Provimi i shtetit, në 25 nëntor nis testimi i mësuesve

    486
    Javën që vjen, në datën 25 nëntor 2015, do të nisë testimi i mësuesve të rinj për provimin e shtetit. Detyrim ligjor ky për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit. Agjencia Kombëtare e Provimeve, njofton se ditën e hënë do të publikohen listat me emrat dhe datat e testimit për mësuesit e rinj që do të hyjnë në provim, pasi aktualisht është duke u bërë saktësimi i listave. “Në mesin e javës që vjen, pra në 25 nëntor, do nisë provimi i shtetit për 23 profilet e mësuesisë, më pas në muajin dhjetor do vijojë me profesionet e mjekësisë”, – sqarojnë burime zyrtare të AKP-së.

    Sipas tyre, në këtë sezon të provimit të shtetit, për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit do të jenë rreth 2300 kandidatë. Bashkëngjitur shkrimit, mësuesit që do hyjnë në provimin e shtetit kanë dhe fondin e pyetjeve për disa nga profilet, si Matematikë, Fizikë, Histori-Gjeografi. Të plotë fondin e pyetjeve e gjeni në faqen zyrtare të AKPsë www.akp.gov.al.

    MËSUESIT
    Të parët që do të hyjnë në provimin e shtetit për këtë sezon janë rreth 1 mijë mësues të rinj, të cilët kanë mbaruar me sukses praktikën profesionale. Testimi për ta do të fillojë të mërkurën e javës që vjen, më 25 nëntor, dhe do të zgjasë deri në mesin e javës së parë të dhjetorit. Sipas specialistëve të AKP-së, ditën e hënë do të publikohen emrat e kandidatëve dhe datat e provimit. Po ashtu, ata do t’u japin mundësi kandidatëve të verifikojnë të dhënat e tyre personale dhe në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në ëeb, kandidati duhet të kontaktojnë në adresën provimshteti@ outlook.com si dhe të njoftojë edhe përpara se të hyjë në ambientin e provimit.

    “Të parët do testohen mësuesit në 23 profile. Për këtë sezon janë rreth 1000 kandidatë që kanë mbaruar studimet e larta për mësuesi në profile dhe cikle të ndryshme të arsimit parauniversitar. Të hënën, në faqen e AKP-së ata mund të gjejnë emrin, datën dhe orën se kur do ta zhvillojnë provimin e shtetit. Ndërsa në dhjetor do testohen kandidatët në profesionet e mjekësisë, që janë gati 1300. Në profesionet e infermierisë janë rreth 1000 kandidatë, ndërsa 40 janë mjekë, kurse pjesa tjetër janë stomatologë dhe farmacistë”, sqarojnë burime pranë AKP-së.

    DOKUMENTET & TARIFA
    AKP-ja njofton, se provimi i shtetit për këtë sezon do të fillojë javën e katërt të muajit nëntor dhe do të zgjasë deri në javën e katërt të muajit dhjetor 2015. Ditën e provimit kandidatët duhet të kenë me vete letërnjoftimin (ID-në) dhe një fotokopje të tij, mandat- pagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën e publikuar nga AKP-së, të vulosur mundësisht nga Posta Shqiptare ose, në pamundësi, nga çdo bankë e nivelit të dytë; në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.

    Kandidati duhet të duhet të paraqitet në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Kandidatët që hyjnë për herë të parë në provim të shtetit paguajnë 10.000 lekë, ata që testohen për herë të dytë 12.500 lekë, për herë të tretë 15.000 lekë, për ata që po testohen për herën e katërt është 17.500 lekë të reja, ndërsa shansi i fundit, për kandidatët që testohen për herë të pestë, është 20.000 lekë. Faturën e pagesës të interesuarit mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së. Nëse kandidatët nuk e kalojnë me sukses këtë provim, ata nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre për të cilin kanë mbaruar studimet e larta.
    Sigal