Presidenti Meta: Përherë i lumtur të takohem me mikun e çmuar të kombit shqiptar, Eliot Engel

479
Sigal

Presidenti Ilir Meta është takuar sot në SHBA me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel. Në një mesazh në Facebook, Presidenti shprehet se Engel është një mik i çmuar i kombit shqiptar.

Kreu i shtetit shqiptar dhe politikani i njohur amerikan me mjaft ndikim në politikën e jashtme të SHBA kanë diskutuar për raportet mes dy vendeve dhe zhvillimet në rajon. “Si njohës i shkëlqyer i rajonit, ai është edhe një përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor, dhe forcuar lidhjen tonë transatlantike”,- shkruan kreu i shtetit Ilir Meta në mesazhin e tij.

Takimi me Engel është në kuadër të vizitës zyrtare që Presidentit Ilir Meta po zhvillon në SHBA. Dje kreu i shtetit shqiptar u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Mesazhi i plotë i kreut të shtetit:

“Përherë i lumtur të takohem me mikun e çmuar të kombit shqiptar, Eliot Engel, Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan.

Në bisedën e përzemërt dhe të hapur, vlerësuam rëndësinë e partneritetit strategjik dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.

Si njohës i shkëlqyer i rajonit, ai është edhe një përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor, dhe forcuar lidhjen tonë transatlantike. ”,- shkruan Presidentit.