Mimoza Hajdarmataj: Mungesa e tregut për gështenjën, boronicën dhe bimët medicinale në Tropojë

    70
    Mungesa e tregut për shitjen e boronicës, gështenjës dhe bimëve medicinale, është trajtuar edhe më herët në gazetën “Telegraf”, ku përmes saj banorët e rrethit të Tropojës i bënë apel qeverisë për krijimin e mundësisë së tregtimit të këtyre produkteve brenda territorit të vendit tonë. Banorët në mungesë të kushteve për t’i tregtuar në Tropojë, detyrohen t’i shesin këto prodhime bujqësore kundrejt një çmimi jo të favorshëm përtej kufirit, konkretisht në Kosovë dhe Mal të Zi. Me gjithë apelin e drejtuar edhe më herët qeverisë, fatkeqësisht duket se ka rënë në vesh të shurdhët pasi ende nuk ka patur një reagim lidhur me kërkesat e tyre. Me gjithsej për këtë vit u mbyll edhe sezoni i grumbullimit të boronicave dhe bimëve medicinave ku edhe këtë vit u tregtuan jashtë territorit tonë, banorët e kësaj zone po përgatiten për grumbullimin e gështenjës. Në prag të sezonit të mbledhjes së prodhimeve bujqësore (proces i cili realizohet gjatë stinës së vjeshtës, kryesisht në muajin Tetor), përsëri konstatohet mungesa e tregut të gështenjës si në zonën e Tropojës, zonë kjo mjaft e njohur për këtë prodhim. Pra edhe pse kemi fatin që fruti i rrallë (boronica) të gjendet me shumicë në bjeshkët tona, bimë të tjera medicinale të cilat janë vërtetuar shkencërisht si shëruese të shumë sëmundjeve, si dhe prodhimi i gështenjave, mos menaxhimi i rregullt i tyre si dhe mungesa e investimeve për krijimin e tregut, bën që Shqipëria të humbas edhe prodhimet e veta të rralla. Fermerët shprehen se në disa raste rrezikojnë edhe të falimentojnë për shkak se prodhimet e tyre nga mungesa e tregut mund të mbeten stok në magazinat dhe në shtëpitë e fermerëve. Edhe pse është përfolur disa herë që do krijohen magazinat e grumbullimit të këtyre prodhimeve në qytetin Bajram Currit, deri tani nuk ka rezultuar të bëhet diçka e tillë. 

    Reagimi i deputetes së Tropojës Hajdarmata për gazetën Telegraf

    Ndërkohë e kontaktuar nga gazeta “Telegraf” deputetja e Partisë Demokratike për Tropojnë, Mimoza Hajdarmataj deklaron se së shpejti do të diskutohet edhe në parlament mungesa e tregut të bimëve medicinave, boronicës dhe gështenjës. Më tej në prononcimin e saj, Hajdarmataj theksoi se ndaj këtij sektori mungon vëmendja e shtetit, pasi fillimisht nevojiten politika nxitëse, subvencionuese dhe më tej garantimi i tregut.

    Mungesa e tregut të gështenjës, boronicave dhe bimëve medicinale, a do të trajtohet nga ju në Parlament?

    Tropoja është e bekuar nga Zoti për pasuritë e saj mbitokësore dhe nëntokësore. Nëse shteti ndërhyn me politika subvencionuese, çdo familje mund të merret me bujqësi dhe blegtori. Po ju përmendi boronicën dhe bimët medicinale, te cilat absolutisht kërkojnë një vëmendje të veçante, por Tropoja ka masive pyjesh me gështenje e cila gjithashtu kërkon vëmendje qofte për pastrimin e këtyre plantacioneve, mbjelljen e fidanëve të rinj, krijimi i infrastrukturës rrugore për mbledhjen dhe grumbullimin e tyre dhe patjetër garantimin e tregut. Pemëtaria është një mundësi tjetër, që kërkon vëmendjen e shtetit e cila kërkon gjithashtu, politika nxitëse, subvencionuese dhe më tej garantimin e tregut. Një nga frutat për të cilat Tropoja ka qenë e njohur është edhe kumbulla tropojane, e cila fatkeqësisht po shkon drejt zhdukjes si varietet dhe kërkon ndërhyrje urgjente për ruajtjen e origjinalitetit të saj. Shumë familje, kanë filluar të merren me mbajtjen dhe shtimin e bletëve, favorizuar nga pozicioni gjeografik dhe natyra e virgjër. Edhe këtu shteti duhet të ndërhyje me politika mbështetëse për sa i përket subvencionimit te preparateve dhe ilaçeve që përdoren për kurimin e bletës pasi ato kushtojnë. Përpjekjet e mia do të përqendrohen jo vetëm në parlament apo komisionin e veprimtarisë prodhuese por edhe tek çdo institucioni që posedon fonde dhe garnte zhvillimi për bujqësinë dhe blegtorinë. Çdo kush ka nevoje për një politike stimulimi dhe orientimi, mundësi marketimi dhe më pas sigurimin e tregut të produktit me të cilin përfaqësohet dhe absolutesh politika lehtësuese fiskale tatimore në hapat e para të ngritjes se biznesit që gjithsesi do jetë ose thjesht familjar/ i vogël ose maksimumi biznes i mesëm në rastin e fermave të vogla.