Në emërimet e reja do të zbatohet vetëm kriteri i meritës, nëpërmjet konkursit

452
Sigal

Ministrja Milena Harito zbardh procedurën e reformimit të Administratës Publike

Grupi i posaçëm i reformës në Administratën Publike BE – Shqipëri, mbajti dje takimin e dytë, për të diskutuar rreth progresit të arritur gjatë vitit 2013, në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit dhe në adresim të rekomandimeve të BE-së në fushën e reformës në Administratën Publike.

Transformimi i Administratës Publike

 Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, e cila drejtoi këtë takim, e vuri theksin në angazhimin e plotë të qeverisë në transformimin e Administratës Publike. Ajo nënvizoi rëndësinë e Ligjit të “Nëpunësit Civil”, duke theksuar se, ky ligj forcon parimin e meritës në rekrutime, përmirëson zhvillimin e karrierës, forcon unitetin dhe homogjenitetin e  regjimit të punësimit në Shërbimin Civil.  Gjithashtu, znj. Harito shprehu vendosmërinë e qeverisë “për të ndryshuar një mendësi të rrënjosur thellë, sipas së cilës, në Administratën Publike punësimi bëhet me njohje ose me praktika korruptive”.  Ministrja Harito theksoi se, reforma në Administratën Publike: “Së pari, kjo fillon me krijimin e ministrit të Shtetit që mbulon posaçërisht Administratën Publike, për të pasur përgjegjësinë direkt të reformës së Administratës. Së dyti, ne jemi të angazhuar fort për të ndryshuar një mendësi të rrënjosur thellë, që prej më shumë se 70 vjetësh, sipas së cilës në Administratën Publike punësimi bëhet me njohje, ose edhe më keq me praktika korruptive.

Risitë e ligjit “Për nëpunësin civil”

Ky ligj sjell disa risi të rëndësishme në fushën e Administratës Publike:  Së pari, ai forcon unitetin dhe homogjenitetin e  regjimit të punësimit në shërbimin civil, përfshin në regjimin e nëpunësit civil institucione të varësisë të cilët nuk ishin më pare, si edhe pushtetin vendor, duke e çuar numrin e punonjësve të administratës që kanë pra  statusin e Nëpunësit Civil,  nga 6 mijë në rreth 20 mijë, duke filluar nga prilli i vitit 2014.  Ligji sjell edhe ndryshime të tjera të rëndësishme: forcon parimin e meritës në rekrutime, përmirëson mobilitetin dhe zhvillimin e karrierës brenda shërbimit civil.

Ndërkoha për përgatitjen e akteve nënligjore

Të gjitha aktet nënligjore përkatëse parashikohet të hartohen, konsultohen me grupet e interesit dhe të rishikohen brenda datës 30 dhjetor 2013. Po ashtu, deri me datë 15 janar 2014 është parashikuar të përmbyllet procedura e duhur për dërgimin e tyre për miratim në Këshillin e Ministrave.

Shkolla Shqiptare e Administratës Publike

Në lidhje me zhvillimet për  krijimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), theksojmë se krijimi i Shkollës në shkurt të këtij viti (2013),  shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të administratës publike shqiptare. ASPA do të sigurojë trajnim profesional përmes një programi trajnimi të thelluar, me kohë të plotë, si dhe programin e formimit profesional të vazhdueshëm.  Për sa i përket zhvillimeve në lidhje me fazën e dytë operacionale të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (SIMBNJ/HRMIS), aktualisht po punohet për bërjen funksionale të  sistemit në 16 ministritë e linjës si dhe Kryeministri. (Gjatë vitit 2012, procedura e tenderimit për këtë proces nuk u realizua me sukses në të tre fazat e parashikuara, për shkak se kandidatët nuk përmbushnin kushtet e parashikuara të specifikimeve teknike.