndenjën programit, por unë jo. Arsyeja ishte se ndryshe nga të tjerët, unë dija shumë më shumë se çka po ndodhte dhe ku ishte loja. Kështu, që unë e kërkova pluralizmin politik, jo atë elektoral, që donte të jepte sistemi dhe kjo e ndërroi komplet lojën. Në atë kohë unë iu jepja mend të tjerëve, nuk kishte kush mend me më dhënë mua. Unë bëra debatin me Ramizin, duke i kërkuar pluralizmin politik.
    – Përse nuk ishin në atë takim me Ramizin  edhe  Berisha e Kadare?
    – Si e morën vesh që Alia e kishte dhënë pluralizmin elektoral, Berisha dhe Pashko donin të vinin, por unë i përzura të dy. Pluralizmi politik, themeli i vërtetë i demokracisë në popull duhej të vinte nga zemra e studentëve dhe ashtu ndodhi. Në e kërkuam dhe e fituam. Kadare ishte në Francë dhe kaq.
    – Çfarë ju ra në sy dhe ju mbeti përshtypje gjatë atij takimi, që ende ju nuk mund ta harroni?
    – Se sa vetëm kam qenë. Se si ata që shiteshin si heronj, u treguan legenë dhe sa burrni është dashur për ti ndenjur gati njeriut që të fshinte me gjithçka kishe dhe për ti kërkuar një të ardhme më të mirë për shqiptarët.

    Cila është vlera historike e 11 Dhjetorit, takimit të studentëve me Sekretarin e Parë të PPSH-së?

    – Ka qenë një natë e madhe, ishte një moment i madh, kur ishim të palyer, shpresa dhe e ardhmja, që duhet t’i tregonim së kaluarës, se ne e kuptonim shumë mirë ku ishte rruga, cila  ishte rruga, që nuk ishim të manipuluar, që nuk ishim të kontrolluar dhe i dhamë popullit një shembull të madh.

    – Ndjetë ndonjë çast frikën e shtetit?

    – E dinim që ndoshta të gjithë mund të përfundonim në Sharrë ose diku tjetër, por kjo nuk kishte rëndësi. Ajo që kishte rëndësi, ishte se, duke i treguar popullit dhe Sekretarit të Parë të PPSH-së, që ne e dinim shumë mirë se çfarë duhet bërë. Ne ishim në ato momente ndërgjegjja e popullit. 3 orë bisedë me Ramizin me shumë kthesa e të papritura. Ajo natë do mbahet mend rezistenca, kërkesa të qarta dhe dija e studentëve që treguan në atë takim që nuk ishin vegla të manipulueshme.

    – A pati presion më pas, ndaj jush?

    – Natyrisht, që ka pasur shumë presion. Babait tim, që kishte qenë një ndër themeluesit e PKSH-së, unë shkova e i thashë, që duhet të ndërrosh djalin, nëse do mbash teserën e partisë. Babai, shkoi dhe dorëzoi teserën, duke u thënë se do të ndiqte djalin e tij, se e di që çfarë djali kam. Në Lëvizjen Studentore u kërkua që të mënjanonin studentët që nuk i kontrollonin, por pati presion edhe nga këta tanët, që dolën në krye të opozitës, edhe pse e dinin që nuk kishin asnjë kontribut, por i kishin futur po vetë sistemi që të na luftonin deri në vdekje, ashtu siç na luftuan.

    – Faleminderit!

    “Debati i studentit Shenazi Rama me  Ramiz Alinë

    Shenasi Rama:- Duam të dimë subjektet elektorale, cilat do të jenë?

    Ramiz Alia, me ton të acaruar:- Nga ty si shtrohet, leri të tjerat…
    Shenasi Rama:- Çështja e pluralizmit është e mangët

    Ramiz Alia:- Si është?

    Shenasi Rama:-  Për një arsye. Ju thatë të ndjekim traditat më të mira të popullit tonë dhe unë ju kujtoj që gjithmonë në momentet më kyçe të historisë të popullit tonë, ka pasur pluralizëm. Që nga lashtësia, por po ju kujtoj Kuvendin e Lezhës. Ai ishte pluralizëm i saktë. Ju qeshni..

    Ramiz Alia:- Unë ju dëgjoj, ju dëgjoj me  vëmendje të madhe, edhe me respekt çdo të ri, i cili kupton dhe shpreh mendimet e tij, qofshin edhe të gabuara. Unë jam mësuar të flas me gjithfarë njerëzish. Edhe me ata që kanë të drejtë, edhe me ata që nuk kanë të drejtë. Dhe kam shumë durim. Edhe ty do të të dëgjoj deri në fund. E fillove me princat në kohën e Skënderbeut, që s’kishte parti në atë kohë, por s’prish punë. Vazhdo.

    Shenasi Rama:-  Pluralizmi nuk fillon te partia. Pluralizmi fillon te e drejta të mendosh ndryshe..

    Ramiz Alia:- Shumë drejtë.
    Shenasi Rama:-  Pra, ishin princa ose fshatarë, ata ishin njerëz dhe kishin mendimet e tyre. Pra, nuk flasim për parti, por flasim për pluralizëm. Tradita për pluralizëm  nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri deri në 1946.

    Jakup B. GJOÇA