Miqësia e Shqipërisë me Amerikën do të jetë e përjetshme

    466
    Sigal

    Ju tregoj takimet e mia me Obamën

     Diploma, sa e rëndësishme është për ju?

     Ermira Babamusta: Presidenti i 35-të i Amerikës, Xhon F. Kenedi ka thënë: “Le ta konsiderojmë edukimin si mënyrë për të zhvilluar aftësitë tona, sepse tek secili nga ne ka një shpresë dhe një ëndërr private, e cila kur realizohet shndërrohet në përfitim të të gjithëve dhe fuqi më të madhe për kombin”. Pra edukimi dhe njohuria rrit jo vetëm vlerat dhe mendjen e njeriut për arritje personale, por i vlen dhe i shërben shoqërisë dhe kombit të tij.

     Më pëlqen shumë sistemi i shkollës së mesme në Shqipëri që përgatit studentët me njohuri nga të gjitha fushat, si shkencë, letërsi, histori, etj., duke e bërë gati studentin për nivelin e shkollës së lartë në çfarëdo lloj fushe të ndjekë. Meqë vitin e fundit të shkollës së mesme e bëra në Amerikë, e vura re në sistemin amerikan që ky nivel përgatitje nuk ishte në shkallën e përgatitjes në Shqipëri. Në Shqipëri edukimi i shkollës së mesme është më i mirë dhe më i avancuar. Një përfitim në SHBA, është se në vitin e fundit të shkollës së mesme studentët më të mirë mund të fitojnë  bursa për të ndjekur universitetin.

     Përgatitja e universitetit në Amerikë është ndër më të mirët në botë, si nga niveli i përgatitjes, profesorët, eksperienca, mundësia për bursa, forume dhe konferenca me liderë bote, dhe mundësi studimi jashtë shtetit – programe ndërkombëtare të sponsorizuara nga shkolla, shteti ose studenti, për t’i dhënë përvojën e duhur, që studenti të jetë sa më i aftë nga njohuritë dhe me kultura të ndryshme.

     Nëpërmjet studimit “Sigurim Kombëtar” në Harvard, kam patur rastin të marr pjesë në forume me strategë dhe liderë botërorë, që analizojnë gjërat më sensitive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke na shpjeguar nga eksperienca e tyre qeveritare ose diplomatike. Në Universitetin “Long Island University” ku mbarova masterin e dytë për Shkenca Politike dhe programin e tretë të avancuar “Diplomaci në OKB” më kanë dhënë mësim diplomatë dhe ambasadorë që kanë shërbyer në botë dhe zyrtarë të lartë të Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së.

     Në 2010-n kam studiuar nëpërmjet programit të universitetit “West Virginia”, ku po ndjek doktoraturën për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, fitova bursën për të studiuar jashtë shtetit në Francë, në Universitetin e Strasburgut për “Ligji dhe Institucionet e BE-së”. Nëpërmjet këtij programi kemi punuar me institucione të larta të BE-së në Francë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, si dhe kemi patur takime tek Parlamenti Europian, Këshilli Europian, EuroCorps, Gjykata e të Drejtave të Njeriut, Ministria e Jashtme e Luksemburgut, etj.. Në të gjitha këto vende që kam vizituar kam ngritur çështjen e Kosovës dhe të drejtat për shqiptarët, duke ngritur lart vlerat morale-kulturore të popullit tonë. Madje dhe kolegët e programit kudo që shkonim nuk më thirrnin më me emër, por “Kosova” ose “Albania” ose “shqiptarja”.

     Mbi të gjitha, mendoj se njeriu duhet të punojë për të përmirësuar veten, por duke i bazuar të gjitha veprimet e tij në drejtësi, dashamirësi dhe mirëqenie për të gjithë. Po nuk mësove të jesh njeri në radhë të parë, të sillesh si njeri, pavarësisht diplomat, gradat që të jep jeta dhe puna, të gjitha janë pa vlerë nëse nuk mban moralin dhe vlerat e të qënurit njeri.

     Jeni shprehur se, ëndrra juaj është të prekni Shtëpinë e Bardhë dhe se për këtë duhet angazhim politik. Sa vazhdoni të jeni e angazhuar me politikën amerikane dhe cilit spektër i përkisni?

     Ermira Babamusta: Më pëlqen fakti që në Amerikë nuk ka shumë parti politike, janë vetëm 2-3 të forta. Kjo tregon se, nuk ka përçarje dhe janë të bashkuar në principe. Është për t’u admiruar fakti që pavarësisht bindjeve politike, si demokratike ose republikane, qeveritarët amerikanë, kongresmenët amerikanë, venë parësore bashkëpunimin midis të dy krahëve politik. Kjo është sepse edhe vetë Kongresi Amerikan është ndërtuar i tillë dhe duhet numri i votave për t’u miratuar ligji. Pra dhe me opozitën, politikani duhet të jetë i aftë për të arritur marrëveshje. Presidenti amerikan në përgjithësi, për çështje kryesore sociale dhe politike i drejtohet popullit, jo duke përdorur partinë si kartë të fortë, por duke përdorur ideologji që i shërbejnë në të mirë të popullit, për shembull, rrogat, përkrahja për femrat në punë, barazi, mbrojtja, etj.. Pra këto janë çështje sociale dhe jo partiake, por secila parti mund të ketë mendimet e saj për rekomandimet drejt këtyre dhe mundohen të arrijnë një kompromis për të mirën e të gjithëve.

     Gjatë punës time me administratën e Obamës, unë i kam shërbyer popullit dhe qeverisë amerikane. Kam punuar me senatorin Tom Harkin që është demokrat nga shteti i Iowas, si dhe për kongresmenin Mark Kennedy, që është republikan nga shteti i Minesotës. E falënderoj shumë senatorin Harkin që ka krijuar një urë lidhje të jashtëzakonshme me Kosovën, duke përgatitur forcat ushtarake dhe duke e përkrahur atë në shumë fusha.

     Falënderoj mirënjohjen që më dha senatori Tom Harkin para presidentit George Bush, ku në fjalimin para Presidentit në seancën e senatit më falënderoi dhe vlerësoi punën time për shërbimin dhe punën në sistemin diplomatik amerikan. Në vitin 2003 senatori Harkin i bëri familjes time një ftesë të veçantë për të vizituar Kongresin Amerikan. E veçantë ishte pritja që na bëri tek dera dhomës së pritjes në Senat, duke na dalë përpara. Na mbajti dyfishin e kohës dhe ndër të tjera na përgëzoi në mënyrë shumë të përzemërt, “Ju falënderoj në emër të Kongresit Amerikan, të qeverisë amerikane dhe të popullit amerikan, për shërbimet dhe masat e shkëlqyera që keni bërë për forcimin e miqësisë midis dy kombeve Amerikë dhe Shqipëri për 100 vite. Përulemi me shumë respekt përpara familjes tuaj (duke u ulur në gjunjë përpara shqiponjës që familja ime i dhuroi senatorit). Falënderoj familjen tuaj që keni prodhuar fëmijë kaq të shkëlqyer, dhe me siguri Ermira që i ka bërë shërbime shumë të mëdha diplomacisë amerikane dhe zyrës time. E ka vendin këtu. Shqiponja juaj qenka e njëllojtë si shqiponja jonë amerikane”. Dhe në fakt senatori nxori lot gëzimi dhe përmallimi dhe na foli për mamanë dhe prejardhjen e tij Europiane.

     Senatori Tom Harkin u gëzua së tepërmi kur babai im, Nekiu me fjalë zemre e përgëzoi për ndihmën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë dhe Kosovës. Veçanërisht u gëzua, kur babai i tregoi me fakte kontributin e parë dhe kryesor që ka dhënë Amerika në Luftën e Dytë Botërore për shkatërrimin e nazizmit dhe për Betejën e Normandisë, kur ranë mbi 8000 luftëtarë dëshmorë amerikanë për çlirimin e Europës nga pushtuesit gjerman.

    Për shërbimin tim gjatë punës në Kongresin Amerikan, Kongresmeni Mark Kennedy më vlerësoi për “punën e shkëlqyer në Kongresin Amerikan si dhe përkushtimin për të çuar përpara vizionin e Diplomacisë së Amerikës. Kongresi Amerikan uroi punën e babait, Neki Babamusta për ndërtimin e demokracisë midis Europës dhe Amerikës”.

     Në politikë ka një shprehje klasike që thotë “Kurrë mos thuaj kurrë”… Sa afër këtij realiteti jeni…?

     Ermira Babamusta: Momentalisht jam e angazhuar me organizatën “Organizmi për Aksion” që ka qenë mbështetja kryesore e fushatës së Presidentit Obama. Po ashtu, jam pjesë e programit të shërbimit publik dhe vullnetar të zyrës së Presidencës. Në të ardhmen synoj punësimin në Shtëpinë e Bardhë dhe më vonë kam dëshirë të hedh kandidaturën në Kongresin Amerikan dhe pse jo të bëhem sekretare e shtetit.

     Jeni parë shpesh si aktiviste në mbështetje të çështjes së Kosovës. Si po ju shkon anketa për qeverisjen e Kosovës dhe kur do ta botoni punimin shkencor?

     Ermira Babamusta: Angazhimin për Kosovën e kam parësor, sepse Kosova është pjesë e pa ndarë e Kombit tonë. Me hulumtimet e mia deri tani kam plotësuar mbi 250 anketa. Po synoj të kem mbi 500 pjesëmarrës. Ftoj ekspertë të Kosovës, si shkrimtarë, profesorë, policë, politikanë, administratorë, avokatë, ekonomistë, gazetarë, nëpunës, intelektualë, etj., të marrin pjesë në anketën: www.prishtinapress.info/sondazh. Kur punimi shkencor të jetë gati për publikim si libër kam dëshirë të vij në Shqipëri dhe Kosovë për promovim.

      Presidentët amerikanë ( Bushi i Madh, Klinton, Bushi i Vogël) shihen si heronj jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri . Cili është komenti juaj?

     Ermira Babamusta: Vlerësoj qëndrimin e lartë të liderëve amerikanë ndaj popullit dhe qeverisë shqiptare. Gjatë vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri në 10 qershor 2007, ai deklaroi: “Shqiptarët janë një popull që e duan dhe e çmojnë lirinë dhe kam respekt për udhëheqësit shqiptarë”. Ndërsa zonja Hillari Klinton, me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë në vizitën e saj në Shqipëri në Parlamentin Shqiptar deklaroi: “Miqësia jonë do të rrojë 100 vjet dhe 100 vjet dhe 100 vjet të tjera, do jetë e përjetshme”.  Gjatë vizitës së zonjës Klinton në Kosovë, në konferencën e shtypit me Kryeministrin z. Hashim Thaçi deklaroi: “Që nga fillimi, Amerika ka përkrahur Kosovën, të drejtën për të ekzistuar si një shtet sovran dhe i pavarur, brenda kufijve”. Ndërsa Presidentit Klinton, populli liridashës i Kosovës i shfaqi mirënjohje të jashtëzakonshme për kontributin që dha Amerika për çlirimin e Kosovës, duke i ngritur një lapidar madhështor në qendrën e qytetit. Madje, me rastin e ditës së falënderimeve, festë e madhe në Amerikë sheshi “Nënë Tereza” pranë Kuvendit mbushet me mijëra flamurë amerikanë për të treguar respektin dhe miqësinë e pathyeshme midis kombit shqiptar dhe Amerikës.

     Po Presidenti Obama a ka të njëjtin kujdes apo duket si më i tërhequr? Çfarë mendoni për këtë konstatim?

     Ermira Babamusta: Edhe Presidenti Obama është në të njëjtën linjë të qëndrimit amerikan ndaj shqiptarëve, me presidentin paraardhës. Edhe Presidenti Obama e ka prioritet kryesor forcimin e miqësisë midis Shqipëri-Kosovë-Amerikë  dhe integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në familjen europiane. Me këtë rast Amerika po luan rolin kryesor si ndërmjetëse, avokate dhe zëri i fuqishëm dhe vendimtar për interesat e shqiptarëve.

     Unë personalisht jam shumë e lidhur me politikën amerikane, sepse besoj tek vlerat e saj, në të njëjtën kohë këto vlera do t’i shërbejnë edhe politikës shqiptare, për të cilën po punoj prej 15 vitesh në diasporë për të forcuar këto ndërlidhje politike-diplomatike.

     Ju keni pasur edhe një telefonatë nga Obama në mos gabojmë menjëherë pas betimit si President. A mund të na e kujtoni si ndodhi?

     Ermira Babamusta: Kam marrë disa telefonata nga Presidenti, si dhe konferenca me video dhe korrespondenca nga Shtëpia e Bardhë, dhe ftesa të veçanta. Telefonata e parë ishte në vitin 2008, ku Presidenti më falënderoi për punën time dhe ekipin tim që unë drejtoja në Florida dhe shtete të tjera, gjatë punës tonë në fushatë. Kam marrë disa telefonata vijuese gjatë punës time në 2008 dhe 2012 rreth kësaj çështje, ku edhe në letrën që mora sot nga Presidenti ai vlerëson punën time për idealet tona të përbashkëta për demokraci, drejtësi dhe paqe. Po ashtu, Presidenti më mori mua dhe senatorët dhe zyrtarët e tjerë që ishim në një telefonate konference, duke pritur mbarimin e fjalimit të Presidentit para “Union Address”. Sapo doli nga salla e fjalimit, ishim të parët që na telefonoi, gjatë udhës së tij drejt shtëpisë së bardhe, dhe aty ai na falënderoi për punën dhe përkushtimin tonë.

     Shqipëria i tha “JO” pranimit të lëndëve kimike, duke zhgënjyer partnerin tonë strategjik duke dhënë një shembull jo të mirë edhe në rajon dhe vendet e tjera alete të NATO-s. A keni ndonjë koment për këtë?

     Ermira Babamusta: Triumfoi për herë të parë në Shqipëri mendimi i lirë i popullit, pa ndikime politike.

     A mendoni se rruga e Kosovës drejt njohjes së plotë dhe anëtarësimi në OKB do realizohet?

     Ermira Babamusta: Jam plotësisht e sigurt që kjo ëndërr dhe e drejtë e popullit trim, punëtor dhe liridashës të Kosovës, do realizohet, sepse kanë treguar me  fakte dhe vepra që janë pjesë e pandarë e Europës. Vlerësoj punën e përkryer të liderëve të Kosovës, në veçanti Presidenten Atifete Jahjaga, Kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj, zv. kryeministër Behgjet Pacolli dhe zv. Kryeministre Edita Tahiri, etj.. Figura e Presidentit Ibrahim Rugova do mbetet e përjetshme si arkitekti i parë i Pavarësisë së Kosovës dhe themeluesi i LDK-së. Gjatë takimit me 6 shkurt 2014 të ministrit Hoxhaj në Uashington sekretari i shtetit Xhon Kerri ka shprehur mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

      Ju merr malli për Shqipërinë? Po për Kavajën simbolin e Demokracisë?

     Ermira Babamusta: Jam krenare që jam shqiptare iliriane. Nga Kavaja që në moshën 10- vjeçare u njoha me lëvizjet e para demokratike, ku mora pjesë me familjen time. Nuk harroj pritjen e shkëlqyer që iu bë Ambasadorit të parë në Shqipëri, z. Reilson bashkë me gruan e tij, në Kavajë, shoqëruar nga z. Sali Berisha, të cilët i takuam familjarisht. Tiranën pata gëzimin e madh ta vizitoj me rastin e 100- vjetorit të Shqipërisë me ftesë të veçantë nga z. Artan Minarolli dhe Ministria e Kulturës. 100- vjetorin e kalova me shqiptarët e New York-ut, shqiptarët e Shqipërisë në Tiranë, me shqiptarët në Shkup të Maqedonisë dhe shqiptarët e Prishtinës dhe Mitrovicës. Ka qenë një festë dhe një mikpritje e paharruar.

                                                   Faleminderit  dhe Mirëardhshi në Tiranën tonë të dashur…!