“Belle Air” si Sudja, shpall falimentimin pasi pret biletat e udhëtarëve: “Na bllokuan llogaritë”

506
Sigal

 Ministri Haxhinasto: “Nuk kemi bllokuar asnjë llogari, “Belle Air” zotëron 50 për qind të tregut”

Kompania “Belle Air” është bërë si Sudja. U pret biletat udhëtarëve për fluturimet ajrore dhe pastaj shpall falimentimin, apo ndërprerjen e punës. Të njëjtën gjë ka bërë dikur edhe Sudja, e cila deklaroi se kishte falimentuar, pesë orë pasi u kishte marrë paratë kreditorëve. Vendimi për pezullimin e fluturimeve nga Kompania “Belle Air” ka shkaktuar kaos dje, në aeroportin “Nënë Tereza”. Qindra qytetarë, të cilët kishin prerë biletat, ditë më parë tek kjo kompani, nuk kanë mundur të udhëtojnë duke qëndruar me orë të tëra në aeroport pa u kontaktuar nga askush për t’i dhënë një zgjidhje situatës. Në një moment,  gjatë paradites, pasagjerët të irrituar kanë tentuan të bllokonin “Chec-in” dhe hyrjen e aeroportit. Më pas Kompania shqiptare e fluturimeve “Belle Air”, e cila te dielën ka shpallur pezullimin e fluturimeve ndërkombëtare për shkak të situatës financiare njoftoi se, do të kryente mbrojtjen e pasagjereve përmes kompanisë “Blue Panorama Airlines”. Por kjo kompani që nga dita e djeshme vazhdon të jetë në pritje për marrjen e lejes nga Avioni Civil Shqiptar. Drejtoria e Aviacionit Civil, u mblodh për të sqaruar situatën pas pezullimit të fluturimeve

Paradoksi dhe shitja e biletave

Udhëtarët janë shprehur pardje për mediat e ndryshme se janë të indinjuar për veprimin e kompanisë “Belle Air”. “Kam prerë biletat disa muaj dhe javë më parë. Në sportel na informuan se për arsye të kohës “Belle Air” nuk niset.  Prandaj ne  kërkojmë që të na kthehen lekët e biletës. Nëse kompania ishte në prag falimentimi nuk mund dhe nuk duhej të shiste sërish bileta”,- thotë njëri prej udhëtarëve të shumtë që ndjehej i zhgënjyer prej kësaj kompanie, fantazmë. Por për çudi, “Belle Air” në Shqipëri ka shpallur falimentimin ndërsa në Prishtinë ka vazhduar fluturimet gjatë ditës së pardjeshme dhe të djeshme. Ajo po vazhdon punën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” dhe ky veprim duket mjaft i çuditshëm dhe i frikshëm. “Fluturimet e parapara për datat e djeshme dhe të sotme, kompania po i realizon, madje, edhe po pranon blerje të biletave për datat vijuese”, informonte dje, gazeta kosovare, “Zëri”. Kjo ngjan me tentativat e Sudes për të qetësuar kreditorët duke mbuluar të vërtetën me anë të një spekulimi të ri. Për herë të fundit “Belle Air” u ul në TIA, këtë të diel në orën 12:35 me nisje nga aeroporti i Londrës, Britani e Madhe. Më herët këtë të diel erdhën në Tiranë edhe avionët nga Venecia, Bolonja dhe Piza. Por sot “Belle Air” kishte edhe disa fluturime të tjera, të cilat u anuluan. Avioni i pritshëm në orën 14:40 nga Iraklio e Kretës, Greqi, u anulua. Po ashtu u anuluan fluturimet e pritshme nga Cuneo – Itali, Milano, Romë, Verona, Ancona, Bari dhe Bergamo, gjithnjë sipas informacionit zyrtar të TIA.

Konfuzioni

Nga ana e vet “Belle Air” ka deklaruar se shteti u ka bllokuar llogaritë për 18 ditët e fundit dhe kështu ajo nuk është në gjendje të vazhdojë. Ndërkohë që, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto përmes një njoftimi për shtyp akuzoi kompaninë për keqmenaxhim dhe mungesë transparence. Madje, Haxhinato tha se, qeveria ka bërë përpjekje maksimale për të evituar ditën kur kjo kompani të mos ishte e aftë të realizonte detyrimet ndaj qytetarëve. Për këtë ishte arritur një marrëveshje ndaj autoriteteve tatimore të kompanisë me qëllim që të ristrukturohej detyrimi i saj dhe ajo vazhdonte të mbetej në treg, ndërkohë kjo kompani kishte marrë “vendimin e papritur të pezullimit të fluturimeve në dëm të qytetarëve”.  Ajo që është më e rëndë është se megjithëse  kompania ajrore “Belle Air”, kishte depozituar të premten, në datën 22 nëntor 2013, kërkesën për falimentim ajo vazhdonte të shiste bileta.

“Belle Air”: Shteti na bllokoi llogaritë që prej 18 ditëve

Në lidhje me këtë falimentim deklarata zyrtare e “Belle Air” ishte kjo: “Pas tetë vjet operimesh të suksesshme nga Shqipëria drejt destinacioneve europiane dhe anasjelltas, kompania “Belle Air” është detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj. Të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë e kemi të pamundur për të vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë  pezullimin janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, recesioni në tregjet kryesore ku operojmë,  si edhe  bllokimi prej mëse 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë “Belle Air”.

Ministri Haxhinasto: Asnjë bllokim të llogarive të “Belle Air”

Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto sqaroi dje, se ndaj kompanisë ajrore “Belle Air” nuk ka asnjë bllokim të llogarive bankare, por ajo ndodhet në këtë situatë për arsye të keqmenaxhimit. Në një konference për shtyp, Haxhinasto u shpreh se, “Belle Air” ka një detyrim të hershëm. “Situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania “Belle Air”. Nuk ka bllokim të llogarive. Ajo që ka ndodhur është situatë e krijuar nga keqmenaxhimi i kompanisë, mungesa e theksuar e transparencës dhe mos plotësimi i detyrimeve. Ndonëse është një situatë e privilegjuar duke kontrolluar 50 % të tregut të fluturimeve. “Belle Air” ka një detyrim të hershëm. Pavarësisht prej kësaj janë bërë përpjekje maksimale për të evituar ditën kur kjo kompani të mos ishte e aftë të realizonte detyrimet qytetarëve. Kompania “Belle Air” arriti në një vendim për të pezulluar fluturimet. Vendimi u mor papritur dhe aspak në interes të qytetarëve”,- tha Haxhinasto. Kompania e fluturimeve ajrore “Belle Air” bëri me dije të dielën se ishte e detyruar të pezullonte përkohësisht fluturimet e saj për shkak të situatës ekonomike jo të mirë që po kalonte.