Stuhi dhe reshje të shumta në vend. Përmbyten rrugë e lagje, mungon energjia në disa zona

556
Që prej mesnatës reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë mbërthyer kryeqytetin por edhe disa zona të veriut. Për pasojë në disa rrugë ka prezencë të madhe të ujit.
Prezencë uji ka në rrugët ‘Siri Kodra’ deri tek tregu ‘5 Maji’, po ashtu edhe tek rruga ‘Ali Demi’. Vështirësi qarkullimi edhe tek ‘Zogu i Zi’ deri në Laprakë.
Edhe banorët e rrugës ‘Karl Gega’ ankohen se uji iu ka hyrë në banesa.
Stuhia dhe reshjet e dendura kanë rrëzuar edhe pemë tek rruga e “Barrikadave”. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale pasi pema ka rënë mbi disa mjete të parkuara anës rrugës.
PËRMBYTEN BANESAT NË FUSHË-KRUJË, UJI ARRIN NË 1 M LARTËSI
Përmbytjet nuk kanë kursyer as Fushë-Krujën. Mësohet se dhjetra banesa janë rrethuar nga uji. Raportohet se lartësia e ujit arrin deri në 1 metër, ndërkohë nuk dihet ende se sa është numri i banesave të prekura.
BANORËT E BATHORES: JEMI PËRMBYTUR, S’NA KA ARDHUR NJERI PËR NDIHMË
Një banor i Bathores, në kryeqytet, Nazim Ndreu, deklaroi sot në një lidhje telefonike për News24 se rruga “Azem Hajdari” është përmbytur. Sipas tij, tubacionet e ujërave të zeza kanë shpërthyer, ndërsa shumë banesa dhe automjete janë përfshirë nga uji. “Janë shumë banesa të prekura nga përmbytjet deri tani. Kemi njoftuar policinë, por deri më tani nuk ka ardhur asnjë.”, tha banori.
ZHDUKET PUNONËJSI I HECIT NË DIBËR, DYSHOHET SE ËSHTË MBYTUR
Një 27-vjeçar nga Dibra është shpallur i humbur, pasi ka humbur kontaktet me familjarët prej mbrëmjes së djeshme. Dyshohet se i riu Arif Vladi mund të jetë mbytur, pasi shkoi për të pastruar kanalet e HEC-ve Lura 1 dhe 2. Por që nga ai moment familjarët kanë humbur kontaktet me 27-vjeçarin. Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në kërkim të punonjësit të një HEC privat.
NJË I VDEKUR NË AKSIN ELBASAN-LIBRAZHD
Një i ri ka humbur jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 tek vendi i quajtur “Kthesat e Murrashit”. Drejtuesi i mjetit, shtetasi R.Karai, 27 vjeç, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit, e më pas është përplasur me bordurën. Si pasojë e goditjes 27-vjeçari është aksidentuar rëndë, duke ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
RRËSHQITJE INERTESH NË SHKOPET TË BURRELIT
Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme dhe në aksin rrugor Burrel-Milot. Sakaq, në Shkopet ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme inertesh.
SITUATA NE JUG TE VENDIT
Moti i keq ka përfshirë dhe jugun e vendit. Në Vlorë një pjesë e qytetit por dhe në Orikum, Dukat, si dhe disa fshatra të lumit të Vlorës, Mifol, fshati Fitore dhe komuna Novoselë raportohet se janë pa energji elektrike. Ndërkohë, në Fier, raportohet se lumi Gjanica ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Situatë kritike thuhet se është në lagjen “1 maji”. Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyer dhe me erëra të forta kanë ndërprerë energjinë elektrike për Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
REBESH EDHE NË VERI, DISA ZONA PA ENERGJI, RËSHQITJE INERTESH NË RRUGË
Një rebesh i fuqishëm shiu dhe ere ka përfshirë edhe veriun e vendit. Për pasojë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së të shtunës kanë mbetur Puka, Kukësi, Hasi e Tropoja.
Si pasojë e e reshjeve të dendura ka pasur edhe rëshqitje inertesh në disa akse rrugore. Në Dibër 70 shtëpive iu janë dëmtuar çatitë nga fortuna.
OSHEE NË GATISHMËRI: JA SITUATA E FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE NE VEND
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës te energjisë elektrike. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda kohe të shkurtër. Gjithashtu, shoqëria thekson se ndërhyrjet në rrjet kanë minimizuar defektet, megjithatë problem vijojnë të mbeten zonat rurale.
Në një njoftim për mediat, OSHEE pohoi se në 10 Drejtoritë Rajonale dhe ne terren po punon një personel prej 1200 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 16 grupe për ndjekjen e regjimit të punes dhe 20 inxhinierë të sigurisë në punë.
Nga avaritë të Tensioni i Lartë janë prekur këto zona:
-Linja L 30-5 Shkozet – Mali Robit
-Linja 30-3/1 Shijak – Ndroq
-Pa energji Nst Durrës dhe N/st Porto Romano për shkak të demtimit të linjave 35 kV
– N/st Shkozet vazhdon puna për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar në linjat TM 20 kV, 10 kV, 6 kV
Nga avaritë në Tensionin e Mesëm, janë prekur këto zona:
Gjirokastra
Ka në avari 12 fidra si pasoje e erës së forte dhe kohës së keqe me shi gjate natës e në vazhdim. Zonat e mbetura pa energji janë: Ballaban, Piskovë, Sukë, Lekli, Lunxheri/ Kelcyrë; Zagori, Lazarat Gjirokastër, Kosine Petran/ Permet
Kukës
Ka në avari 9 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: Rexhepaj, Kalimash, Cahan, Qytet Kukes; Lekbibaj, Fierzë, Rragam, Valbonë, Bujan Pac në Bajram Curri
Burrel
Ka në avari 14 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: zonat Shupenzë, Kraste, Komsi, Klos, Cerrunje, Sllove, Zall Dardhe
Durrës
Ka në avari 19 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë zonat Xhafzotaj, Spitallë, Romanat, Koxhas dhe ish Kenete
Sigal