Luan Rama: Të shpresojmë që gjenerata e re politike t’i shërbejë interesave kombëtare

457
Sigal

Publicisti i njohur Luan Rama, edhe pse jeton në Francë, i ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe është po kaq i interesuar, si çdo shqiptar që jeton larg, por zemrën e ka në Atdhe. Në intervistën për “Telegraf”, publicisti Rama  shpreh një shpresë. Që kjo gjeneratë e re e politikanëve t’i shërbejë interesave kombëtare.

– Zoti Rama, a mund të themi në zgjedhjet e 23 Qershorit u votua për një ndryshim, ishte votë proteste ndaj keqqeverisjes, apo ishte votë për të Majtën?

– Kjo tashmë më duket se është e njohur për të gjithë: vota popullore ishte një sanksion ndaj politikës klanike dhe një qëndrimit arbitrar e abuziv të pushtetarëve, ku shteti vihej në shërbim të interesave të ngushta personale e familjare. Kishte një besim dhe një narcisizëm ekstrem, ku për hir të qëndrimit në pushtet sakrifikoheshin interesat e mëdha në kuadër nacional, pra kushtet ekzistenciale të popullit, ku vendi mbahej në një qerthull përfitimesh të ngushta, në një lloj kaosi të ruajtur nga autoritarizmi i shfrenuar, në një konflikt të brendshëm social e politik pa rrugëdalje, çka ishte për të qarë hallin… Pra, populli bëri një zgjedhje dhe e Majta erdhi në pushtet. Ajo që ishte parësore për mua në këto zgjedhje, ishte se iu dha fund një sistemi politik të quajtur «sistemi Berisha», një simbiozë e një demokracie të brishtë dhe një diktature të venitur e të maskuar, një simbiozë e makiavelizmit ekstrem politik me krijimin e një ndasie dhe kaosi social.

–  Cila mund të jetë kostoja e së Majtës për këtë?

– Ardhja në pushtet të së Majtës është së pari një përgjegjshmëri tepër politike dhe që i kalon kufijtë e «unit», të «drejtuesit», të liderit politik. Është një përgjegjësi kolektive, e grupit që është në drejtim. Ja pse debati politik brenda të Majtës ka rëndësi prioritare. Sigurisht që, e Majta është përballë një sfide shumë të madhe dhe ja pse s’duhet të ketë eufori. Kriza ekonomike botërore vazhdon dhe kjo sfidë është nga më të mëdhatë. Mund të kesh një legjislacion evropian me standard të lartë, por atë duhet ta vesh në praktikë e jo ta kesh vetëm në letër.

– A ka rilindje kjo maxhorancë e re, sikundër premtoi në fushatën elektorale?

– Rilindja është një fjalë e madhe dhe në rastin e zgjedhjeve duhej një slogan elektoral, por ajo na u paraqit dhe si filozofi politike: e rëndësishme është që ajo të mos mbetet në stadin e sloganit që ngjall shpresën, por të kthehet në një filozofi që drejton menaxhimin e shtetit, që jep zgjidhje konkrete për problemet e mëdha që ka Shqipëria. Dhe politikani më i madh i botës do ta kishte vështirë me një vend si Shqipëria në stadin që është sot. Këtu dhe kostoja politike që mund të ketë e majta. Aktualisht nuk mund t’i kërkosh kësaj qeverisje që për dy muaj të bëjë çudira, të japë zgjidhje të menjëhershme problemeve emergjente dhe jetike, etj… Kjo kosto pra do të shihet më vonë, pasi do matet me rezultate, së pari ekonomike…

– Protesta qytetare kundër armëve kimike, a ishte një reagim ndaj politikëbërjes në përgjithësi?

– Sigurisht, ishte një reagim i fuqishëm qytetar, në të cilin tentuan ta akaparojnë për qëllime politike. Nuk ishte një protestë ndaj maxhorancës, por një reagim ndaj një problem të caktuar midis një vendimi që ende nuk ishte marrë dhe marrëdhënieve me një nga partnerët më të fuqishëm të Shqipërisë.

A mund të vlerësohet historike, kjo protestë qytetare?

– Është shumë të thuash historike, por mund të cilësohet si një kthesë në pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe rolin e saj në zgjidhjen e problemeve që kanë një peshë kombëtare. Kuptohet që vullneti i qytetarëve u dëgjua dhe u morr një vendim mjaft i drejtë, duke ruajtur të pacenuar marrëdhëniet me SHBA. Kjo ngjarje duhet të na shërbejë si shembull lidhur me rolin e shoqërisë civile e cila deri dje ka qenë jo aq aktive dhe e mbyllur në forume apo që mjaftohej me ndonjë peticion zërin e së cilës politika e mbyste shpesh.

– Duhej të jepte dorëheqjen Kryeministri Rama, dhe jo të përgjigjej ashtu siç u përgjigj për vendimmarrjen që mori për armët kimike?

– Dorëheqjet në një vend demokratik kërkohen kur ka ngjarje të mëdha, katastrofa të mëdha, dhunë policore, etj… ngjarje të tilla ka patur plot në Shqipëri, si “Gërdeci”, “21 janari” dhe vrasja e demonstruesve, etj., etj., ku kryeministri jo vetëm nuk pranoi të fliste për dorëheqje, por ai na ndërtoi skenarë hetimesh parlamentare, policore deri tek liderët e opozitës. Si mund të flasësh për dorëheqje për një vendim që nuk u morr? Duhet të jemi më realistë…

– Ka lidership Shqipëria sot?

– Lidershipi do kohë të krijohet! Nëse do të kemi rezultate optimiste brenda një viti, mund të thuhet se, po shkohet drejt krijimit të një lidershipi të ri. Dhe unë besoj se kjo mund të arrihet. Por sfida është e madhe. E megjithatë, referenca e “sistemit Berisha” është aq e dukshme për keq, sa kjo do të bëhet shtysë për krijimin e një lidershipi të ri. Dhe lidershipin duhet ta mendojmë jo vetëm në politikën e brendshme por dhe në zgjidhjen e problemeve të trashëguar në Ballkan dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë ne BE.

– Ka ide sot e Djathta shqiptare?

– Është e vërtetë që e djathta pësoi një lloj “elektroshoku”, i cili mund të ishte dobiprurës për të djathtën në përgjithësi, duke përjashtuar Berishën. Por ky rigjenerim i së djathtës do të vonojë për sa kohë Berisha do të diktojë brenda PD-së. Demokratët e vërtetë duhet të distancohen nga politika e tij e bllokazhit, e përplasjeve të mëdha, e përdorimit të një detashmenti militantësh dhe të “shantazhit berishian”, metodë kjo e përhershme e tij ndaj kundërshtarëve brenda së Djathtës.

– Si e mendoni ju, përse në Shqipëri nuk ka protesta të fuqishme të shoqërisë, për një politikë të pastër, kundër korrupsionit?

– Sepse shoqëria civile e ka të vështirë të zbulojë të vërtetën. E vërteta është në zyrat e Prokurorisë, të gjykatave, në ato të hetimit policor, etj.. Shoqëria civile nuk i ka këto mundësi, çka lind dhe nevoja e një reforme në këto organe të shtetit, reformë kjo që po ndërmerret dhe duhet të ndërmerret urgjentisht. Pa një reformë të tillë, aferat korruptive do të mbulohen, “konflikti i interesave” të zyrtarëve do të fshihet, etj..

– Shikoni te të rinjtë shqiptarë, të kenë vizion, bashkim, organizim, për të reaguar edhe për çështje të demokracisë?

– Deri tani ka munguar një angazhim i rinisë në drejtim të kritikës ndaj ushtrimit të keq të pushtetit, menaxhimit të papërgjegjshëm, shkeljeve të demokracisë, të drejtave të njeriut, etj. Por vetëdija e kësaj rinie ekziston. Është një rini më e kultivuar dhe më europiane se ajo para 20 vjetësh. Pra, ne duhet t’i besojmë asaj që për çështje të tilla ta thotë zërin e saj, jo vetëm përmes shtypit, por dhe në shesh.

– Faleminderit!

Shqipëria ka imazh pozitiv te francezët dhe  politika franceze

Duke qenë se ju jetoni në  Francë, cili është perceptimi që kanë francezët për Shqipërinë, për politikën, për shqiptarët?

– Që me idenë e hedhur në Paris në vitin 1999 në Zagreb për integrimin dhe të Ballkanit Jug-Lindor në BE, u duk qartë interesi i Francës për Shqipërinë dhe gjithë këtë pjesë të Ballkanit, pavarësisht nga niveli i ulët i standardeve dhe mjegullën nacionaliste që mbizotëronte ende. Aktualisht interesi është i veçantë dhe po ta shikosh madje dhe në këto dy muaj vihet re një përshpejtim i kontakteve politike. Shumë ministra shqiptarë kanë ardhur në Paris ku janë pritur krahëhapur nga homologët e tyre, çka tregon vëmendje, interes bashkëpunimi, interes ky që u tregua dhe nga vizita së fundi e ish- ministrit Alain Richard në Tiranë, si koordinator dhe shtytësi bashkëpunimit ekonomik midis Francës dhe rajonit. Pra, qeveritarë francezë, të interesuar dhe ata për tregun e Ballkanit dhe integrimin e kësaj ekonomie në kuadrin evropian, e kanë thënë troç: “dyert janë të hapura: na propozoni projekte të karakterit dypalësh, por dhe rajonal”.

– Edhe nëse Shqipëria merr statusin kandidat, tani në funddhjetor, mendoni se në Shqipëri janë arritur ajo kulturë demokratike dhe standardet demokratike, që të vlejë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE?

– Kjo do të varet nga rezultatet e para dhe lidershipi politik. Problemi nuk është tek hapja e bisedimeve, për çka ekziston një konsensus që Shqipëria ta fillojë këtë proces dhe të mos jetë ende në pritje. Çështja është si do të punohet për këtë: a do të jetë drejtësia në gjendje që të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin masiv, deri tek personat e veshur me pushtet, apo do t’i lemë ata të fshihen pas “imunitetit parlamentar”, etj.. Hapat e para në këtë drejtim janë shpresëdhënëse. Të shpresojmë që këtë radhë, kjo gjeneratë e re politike t’i shërbejë interesave kombëtare dhe jo një interesi të ngushtë personal.