Qytetarët ankohen për mjekët, infermieret dhe laborantët

    439
    Duke përfituar nga vëmendja e shtetit dhe opinionit tek çështja “Doshi-Marku”, bluzat e bardha të Elbasanit po i mbulon korrupsioni, një e keqe e cila i është shtuar halleve dhe problemeve të çdo qytetari. Kështu, vizitat, analizat, shërbimet dhe gjithçka tjetër, do të kryhen vetëm po qe se ti paguan jo vetëm tarifën e shtetit, por edhe para nën dorë. Në korrupsion janë zhytur ambulancat të cilat megjithëse kanë mjekë të paaftë, zhvatin çdo ditë qytetarët që vizitohen atje. Është fatkeqësi e madhe tek shikon ata mjekë mediokër dhe ato infermiere dhe laborante, madje edhe sanitaret tashmë, tek gjuajnë si “dhelprat për pula”, çdo qytetar apo më keq ndonjë fshatar, tek futet dhe kërkon vizitë mjekësore. E sorollatin dhe e detyrojnë të shkojë tek “specialisti” për t’i zhvatur para. Zoti Ministër i Shëndetësisë, e dini sa skandale janë bërë në punën e përditshme tek bluzat e bardha të Elbasanit, natyrisht që disa i dini dhe disa jo. Qytetarët çdo ditë ankohen kur mjeku dhe infermierja i zhvatin lekët. E dini Zoti Ministër i Shëndetësisë se edhe mjeket e lagjeve në Elbasan po bëjnë kërdinë duke u marrë lekë pacientëve, duke i përbuzur ata dhe duke i mbushur receta me ilaçe tjetër për tjetër. Natyrisht zoti Ministër që i dini, se edhe ju nga jeta e përditshme vini. Një qytetare me foshnjën e saj 1.5 vjeçe, u ankua tek “Telegraf” duke deklaruar se “kjo ishte mjekësia falas, kur edhe tek Laboratori Epidemiologjik nuk tenton të shkosh për një analize, sepse e kishin zakon të deklaronin se “Jep sa dush, sipas dëshirës”. Ky është turp zoti Ministër, ndaj duhet të ndërhyni me të gjitha kompetencat tuaja ligjore, për të luftuar fenomenin e korrupsionit që çdo ditë bën të pakënaqur qytetarin. Nga deklarimet e qytetareve mëson se “çuditërisht më të korruptuarit rezultojnë mjekët e paaftë, mjekët mediokër, kurse ata më të aftë, lekun e duan por e marrin me forma më të moderuara”. Ky realitet duhet të përmbyset me urgjencë, Elbasani dhe qytetarët e tij të papunë ku shumica jeton me ndihmë ekonomike, duhet të gjejnë tek bluzat e bardha pritjen e ngrohtë dhe jo arrogancë, seriozitetin e profesionistit dhe jo apatinë dhe injorancën e mediokrit, korrektësinë dhe kujdesin dhe jo përballjen me sjelljet çoroditëse të një mjeku që pasi e ka marrë diplomën me para, tenton t’i nxjerrë ato sapo nis punën në ambulanca lagjesh apo spitale. Në shkallë vendi, Elbasani vjen i dyti si qytet, ku mjekësia është sektori që ka strehuar mediokritetin dhe ka shtuar korrupsionin , duke mos pasur asnjë rast nga organet e drejtësisë si shembull për të gjithë ata që tallen dhe luajnë me jetën e qytetarit. Sallat e laboratorët janë kthyer si fondacionet e Sudes dhe Xhaferrit, ku mbledhin lekët në kuti biskotash e bananesh dhe xhepat i mbajnë sa më të gjatë për të futur bakshishin. Orët e mesditës kur jepen përgjigjet e analizave, kthehen në orët e manisë madhe, ku përgjigja e çdo analize shoqërohet me dhënien e 5 mijë lekëshit për “sqarime” të detajuara. Dhe kjo ndodh në mesin e ditës, dhe korridoret e ambulancave dhe spitaleve. Për të vërtetuar denoncimet e qytetarëve, mjafton të shikosh makinat e parkuara të mjekëve, por edhe të një pjese të infermierëve, ku më e lira është mbi 8 mijë euro. Kjo është situata edhe pas afro 2 vitesh ku qytetarët e Elbasanit shpresuan për “luftën ndaj korrupsionit në mjekësi dhe një mjekësi falas për shtresat në nevojë”.
    Sigal