Mirlinda Boshnjaku: Instituti Konfuci një derë drejt mundësive më të mëdha në Kinë

    Intervista/ Flet Mirlinda Boshnjaku, anëtare e bordit drejtues të Institutit të Konfucit

    Para disa ditësh kryeministri Rama mori pjesë në inaugurimin e institutit të parë kinez që u hap në vendin tonë, Instituti Konfuci. Në këtë inaugurim kryeministri shprehu vlerësimin e tij personal për kulturën kineze dhe theksoi se dijet për Kinën, si kulturë e veçantë orientale, janë të pakta nga populli shqiptar dhe duhen thelluar. Për të mësuar sa më shumë rreth këtij instituti dhe çfarë përfitojnë të dy popujt, shqiptar-kinez, nga kjo nismë qeveritare “Telegraf” ka intervistuar znj. Mirlinda Boshnjaku, anëtare e bordit drejtues të Institutit të Konfucit.

    NOA

     -Në Tiranë së fundi është hapur një institut që quhet Instituti i Konfucit. Cili është misioni i këtij instituti?

    Institutet e Konfucit i kanë zyrat qendrore në Pekin dhe veprojnë në kuadër të Office of Chinese Language Council International (HANBAN). HANBAN  është institucion jo-fitim-prurës në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Arsimit të Republikës Popullore të Kinës dhe ka për qëllim të promovojë gjuhën e kulturën kineze, të mundësojë ndërkombëtarisht metodat më të reja të mësimit të gjuhës kineze dhe të lehtësojë shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe vendeve të tjera (bursa, programe, testime të gjuhës, shfaqje, aktivitete etj.).

    Institutet e Konfucit janë të ngjashme me organizata të promovimit të kulturës dhe gjuhës të vendeve të tjera të zhvilluara si British Council i Britanisë, Alliance Française e Francës dhe Goethe-Institut e Gjermanisë etj. Ndryshe nga organizatat e lartpërmendura, Institutet e Konfucit nëpër botë nuk janë të pavarura nga qeveria kineze dhe operojnë brenda dhe në bashkëpunim me universitete, kolegje dhe shkolla të mesme nëpër gjithë botën.

    Institutet e Konfucit financojnë vetë aktivitetet e tyre dhe sjellin në vendin pritës mësuesit dhe materialet mësimore po ashtu menaxhimi buxhetor miratohet nga qendra.

    Megjithëse Instituti i parë i Konfucit është hapur vetëm në Nëntor të 2004 në Seul të Koresë se Jugut, sot janë hapur qindra të tjerë në çdo cep të botës, por me përqendrimin më të madh në SHBA, Japoni dhe Kore të Jugut, por edhe në Europë po shtohen dita ditës (në Korrik 2013 numërohen 327 institute të Konfucit në 93 vende dhe rajone të botës). Meqenëse parashikohet që 100 milion persona do të mësojnë ose janë duke mësuar kinezce gjatë këtij 10 vjeçari, HANBAN ka si qëllim të hapë 1000 institute të Konfucit nëpër botë deri në 2020 për të përballuar kërkesat në rritje.

     Qeveria Kineze i ka dhënë shumë rëndësi dhe buxhet HANBAN, kështu që kur hapen Institute Konfuci, qeveritarë të lartë, si Kryeministri ose Presidenti i Kinës, e vizitojnë vendin përkatës. Në Europën Perëndimore dhe Lindore ka në çdo vend disa institutete te Konfucit, kjo në varësi të popullsisë dhe madhësisë gjeografike.

     Në rajonin e Ballkanit të gjitha vendet kanë institute të Konfucit, përveç Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës (kurse Serbia ka 1, Bullgaria -1, Greqia -2, Rumania – 4, Kroacia 1, kurse Italia ka 21 institute të shpërndara në tërë territorin). Kështu që Instituti i Konfucit në Tiranë mund të kthehet në një qendër rajonale për popullsinë shqiptare të rajonit që kanë interes të mësojnë kinezce ose të studiojnë në Kinë.

     -Nga ka ardhur ideja e marrjes së këtij emri të madh, siç është Konfuci, për t’ia vënë institucionit?

    Institutet e Konfucit kanë marrë emrin nga filozofi i famshëm kinez Confucius (551-479 para Krishtit) mësimet dhe filozofia e të cilit vazhdojnë të praktikohen në gjithë Azinë e me tej ne botë. Është ai që ka hedhur dhe vendosur idetë dhe bazat e para të strukturimit të jetës shoqërore e politike në Kinë. Për shembull, mund të themi që Kina është një nga vendet e para në botë që ka prezantuar dhe ushtruar provimet për tu bërë pjesë e Administratës publike. Çka do të thotë se postet e larta në institucionet shtetërore nuk varen gjithmonë nga statusi i lartë shoqëror që mund të ketë një person. Pjesë të institucioneve mund të jenë të gjithë ata që pavarësisht statusit social nga vinë, kanë meritat për të qenë aty. Pra megjithëse Kina ka qenë një vend me të kaluar feudale dhe perandorake personat që donin të bëheshin zyrtarë të lartë nuk duhet të kishin patjetër gjak fisnik, por edhe një fermer ose klasë e mesme mund të bëhej pjesë e tyre. Pra këto ide të provimeve për të hyrë në administratë dhe për të marrë detyra të larta janë prezantuar për herë të parë nga Konfuci. Ai ka vënë bazat e menaxhimit të strukturës së jetës dhe këto ligje morale, të cilat më vonë u institucionalizuan për të gjithë Azinë, vazhdojnë ende udhëheqin botën shpirtërore të këtyre njerëzve. Gjatë kohës që Kina ishte pak më e mbyllur, Konfuci u harrua paksa pasi idetë morale të tij u zëvendësuan nga idealet komuniste. Por më vonë, nga vitet ‘90 e këtej, Konfuci u rikthye fuqishëm në jetën e përditshme socio-politike.

     -Inaugurimi i institutit u bë para disa ditësh, por mbajmë mend që tratativat për të arritur tek ky hap janë bërë edhe para shumë kohësh. Pse vonoi ca për të ardhur ky hap?

    Duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta që ka pasur Shqipëria me Kinën, u mendua që ky institut të hapej tani, sado që në rajon dhe gjetkë ky institucion ekzistonte me kohë. Pra marrëdhëniet e mira ekzistonin tashmë, duhej vetëm dëshira e mirë dhe vullneti nga pala shqiptare për ta realizuar këtë plan. Në momentin kur, që para 3-4 vjetësh u diskutuan planet e para, pala kineze u tregua shumë e gatshme. Megjithëse Instituti i Konfucit ka një axhendë shumë të ngarkuar, ka universitete dhe fakultete që presin radhën për ta hapur këtë qendër, ata gjithsesi Shqipërinë e vunë në listën e tyre të prioriteteve dhe deklaruan se në Shqipëri do vijmë ta ndërtojmë sa më parë këtë qendër.

     -Ky është një bashkëpunim ku të dyja palët, si ajo shqiptare dhe kineze, presin të marrin në fund një përfitim reciprok. Cilat janë realisht përfitimet që do të marrin të dyja palët?

    Normal, përfitimi i parë që merr pala kineze është promovimi i kulturës dhe gjuhës së saj. Duke qenë se roli i Kinës në të gjithë botën është rritur në nivele të paimagjinueshme, ai është vendi i dytë më i zhvilluar në botë dhe normalisht kanë diplomacinë dhe politikën e tyre për zhvillimin e kulturës dhe zgjerimin e ndikimit të tyre ne botë. Por në të njëjtën kohë ata përgatisin dhe kuadro, burime njerëzore në secilin vend në mënyrë që Kina të njihet më mirë dhe këto vende të jenë të gatshme të bashkëpunojnë me të. Shqipëria nga ana tjetër përfiton që në vendin e saj të hapet kjo qendër dhe t’i jepet mundësia të gjithëve për të mësuar gjuhën kineze që është e veçantë dhe vështirë për tu mësuar nga burime të tjera. Për të gjithë studentët, biznesmenët etj., kjo gjuhë mund t’i japi mundësi të mëdha për të progresuar në karrierën e tij. Duke ditur që gjuha kineze është një nga gjuhët që po kërkohet në të gjithë botën besoj se dhe këtu në vendin tonë do t’i japi njerëzve mundësi më të mëdha karriere. Çdo shqiptar që është i interesuar për të përfituar bursa nga qeveria kineze mund të afrohet pranë kësaj qendre dhe të marri të gjithë informacionin e nevojshëm. Po ashtu pranë kësaj qendre mund të marri informacion edhe për kurset, trajnimet që mundëson ajo.

     -Kryeministri Rama ishte i pranishëm në inaugurimin e qendrës Konfuci dhe aty ai ceku diçka pozitive të popullit kinez, që ata karakterizohen nga një saktësi në të shkruar për tu marrë shembull. Si do ta komentonit këtë?

    Qeveria e re e vlerëson shumë marrëdhënien me Kinën dhe e quan një bashkëpunim strategjik, bashkëpunimin që ka ajo me qeverinë kineze. Për këtë arsye edhe vetë Kryeministri Rama mori pjesë në inaugurimin e hapjes së kësaj qendre dhe mbajti fjalën përmbyllëse të ceremonisë. Ai qe një fjalim jo vetëm vlerësues dhe zyrtar për Kinën, por në të dalloheshin edhe disa nota të vlerësimit personal që ai kishte për filozofinë, etikën e punës dhe gjuhën e atij vendi. Ai përmendi aty diçka që vlen për tu theksuar: një popull është më mirë të di se sa të këtë, dhe shtoi se, edhe pse marrëdhëniet tona më Kinën kanë qenë të ngushta, njohuritë që kemi për të janë të pakta në krahasim me vendet e tjera evropiane që i kanë kushtuar kohë, studim, dhe personel të caktuar që merret vetëm me marrëdhëniet me Kinën. Ka ardhur koha që edhe Shqipëria, në këtë fazë të zhvillimit që është, të kthehet dhe të shoh edhe nga lindja sepse ka shumë për të mësuar dhe një ndër to është dhe etika dhe disiplina që kanë në punë, siç përmendi edhe Kryeministri Rama.

     Kjo qendër do të jetë e hapur vetëm në Tiranë apo dhe qytete të tjera shqiptare?

    Fillimisht është hapur në Tiranë, por do të mundohemi që të hapen qendra dhe më tej. Ata mund të hapin edhe klasa brenda disa prej gjimnazeve kryesore në vend, në mënyrë që të jenë sa më të askesueshëm ndaj publikut shqiptar. Mendoj se qendra e Konfucit e hapur në Shqipëri do të funksionojë edhe si një qendër rajonale për të gjithë popullsinë shqipfolëse dhe të gjithë shqiptarët që ndodhen në rajon. Përderisa nuk kemi asnjë qendër Konfuci në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi ku jetojnë shqiptarë kjo qendër në Tiranë do të luaj rol edhe për ata. Kjo do të ndërgjegjësoje dhe afrojë më shumë shqiptarët pranë kulturës dhe gjuhës kineze.